6 Tetor, 2024

Shkrimtari i njohur revoltohet me filmin “Gjeneral Gramafoni”: Turp, është vepër komuniste, jo film ikonë

 Shkrimtari i njohur revoltohet me filmin “Gjeneral Gramafoni”: Turp, është vepër komuniste, jo film ikonë

Nga Ardian Vehbiu, Shkrimtar

Këto ditë iu dha publikut – dhe kulturës shqipe – versioni digjitalisht i restauruar i filmit të Kinostudios Shqipëria e Re “Gjeneral Gramafoni” (1978), me regji nga Viktor Gjika, skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë të përpunuar nga Aleksandër Peçi, ku edhe luajnë një numër aktorësh nga më të njohurit e kohës. Restaurimin e kreu, mjeshtërisht, studioja e qendrës DABIMUS srl nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti, në kontekstin e bashkëpunimit mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë”.

U fol haptazi dhe fort, me këtë rast, për vlerat njëlloj të ripërtërira të kësaj vepre – duke e quajtur “film kult”, “film shumë të dashur për shqiptarët”, “film ikonë”, “film legjendar”, e të tjera si këto. Vetë kryeministri Rama e përshëndeti restaurimin dhe filmin vetë, duke theksuar – me një postim në Facebook – se tani që është digjitalizuar dhe “rinuar” në imazh, ky film do të jetë dhuratë për të gjithë brezat.

Dashur pa dashur, kthimi në vëmendje i një produkti të Realizmit Socialist, si “Gjeneral Gramafoni”, vjen me një problematikë që është po aq pjesë e pritjes së filmit nga publiku i sotëm, sa edhe entuziazmi për realizimin teknik të restaurimit. Dhe pikërisht: çfarë statusi ka sot ky film, si pjesë e historisë së kinemasë shqip dhe brenda kulturës shqipe?

Dy periudha i bashkëlidhen filmit: ajo e Shqipërisë së viteve 1930, që i përket historisë së rrëfyer (diegjezës); dhe ajo e Shqipërisë së viteve 1970, kur u krijua kjo vepër dhe iu dha publikut, nga një institucion i propagandës dhe indoktrinimit totalitar, siç ishte Kinostudioja “Shqipëria e Re”. Nga raporti mes këtyre dy periudhave (ose “datave” nëse duam), varet edhe statusi i filmit dhe pritja që do t’i bëhet sot nga publiku dhe nga kritika.

Kam shkruar gjetiu, për këtë konflikt datash, te FILMA NË DY KOHË, në Peizazhet, për të argumentuar se, me kalimin e viteve, “Gjeneral Gramafoni” gjithnjë e më tepër vjen dhe identifikohet me frymën e shoqërisë dhe të kulturës në Shqipërinë e viteve 1970, duke qenë njëherazi ilustrim dhe mishërim i politikave kulturore të regjimit totalitar të kohës.

Mbetet për t’u sqaruar marrëdhënia mes këtij interpretimi “historik” të filmit, me leximin që atij ia bën sot një publik që nuk e njeh kontekstin social dhe politik të kohës kur ky u krijua – dhe që e kujton këtë për një tablo përshkruese të jetës në Shqipërinë e viteve 1930 (“jetës siç ka qenë”); duke e shpërfillur komponentin didaktik, propagandistik, indoktrinues të historisë që rrëfehet atje. Sa legjitim është ky interpretim i dytë?

Si produkt i kohës së vet, “Gjeneral Gramafoni” u krijua edhe me misionin për të përçuar një politikë kulturore të caktuar – mision që atëbotë ishte pjesë e të ashtuquajturit “mesazh” të veprës. Mirëpo publiku i sotëm nuk është më ai i Shqipërisë së viteve 1970, të traumatizuar nga terrori politik dhe policor i regjimit të Hoxhës, kundër njerëzve të kulturës, dhe pastaj institucioneve dhe strukturave në ushtri dhe në ekonomi. Një njëzetvjeçar, kur shikon në ekran “konfliktin” mes muzikës popullore shqiptare dhe muzikës së lehtë italiane, sot nuk ka arsye të mendojë për Sanremon dhe ata që u përndoqën, madje u internuan dhe u burgosën, pse “dëgjonin muzikë të huaj”, në vitet 1970; dhe i njëjti njëzetvjeçar, kur ndjek në ekran dramën e varjes së dy kryengritësve kundër regjimit të Zogut, nuk ka arsye të mendojë për valën e varjeve dhe të pushkatimeve, si pjesë e terrorit politik të po atyre viteve.

Pyetja ime është kjo – meqë “Gjeneral Gramafoni” është film i bërë mjeshtërisht (edhe pse për mua jo kryevepra si po e përshëndesin) dhe teknikisht i realizuar bukur, a mund të shijohet si art në vetvete, përtej marrëdhënieve që ka pasur, në zanafillë, me politikat dhe përndjekjet kulturore të Enver Hoxhës? A mund të shpëtohet, një vepër arti e Realizmit Socialist, për shkak të artit me të cilin është realizuar? Politika kulturore institucionale po e konsideron këtë si të mundshme, madje e ka shpallur këtë haptazi, duke e quajtur filmin “kult” a “ikonë”, dhe duke luajtur sërish me impaktin emocional që mund të ketë, në publik, muzika popullore shqiptare e përcjellë në film (jo si kolonë zanore, por si pjesë e rrëfimit, e diegjezës), si personazh mbi personazhet.

Për fat të keq, sot edhe thjesht ta bësh këtë pyetje, rrezikon të stereotipizohesh si palë në një luftë politike, që vazhdon prej vitesh, e shpalosur në debatet rreth qëndrimit ndaj trashëgimisë kulturore të regjimit të Enver Hoxhës; paçka se ky stereotipizim nuk ndihmon, në formulimin e ndonjë përgjigjeje për të qenë. Në kontekste të tjera, është thënë se veprat e mëdha janë të tilla që, me vetë artin e tyre, arrijnë t’i kapërcejnë kufizimet e kohës dhe të imponohen përtej politikës – për shembull, romanet e Ismail Kadaresë. Edhe pse “Gjeneral Gramafoni” mua më duket tepër skematik, për t’u quajtur vepër e madhe, dhe tepër didaktik, për t’u shkëputur nga misioni indoktrinues që duhej të kishin produktet e Kinostudios Shqipëria e Re në ato vite, sërish jam gati të pranoj, për hir të debatit, vlerat e larta artistike të filmit. Sërish për të pyetur: a mjaftojnë për ta shpëtuar, dhe aq më tepër, për ta rehabilituar?

Më vjen ndërmend një debat që u pat zhvilluar, në fillimvitet 1990, rreth një poeme për Stalinin, “Odes” (lexojeni këtu), që pat shkruar Mandelstam-i në 1937, por pa arritur ta botojë sa ishte gjallë. Edhe për këtë “Ode” kam shkruar më hollësisht te NJË EPIGRAM PASTAJ NJË ODE, në “Peizazhe të fjalës”. Këtu po kujtoj vetëm se Mandelstam-i e kish paguar shtrenjtë, tashmë, një Epigram ku përqeshte Stalinin, dhe kish shpëtuar nga syrgjyni vetëm falë ndërhyrjeve të miqve të tij të shumtë; “Odja” ishte një përpjekje e tij, disi patetike, për treguar se ish penduar. “Sëmundje”, e quan e shoqja e tij, Nadezhda, që edhe e nxori vjershën nga harresa dekada më pas, për hir të plotësisë historike; ndërsa Czeslaw Miloszi, që përndryshe e adhuronte kolegun e vet, e pat komentuar Oden kështu: “një shembull i neveritshëm bizantinizmi, ku komplimentet e tepruara nuk njohin as turp as masë”.

Por për Josip Brodsky-n Odja është “poema më e madhe që ka shkruar ndonjëherë Mandelstami”, madje “një nga ngjarjet më domethënëse në krejt letërsinë ruse të shekullit të 20-të…”; “edhe ode, edhe satirë… jo satirë e një odeje, por një ode e çuar aq në ekstrem, sa të bëhet satirë”… “nga kombinimi i këtyre dy aspiratave të kundërta del një cilësi tërësisht e re… një vepër arti fantastike… kubiste, gati si një poster… me këndvështrime fantastike, vazhdimisht ndryshuese.” Për Brodsky-n poema shquhet për teknikën e saj inovative, çfarë i jep deri edhe fuqi “profetike”, dhe kjo teknikë “profetike”, që lidhet me artin e përshkrimit të asaj çfarë ndien poeti, ka më shumë rëndësi, në thelb, se subjekti (lënda) e poemës. Edhe një poemë që i kushtohet Stalinit, që ndërtohet mbi një përmbajtje aq të pashelbueshme si Stalini, sërish mund të shelbohet falë teknikës mjeshtërore me të cilën është realizuar.

Ky është pak a shumë argumenti i Brodsky-t, në vija të trasha, dhe që mund të merret në vështrim edhe për vlerësimin e veprave të tjera të ngjashme – për shembull, a mund ta quajmë dhe ta adhurojmë si kryevepër një bust të Enver Hoxhës, ngaqë ky është realizuar me teknikë të përsosur, qoftë edhe “profetike”? Pyetja madje mund të çohet edhe më tej: a mund ta shpëtojë teknika e realizimit (forma) një vepër arti me subjekt tashmë të komprometuar, madje pa u shtyrë fare deri te motivet që e patën sjellë në botë dhe ekonominë e saj politike? E shtruar në këtë mënyrë, pyetja merr relevancë edhe në kontekstin tonë, të vlerësimit të një filmi si “Gjeneral Gramafoni”: a mjafton, për ta neutralizuar veprën ideologjikisht, arti me të cilin ajo është realizuar?

E kundërta mund të pyetet gjithashtu: a nuk kanë qenë vallë më të efektshme, si vegla të propagandës totalitare, ato që kanë qenë edhe artistikisht më të realizuarat, falë impaktit më të thellë që kanë pasur te publiku? A mund të supozojmë se “Gjeneral Gramafoni” e ka përçuar, në vitet 1970, ideologjinë ksenofobike të Plenumit IV më mirë se një fletë-rrufe e çfarëdoshme kundër një të riu që dëgjonte muzikë të huaj?

Unë që i shkruaj këto radhë, nuk jam i paanshëm ndaj temës – vitet 1970 i kam jetuar dhe përjetuar, dhe nuk e harroj dot terrorin ndaj kulturës liberale dhe “shfaqjeve të huaja”, që u shoqërua me mbylljen e kulturës në Shqipëri ndaj prurjeve nga bota. E pata refuzuar atëherë një film si “Gjeneral Gramafoni”, gjithë duke kuptuar se edhe muzika popullore personazh i filmit ishte rekrutuar në shërbim të indoktrinimit – dhe ashtu mendoj edhe sot. Sado mjeshtëror, restaurimi digjital i tanishëm nuk arrin të më bindë se ajo vepër mund të ndahet nga konteksti i vet i zanafillës dhe t’i jepet publikut të sotëm si kryevepër. Vetëm se ky është pozicioni im personal, që i bashkëlidhet subjektivisht kontekstit historik të filmit; dhe që nuk mjafton, për të sqaruar nëse përsosmëria teknike dhe formale-artistike mund ta rehabilitojnë një vepër arti. Që këtej, edhe sa kam shkruar më lart do të kish më shumë vlerë brenda një debati – por nëse ky debat do të ndodhë, kjo nuk varet prej meje.(Peizazhe.com)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *