5 Dhjetor, 2024

Shpëtim Shmili, aktori i karaktereve të vështira

 Shpëtim Shmili, aktori i karaktereve të vështira

Nga Leonard Veizi

I thellë dhe kërkues deri në limite ndaj personazhit të tij. Ka interpretuar karaktere të vështira e plot temperament. E për më tepër ka drejtuar trupën për të marrë një maksimale në skene apo në mizanskenë.

E kush nuk e mban mend rolin e tij emblematik, nën lëkurën e Robert Çamçakëzit, një mekaniku që vinte vërdallë nëpër port me një uniformë disi ekstravagante për kohën, duke dredhur zinxhirin e duke ngacmuar vajzat e bukura.

-Zog, sa reçipienti najloni shkarkove sot/ A… Interkllub. Interkllub atje, por dama niks/ Bindem unanimisht. Ain moment sa të laj pak duart.

Pastaj vjen roli tjetër, si Valeta i filmit “Gjeneral Gramafoni” që luante rolin e italianit Marjo në bashkëpunim me shqiptarin Llambi Koli, i veshur me një kostum me katrore dhe që vallëzonte me një damë imagjinare, në mesin e rrugës së zejtarëve.

-Sinjor Valeta.

-Pronto giovanoti.

-Si është danci?

-O, danci… Permeso. Me leje dama. Pastaj… tira ram, tira ram… – E më pas vazhdonte me nje italishte perfekte –  O benvenuto sinjorina. Di prego. Che diseterate vuoi? Con piacere. Pronto fancciulla. Noi abbiamo cartoline piu belle del mondo.

Dhe po aq një rol specifik është ai i merceolog Samiut tek filmi “Ëndërr për një karrike”, që merrej me xhonglime mallash e që dinte ti bënte qefin shefit:

-Po ne për fundin e tremujorit kemi artilerinë e rëndë shoku Koli, kush pyet për këto xhingla. Gjynah, do t’i shkonte shumë një nga këto gjerdanet Agathisë tënde. – Do ta pimë tani një gotë birrë. Birrë me bërxollë se na lodhi Meçja duke shtyrë veturën.

Tek filmi i “Radiostacioni” realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shëmili ka luajtur rolin e Maqo Harallambit, një punonjës i radiostacionit të cilin shkon ta marrë në shtëpi një patrullë partizane. Dhe ndërsa nëna e tij në rol ia jep të qarit duke menduar se djali do t’i pushkatohej si kolaboracionist, ai u flet me një ton të rëndë e dramatik njerëzve që kishin dalë për të parë spektaklin e për ta përcjellë nga dera:

-Gra, sido që të ndodhë unë ndërgjegjen e kam të pastër.

-Kulmi…

Ai ka interpretuar me nivel të lartë, të ftohtë e të ashpër, rolin e një oficeri gjerman tek filmi “Këshilltarët”. Dhe po aq ka interpretuar rolin e togerit Shniker tek filmi “Dëshmorët e monumenteve”, një arkeologu austriak që gërmonte në tokën shqiptarë për të gjetur vepra të lashta arti.

-Oh, po kjo është e mrekullueshme Volf. E pra, le të jetë për sonte kjo bukuroshe antike, mike e kapitenit tonë. Ndërsa nesër me postën sekrete ia nisni Perandorit si dhuratë nga vetë e shqiptarët.

Por një rol tjetër fort i realizuar është dhe ai i gazetarit Vurko tek filmi “Pas vdekjes” që mes të tjerash shkruante dhe kronikat e vdekjes së njerëzve më të njohur të qytezës.

-Mos u shty më tutje. Doktor Adhamudhi. Kërkon i vdekuri të dijë çdo të thonë për të pas vdekjes. Do të dijë në është apo jo dordolec. Ti kurdisim një lodër këtij sharlatani që ta mësojë mirë të vërtetën.

Ndërsa tek filmi “Fushë e blertë, fushë e kuqe” ka realizuar rolin e trajnerit Filipi i cili donte që ekipi modest i të rinjve shqiptarë të ndeshej me futbollistët e Fashos pushtuese:

-E mrekullueshme djem, e papërfytyrueshme. Të luani futboll me Juventisin, me Romën, me Lacion. Ah sikur të isha edhe unë i ri.

Dhe më pas vjen si tregtar Qaniu tek filmi: “Një jetë më shumë”, që nën maskën e një bamirësi kërkonte të përfitonte nga puna e djemve jetim të pasluftës të cilët i nxirrte të shisnin me tezga në qafë gjithfarë vogëlsirash.

-Ti je Caku, ëëë. Do të punosh këtu tek ne domethënë. Çomja do të mësojë ta njohësh mirë zanatin.

Tek filmi “Një natë nëntori” realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shmili ka luajtur rolin e Kriminelit Suat. Por tek filmi “Tre vetë kapërcejnë malin” ai do të luante rolin e kontrabandistit Xhezap.

-Do të presim sa të kthehet edhe Engjëlli e t’i shohim të gjitha me radhë. Ama po qe se na i ke hedhur të mori lumi ty me gjithë dyqan.

Dhe së fundit tek filmi “Melodi e pandërprerë” luajti rolin e kryellogaritarit te kooperativës që më shumë e kishte endjen të pinte raki e të hante mish nga bagëtitë e therura si dëm kolateral;

-Dëgjo, në qoftë se nuk arrini ta shpëtoni dhinë e helmuar thereni. Të mos verë dëm mishi… Ja gëzuar

Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se Shpëtim Shmili u lind në në Tiranë 15 maj të vitit 1941. Mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Më pas ka punuar si arsimtar për afro tre vjet në Shtërmen e Cërrik të Elbasanit. Në vitin 1960 konkurroi dhe fitoi te drejtën për të vazhduar studimet e larta për aktor në institutin “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1964 diplomohet dhe emërohet aktor pranë teatrit profesionist “Skampa” të Elbasanit.

Shpëtim Shmili iu përkushtua tërësisht teatrit e skenës dhe deri në çastet e fundit të jetës ai realizoi me dhjetëra figura artistike e personazhe, të cilët kanë mbetur në mendjen e spektatorëve shqiptarë.

Përgjatë karrierës së tij artistike ai ka qenë një nga figurat kryesore të teatrit “Skampa” në Elbasan, si aktor, dramaturg, regjisor dhe drejtues. Ka interpretuar të paktën 45 role në këtë teatër si në dramë ashtu edhe në komedi. Ndërsa në pelikulën e filmit i kanë mbetur të fiksuara 12 role.

Por Shpëtim Shmili ka qenë dhe një dramaturg, i cili ka shkruar dhe pjesët: “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, si dhe komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja”.

Shpëtim Shmili ka pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin 1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator 1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”.

Shpëtim Shmili u nda nga jeta në datë 17 shtator 1994 pas një goditje cerebrale. Ishte në moshën 53 vjeçare duke qenë gjithashtu në kulmin e prodhimtarisë artistike. Dhe pati një karrierë 30 vjeçare në skenë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *