Si e përcolli gjithë Durrësi, Nikolin Xhojën, me një kortezh që nuk ishte parë kurrë, edhe pse Partia Komuniste e kishte shpallur armik
Me talentin e rrallë, realizoi personazhe të rëndësishëm si Xha Beqon te “Kapedani”, Qazim Mulletin te “Prefekti”, babanë e nuses te “Çifti i lumtur”. Me gëzimin e natyrshëm bëri për vete këdo që e njohu. Përveç të pushtetshmëve të Partisë. Që i burgosën të birin. Dy herë. I dërguan larg të bijën. E rrethuan me indiferencë dhe ftohtësi. Atë, aktorin e dashur nga të gjithë, bashkëthemeluesin e teatrit të Durrësit. Dhe kur ai ndërroi jetë, më 27 qershor 1987, ndaluan të përcillej nga ky Teatër. Por qytetarët e Durrësit, në një akt guximi dhe mirënjohjeje, i shfaqën Nikolin Xhojës respektin e mohuar duke e mbajtur në krah përgjatë gjithë qytetit dhe duke krijuar pas tij një kortezh që nuk ishte parë kurrë në Durrës për asnjë përfaqësues të pushtetit
Në gjuhën e nënës së tij, mbiemri Gioia, i marrë nga babai italian, do të thotë Gëzim. Dhe mund ta thuash me siguri që arsyeja e këtij mbiemri duhet të jetë ai dielli i brendshëm që prodhon dhe çliron përreth gëzim, që të tjerët kanë parë te parardhësit e Nikolinit dhe të cilin e kishte trashëguar edhe ai. Por, regjimi komunist në Shqipëri, e vrau. Nikolinin? Gëzimin, që nuk ishte vetëm mbiemri i tij, por edhe shpirti. Mënyra si frymonte. Pra, e njëjta gjë.
Ndoshta këtë histori pak e njohin. Sigurisht shumë më pak sesa ata që njohin Xha Beqon te filmi “Kapedani”, babain e vajzës te “Çifti i lumtur”, apo Qazim Mulletin në komedinë “Prefekti”, personazhe që aktori, i ka gdhendur mjeshtërisht në artin shqiptar dhe pashlyeshmërisht, në mendjen e artdashësve.
Nikolin Xhoja ka interpretuar dhjetëra role në kinema dhe teatër. Ai është një nga shtyllat e teatrit “Aleksandër Moisiu”, aty ku rastësisht u zbulua talenti i tij, të cilin e kishte shfaqur më parë përpara brigadës sulmuese që luftonte në ndihmë të Kosovës në vitin 1944, ku Nikolini, pas betejave, shoqëronte me kitarë këngët e partizanëve ose aktronte për ta në ekranin e dy batanijeve. Kur u kthye në Durrës, pas Luftës, u martua me vajzën që ndihmonte mamanë e tij që nuk dinte të shkruante, të dërgonte letra në Kosovë duke shtuar në fund, nga ana e vet: “Të fala Meropi” dhe u bë një nga themeluesit e teatrit të qytetit antik.
Për vite me radhë, krijoi një galeri personazhesh të përjetshëm, duke punuar pa u ndalur në skenë, në sheshxhirime, në shtëpi. Duke mos shfaqur kurrë lodhje, por vetëm atë gëzimin karakterizues që e bënte një koleg, një mik, një bashkëshort dhe një baba shumë të dashur për tre fëmijët e tij. Por dielli i tij ishte duke shkëlqyer në një kohë kur pushtetin e kishin retë, që kishin nisur të bënin hije mbi Shqipëri që në mes të viteve ’40 dhe në vitin 1962, u ndalën para familjes Xhoja.
Në këtë vit, arrestohet për agjitacion dhe propagandë një nga djemtë e Nikolinit, Ugo Xhoja. Ai ishte një djalë fare i ri, i rritur në një familje me virtytet më të mira, ishte bir jo vetëm i Nikolin Xhojas, por edhe i Meropi Xhojas, një prej aktoreve të para femra shqiptare dhe bashkëthemeluese edhe ajo e teatrit “Aleksandër Moisiu”, por këto të vërteta nuk do të zhbënin arrestimin e tij të përgatitur me akuza false.
Retë bëheshin të verbra.
“Ugon e arrestuan për herë të parë për “agjitacion dhe propagandë” në ’62-shin, kur sapo i kishte mbushur të 18-at. Ngjarja ndodhi një ditë pasi ai mori pasaportën. Sipas tyre, vëllai mendonte që të arratisej, e kishte mendjen te gjyshi në Itali. Thoshin se duke parë një revistë të Kenedit, ai ishte shprehur: “Ky ishte presidenti që do të kishte nevojë Shqipëria”. Të gjitha këto sajesa, sipas reflektimit tim e të familjes sime, një akt i tillë ishte tipik i atij sistemi. Një nga pjesëtarët e familjes apo të fisit kritikohej e dënohej, që t’u mbahej koka ulur të gjithë të tjerëve në vazhdimësi. Këto kanë qenë vite shumë të dhimbshme për ne, shumë të rënda nga ana psikologjike, sepse pas arrestimit të vëllait, shumëçka ndryshoi. Miqtë e babait filluan të mos vinin më si parë… Shtëpia e Nikolin Xhojës nuk ishte më qendra e teatrit. Ishim të rrethuar nga një frikë e jashtëzakonshme, njerëzit distancoheshin, e unë arrij t’i kuptoj, edhe pse kjo na ka rënduar shumë”, ka treguar në një intervistë për gazetën “Panorama”, disa vite më parë, vajza e vetme e Nikolin Xhojës, Aksinja, një pianiste e talentuar që jeton prej shumë vitesh në Brindisi, vendlindjen e të atit të saj dhe interpreton suksesshëm nëpër skenat evropiane dhe botërore.
Por retë bëheshin edhe të palëvizshme.
Ato nuk u larguan më kurrë nga familja e njohur, ajo folezë arti dhe mirësie që njihej dhe vlerësohej në gjithë Durrësin. Tashmë kontributit të prindërve, i ishte shtuar edhe ai i vajzës, e cila që fëmijë ishte dalluar për talentin e saj në piano dhe merrej të interpretonte para delegacioneve të rëndësishme shtetërore, por as kjo nuk do të kishte rëndësi. Në vitin 1981, kur Aksinja sapo kishte filluar Institutin e Lartë të Arteve, pasi kishte punuar 5 vite në Durrës, pas përfundimit të Liceut Artistik, Ugon e riarrestojnë. “Përsëri e burgosën për agjitacion e propagandë, sajuan se im vëlla ishte shprehur keq ndaj kryebashkiakut të atëhershëm të qytetit, duke thënë se duhet të shkojë të merret me kuajt, pasi nuk di të drejtojë një qytet si Durrësi”, tregon Aksinja.
Nikolini, edhe pse me shpirt të plagosur nga arrestimi i parë i të birit dhe mes një vorbulle ftohtësie që shkakonte largimi i detyruar i miqve, u mundua të mos e shfaqte pikëllimin në familje duke u dhënë kurajo anëtarëve të tjerë të saj. Hija ruante ende ngrohtësinë e diellit të gëzimit dhe ai po e mbante me dhëmbë në shpirt e në sytë e tij, por goditja e parë, do të ndiqej nga e dyta. Edhe pas saj, do të vinte edhe një tjetër. Aksinjën do e çonin në Gjirokastër. Dy artistë të mëdhenj me një djalë në burg dhe me një vajzë, që edhe pse, siç do provohej shumë shpejt kishte përmasa ndërkombëtare, dërgohej larg qendrës dhe larg tyre. Nikolin Gioia do të sëmurej rëndë. Ia kishin vrarë forcën shpirtërore që mund t’i duhej për t’i bërë disi rezistencë sëmundjes, që i kishte rrënjët që në kohën e luftës, kur kishte mbetur e patrajtuar. Sipas Aksinjës, një trajtim jashtë Shqipërisë mund ta kishte shpëtuar të atin, por kjo ndihmë në atë kohë i rezervohej vetëm pushtetarëve dhe kurrsesi babait të një të burgosuri politik, edhe pse ishte Artist i Popullit! E bija e aktorit të madh, nuk harron megjithatë njerëzit që me shpirtgjerësinë e tyre, iu gjendën pranë duke e mposhtur frikën e asaj kohe, si aktori Todi Thanasi që shoqërohej çdo ditë me Nikolin Xhojën pas arrestimit të parë të djalit të tij, kur thuajse kushdo u largua, apo mjekët Benjamin Çeta dhe Koço Moisiu që e vizitonin çdo ditë gjatë sëmundjes. Megjithatë, ata nuk mund ta shpëtonin. Nikolin Xhoja ndërroi jetë më 27 qershor 1987. Gëzimit, asaj pjese të pandarë të shpirtit të tij, kishin nisur t’i bënin atentat që 25 vite më parë.
Por ajo ditë, u kthye papritur në Durrës në një ditë kurajoje të nxitur nga respekti dhe dhimbja për Nikolinin.
“Momentin kur im atë u nda nga jeta, e kam shumë të gjallë, më duket sikur e shikoj dhe e jetoj çdo ditë… Mbaj mend të gjitha fytyrat, fjalët, të gjithë njerëzit që kanë qenë pranë nesh ato ditë… Kujtoj “zotërinjtë” e Komitetit të Partisë, që erdhën dhe më thanë: “Aksinja, ne do ta vendosim babanë tënd te njerëzit e shquar në hyrjen e varrezave”. Unë refuzova pa u menduar gjatë: Në asnjë mënyrë, – u thashë-, nuk e respektuat sa qe gjallë, tani lëreni rehat. Im atë ka shprehur dëshirën që të varroset afër nënës së tij dhe atje do të jetë. Disa nga miqtë që ishin pranë më thanë të jem e kujdesshme me fjalët, sepse kështu do t’i hapja punë vetes. “Do gjesh belanë nga këta”, më pëshpëritën.
Mirëpo, unë isha e vendosur: “Nuk më intereson asgjë më, babai do jetë atje ku kishte dëshirë, mjaft e kanë luftuar sa qe gjallë, ta lënë të qetë pas vdekjes”, u përgjigja. Nga ana tjetër, i gjithë qyteti, të gjithë kolegët, kanë treguar një dashuri të paprecedent atë ditë. Mbaj mend që erdhën të gjithë në shtëpi, e morën arkëmortin në krah, sepse Partia nuk kishte lejuar që ta vendosnin babain para teatrit për homazhet, sepse vëllai im gjendej ende në burg dhe për ta ishte person me njollë në biografi.
Ndërsa përgjigjja e gjithë popullit që e donte dhe e do akoma sot babanë tim, ishte kjo: Ata morën arkëmortin në krah nga shtëpia ime, që ishte afër bregdetit, deri te Teatri, pastaj atje Partia dha urdhër që të vendosej në makinë për ta çuar më tej. Kjo, sepse atë ditë ndodhi diçka e paprecedent. Ku kalonim ne me arkëmortin, mbylleshin dyert, dyqanet dhe të gjithë njerëzit që ishin nëpër dyqane vinin pas. U krijua një grumbull njerëzish pas arkëmortit, që nuk ishte parë më parë. Dhe kjo nuk ishte mirë për ata, sepse po i bëheshin më tepër nderime Nikolin Xhojës sesa personave politikë të atëhershëm, kështu që dhanë urdhrin e prerë. Pati një moment hezitimi, ndaj kortezhi vijoi dhe pak rrugën në këmbë me arkëmortin, mandej shkuam te varrezat. Ngjarja është filmuar dhe duhet të ruhet në arkivat e televizionit të Durrësit”, tregon Aksinja.
Qytetarët e Durrësit kishin shpresuar ndoshta që gjërat do të ndryshonin. Që, një ditë, do të mund ta përshëndesnin Nikolinin, t’i shtrëngonin dorën, ta uronin, ta falënderonin si dikur. T’i jepnin mbrapsht pak nga mirësia dhe gëzimi që ai kishte shpërndarë gjithë jetën, por kur ai u shua, kjo shpresë u shua. Dita e përcjelljes së trupit të aktorit, ishte dita e fundit kur ai borxh mirësie që gërvishtte si monedhë e ndryshkur shpirtin e tyre, mund të kthehej dhe ata, nga hije të vetvetes, u bënë njerëz të vërtetë.(kujto.al)