6 Dhjetor, 2024

Serafin Fanko, ky margaritar i skenës shqiptare: Kjo punë më fali dashurinë dhe respektin e shumë njerëzve

 Serafin Fanko, ky margaritar i skenës shqiptare: Kjo punë më fali dashurinë dhe respektin e shumë njerëzve

Regjisori, aktori, dramaturgu dhe skenografi i thjeshtë, që mbetet i pashlyer në mendjen e artdashësve. Një kult i njeriut dhe artistit të përulur, gjithmonë në shërbim të publikut dhe artit

Nga Albert Zholi

Simpatik, elegant, i qeshur, i thjeshtë, ambicioz racional, me një vështrim zhbirues dhe krenar… Kështu ka mbetur në mendjet dhe zemrat e artdashësve shqiptarë edhe mes miqve të shumtë, Serafin Fanko. Me rolet, regjitë specifike, dramat shqipe, ai mbetet një ndër aktorët më të spikatur të historisë së aktrimit shqiptar, që koha nuk do t’ia zëvendësojë atë çka ka gdhendur në mozaikun e artë të filmit dhe dramës shqiptare. Zëri i tij i veçantë kishte një nuancë kumbuese të metaltë, që të tërhiqte vëmendjen kudo që e dëgjoje. Ndoshta ishte ky zë që përgjasonte me atë të Aleksandër Moisiut, që e bënte figurën e Serafin Fankos tepër interesant. Jo vetëm zëri, por edhe emri, të ngeleshin në kujtesë kur largoheshe nga ai. Një emër i rrallë, i veçantë, që të ngjason me emër perandori, apo njerëzish aristokratë. Dhe në të vërtetë, Serafini ashtu ishte, aristokrat në skenë dhe në jetë. Loja e tij aktoreske ka qenë një shembull i veçantë për studentët e dramaturgjisë, ndërkohë që Fanku përbënte një model të veçantë edhe në gjetjet e tij regjisoriale. Ndërsa vitet e fundit spikati si regjisor dramash, Fanku solli risi dhe pse hasi në murin e fortë të kundërshtisë nga shumë miq të tij.

Origjina

Edhe pse ka lindur në Shkodër dhe aty u rrit e organizoi gjithë jetën e tij artistike, Serafini, babain e ka pasur me origjinë nga qyteti i Përmetit; kurse origjinën e nënës nga Manastiri i Maqedonisë. Madje, sipas tij, ata të dy ishin puro shqiptarë dhe nëna e tij e shprehte gjithmonë plot dinjitet se ishte nga qyteti, ku është bërë edhe “Kongresi i Manastirit”. Prindërit e tij kanë qenë intelektualë dhe janë njohur në kohën kur babai studionte në “Akademinë Franceze” si ushtarak, ndërsa nëna studionte në Rumani për ekonomi dhe rastësisht  janë takuar në Korfuz tek vendi i shenjtë i “Shën Spiridionit”. Pas asaj njohje, lidhja u forcua dhe vazhdoi në Shkodër, duke u lidhur përjetësisht bashkë. Në Përmet, fisi i tij është tepër i madh dhe i zgjeruar, madje nga ai fis thekson Fanko në një intervistë: “ka në të gjithë botën, si Argjentinë, SHBA, Meksikë, Zvicër, Turqi e Egjipt”. Për fisin e tij dhe të familjes, ekziston libri i “Buhaliotëve”, ku sqarohet prejardhja e gjyshes e katragjyshes,  ku mbiemri “Fanko”, vjen nga gjyshi, i cili është quajtur Stefan dhe shkurtimisht “Fanko”. Pikërisht, këtë shkurtim të emrit të gjyshit, babai i Frankos e mori për mbiemër, pasi sipas historisë mbiemri ka qenë “Adhami”. Sipas tij, gjyshi i tij, Stefani, ka qenë dy herë kryetar bashkie, kurse babai është shkolluar në Padova të Italisë në vitin1927 deri në vitin 1930.

Fëmijëria dhe shkollimi

Serafin Fanko lindi në Shkodër në 24 maj 1937. Lindi në muajin e luleve, në kulmin e stinës së pranverës dhe ky muaj i fali çdo gjë me zemërgjerësi atë çka i duhej një artisti: pamjen, zërin, fisnikërinë, intuitën, qetësinë, shpërthimin. Shkodra e artit i hapi dyert e saj për të zhbiruar në histori, për të nxjerrë në pah  ato vlera që koha i kishte mbuluar me tisin e harresës. Lindi në kohën kur filmi ishte në hapat e para të shfaqjes në Shqipëri dhe ku drama ende nuk po gjente kohën dhe vendin për të shpalosur vlerat e krijuesve e të artistëve shqiptarë. Shkodra në çdo kohë ka prodhuar art dhe arti në Shkodër kishte djepin e saj të veçantë. Historia e ka mbushur qytetin e liqenit dhe të lumit Buna me histori arti nga më befasueset pasi prej tij kanë dalë artistë, që i kanë dhënë emër jo vetëm Shkodrës por gjithë kombit shqiptar dhe më gjerë. Pra, terreni i Serafinit ishte i përgatitur vetë nga qyteti ku ai lindi, nga familja aristokrate dhe i duhej vetëm pak talent që të hynte në rrugën plot mistere të aktrimit. Serafini fillimet artistike i nisi në Shtëpinë e Pionierit në Shkodër. Profesor ka pasur artistin e madh Ndrek Prela, për të cilin ai shprehej me superlativa. Në fillimet e tij ka qenë dhe në grupin e valles, në Ansamblin e Ushtrisë, ka bërë edhe tre vite piano në Liceun Artistik dhe pastaj ka fituar bursën e UNESKO-S në Pragë. Qyteti i bukurisë natyrore dhe intelektuale, i zgjoi atij të gjitha ndjesitë për të dashuruar me forcë rrugën e bukur të artit. Aty u njoh me “Sheshin e vjetër” të qyteti që ndodhet në zemër të Pragës, i cili të magjeps me atmosferën unike. Sheshi i vjetër i qyteti, është vendi ku shumë njerëz mblidhen në raste evenimentesh të veçanta dhe spektakle marramendëse arti. U njoh me kishën “Shën Nikolla”, katedralen “Yun” dhe shtëpitë shumëngjyrëshe të stileve të ndryshme. U njoh me “Orën Astronomike” të qytetit të vjetër. Kjo orë është krijuar rreth 600 vjet më parë dhe u ofron vizitorëve një pamje interesante. U njoh me kulturën, e këtij vendi me histori.

Në këto ambiente u shkollua  dhe formoi personalitetin e tij Serafin Fanko. Ai ndoqi Akademinë e Arteve për tre vite rresht për regji filmi. U kthye pa mbaruar studimet e plota, pasi lindën kontradiktat brenda kampit socialit dhe më vonë ka vazhduar Akademinë e Arteve për aktrim në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve, atë e caktuan në teatrin “Migjeni” si aktor. Por djaloshi me ambicje kërkonte më shumë se kaq. Tashmë ishte në rrugën e duhur por duhej ende formim më i plotë, më i veçantë. Kështu, ai kërkoi sërish të studionte dhe pas tre vitesh u specializua për regjisor dhe si pedagog. Në atë shkollë ka pasur shumë shokë studentë që sot janë aktorë të mëdhenj si, Mirush Kabashi, etj. Ja si shprehet Fanko në një intervistë e botuar tek “Aktorët Shqiptarë”: “Në rini kur isha “i çakërdisur”, kam marrë pjesë në grup vallesh dhe në piano. Kam marrë pjesë në kursin e pikturës që bënte një ruse, së cilës ja kam harruar emrin. Këto më kanë ndihmuar shumë dhe për një regjisor ka shumë vlera lëvizja pa fjalë, muzika dhe piktura”. Madje në auditorët e Akademisë së Arteve Fanko ka vënë në skenë një dramë të tij ku ka qenë bashkëregjisor me Kujtim Spahivoglin e madh. Ai e ka përmendur disa herë këtë personalitet të regjizurës shqiptare duke e vlerësuar dhe si pedagog të shkëlqyer. Këtu merr përmasa të rralla njerëzore dhe intelektuale figura e Serafinit, pasi ai është mirënjohës dhe nuk ka droje të vlerësojë ata që kanë vlera. Sipas Frankos, Spahivogli ka qenë një ndër pedagogët e tij më të mirë. Vepra e parë e vënë në skenë nga regjisori Fanku është opereta “Me ne është gëzimi”, në vitin 1984.

Bashkëpunimet

Kur ishte në Institut ka bashkëpunuar me Teatrin e Operas dhe Akademinë e Arteve, por “Artisti i Popullit” Serafin Fanko veprimtarinë kryesore e ka pasur në Shkodër. Më pas, Fanko ka bashkëpunuar me teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe atë “Bylis” në Fier. Në vitet e pluralizmit politik ai ka krijuar së bashku me Fadil Krajën, teatrin “Sofra” në Strugë, si edhe në teatrin e “Kombësive” në Shkup. Njëkohësisht, bashkëpunimet e tij u shtrinë në gjithë gjeografinë e Ballkanit. Ishte gjithnjë në kërkim. Arti kërkon njohje të reja, arti nuk ka kufizime. Në vitet e fundit bashkëpunoi me teatrin Turk, atë “Popullor” të Gjakovës dhe “Teatrin Kombëtar” të Malit të Zi, ku ka pasur një kënaqësi të veçantë, sepse atje janë vënë dy drama të tij, “Quo Vadis”duke marrë dhe çmime republikane po në Mal të Zi. Në gjithë veprimtarinë e tij të bollshme dhe tepër cilësore Serafin Fanko ka rreth 150 shfaqje si regji ku ka vënë në skenë dramat e realizuara prej tij por edhe më gjerë. Fanko numëron rreth 125 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Ai është dalluar në karrierën e tij artistike, si një aktor karakteri dhe tepër potent në mënyrën e të aktruarit, pa sforcime dhe me një etikë profesionale të admirueshme.

Regjisor, aktor, dramaturg, skenograf

Katër profesione, por afërsisht brenda një gjinie arti, të cilat i kanë dhënë kënaqësinë më të madhe. Ai nuk i ndante, e kishte tepër të vështirë t’i ndante, por kënaqësinë më të madhe ia dhënë mundësia dhe fati që pati duke punuar me një kolektiv të mrekullueshëm aktorësh, të cilët nuk mundi t’i harronte kurrë, pasi Serafin Fanko, mbetet jo vetëm një nga ikonat e Teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, por edhe një ikonë e artit skenik shqiptar në të katër këto dimensione. Ai gjatë jetës së tij spikati në aktrim, regji, dramaturgji si dhe në të gjitha komponentët që ndërtojnë një dramë. Serafin Fanko, ishte një shkronjës pikant, selektiv, korrekt i dramës kombëtare, që e dallon nga shumë dramaturgë bashkëkombas. Ndërsa në të gjithë karrierën e tij artistike u dallua për një elegancë dhe fuqi interpretative specifike, ku dritëhijet e ndryshimit të plastikës në role, e sillnin në sytë e spektatorit të gjallë me rolin, me detaje qe e bënin interpretimin e tij të besueshëm por edhe koherent. Në një bisedë me “Aktorët shqiptarë”, ai shprehet: Unë në teatër sillja një çikë shijet e regjisorit të filmit. Për këtë shpesh pyesja: “A bahet kjo gja apo jo”, dhe Zef Cungeli një mjeshtër i madh i teatrit “Migjeni” më thotë: “Mos thuaj a bahet, por thuaj e du dhe do të bahet”. Kënaqësi të madhe kam pasur pasi rezultatet kanë qenë të mira. Teatri “Migjeni” vazhdimisht ka marrë çmime. Jo vetëm si teatër, por dhe unë si regjisor me dramat e mia dhe regjizurën time. Ju thashë se në rini kur isha i “çakërdisur”, kam marrë pjesë në grup vallesh dhe në piano. Kam marrë pjesë në kursin e pikturës që bënte një ruse, së cilës ja kam harruar emrin. Këto më kanë ndihmuar shumë dhe për një regjisor ka shumë vlera lëvizja pa fjalë, muzika dhe piktura.

“Fije që priten”, shkëlqimi në rolin e Klarkut

Ishte koha e mbylljes së madhe, koha e mugëtirës dhe e ndrydhjes artistike, por sërish aktorët tanë gjenin mundësi dhe hapësira ndërmjetëse për të përcjellë në ekran forcën e tyre të madhe aktoriale. Filmi “Fije që priten” edhe pse me një rol karakteri, Fanko përcolli tek shikuesi fuqinë e tij të madhe interpretuese. Një “agjent” i huaj Sami Ameni, zbret në aeroportin e Rinasit dhe menjëherë nis kërkimet për të aktivizuar një agjent tjetër, Markon, me të cilin ka bashkëpunuar pranë gjermanëve gjatë luftës. Plani i tyre është hedhja në erë e një uzinë të madhe. Për këtë u duhet të marrin të dhëna nga Besa, e cila ka humbur disa dokumente dhe ndjehet e kërcënuar. Por plani i tyre dështon. Serafin Fanko, z. Klark, përcjell një figurë reale, plot finesë dhe qetësi. Njeh sadopak sistemin në Shqipëri, e befason ambienti, por ruan rregullat e vizitës për të cilën kishte ardhur. Një pamje fisnike, veshje e bukur elegante, një bashkëbisedim brenda rregullave të një njeriu të ditur. Klark ishte jashtë realitetit shqiptar, larg asaj që zhvillohej në Shqipëri në të ashtuquajturën luftë klasash brenda vendit dhe lufta e jashtme për të përmbysur sistemin komunist. Plastika, dialogu, vështrimi, reagimi, komunikimi, lëvizjet, e bënë rolin e Klarkut një ndër më të bukurit e këtij filmi që për kohën solli një interpretim ndryshe, për vetë figurën që përfaqësonte roli, pasi ishin të rrallë role të tillë në filmat shqiptarë. Dhe pse në një rol karakteri, Fanko u ngrit në këtë rol si të kishte një ndër rolet kryesore. Portreti i tij në këtë film vjen i plotë, plot nuanca vërtetësie dhe imazhi të një njeriu ndryshe që mund ta dallosh në çdo kohë. Ndoshta ishte intuita e regjisorit Muharrem Fejzo që i besoi këtë rol, pasi çdo rol tjetër nuk do ti përshtatej natyrës së tij plot virtuozitet. Me këtë besim, Fejzo tregoi se di të zhbirojë dhe të ofrojë aktorë, që i përshtaten rolit dhe roli bëhet pronë e aktorit. Si për kuriozitet, Franko për këtë film shprehej: “Në Tiranë më thërrisnin: “O Klark”, sepse kisha dhe flokët e gjatë në kohën kur dilnin grupet e rinisë që t’i prisnin flokët të rinjve që mbanin flokë të gjatë. Por unë isha në rol…”.

Regjisori Muharrem Fejzo mbi rolin e Klarkut:

“Serafini, aktori, regjisori, kumtuesi inteligjent, bashkëbiseduesi me një edukatë të përkryer, fin në çdo marrëdhënie, i respektueshëm si ai, e njoha kur e kisha student në Institutin e  Lartë  të Arteve. Duke patur një intuitë aktoreske të përkryer dhe një psikofizik elegant i besova rolin e kolonel Eliotit te filmi “Gunat mbi tela.”. Rol që la mbresa te shikuesi. Më duhet të ndalem te filmi “Fijet që priten” në rolin e turistit. Në thëniet e tij mbi arritjen e roleve, ai përmend me emocion atë tek “Fijet që priten”. Ruaj për të vlerësimet më mbresëlënëse për aktorin brilant dhe shumë njerëzor. Afi i dashur, të dua fort dhe pse nuk të kam më…”.

Si shprehet Serafin Fanko tek “Aktorët shqiptarë” për filmin?

“Kinematografia është një ëndërr për të gjithë aktorët. Por të them të drejtën, duke mos pasur asnjë gram modesti, kurrë nuk më ka pëlqyer vetja në film. Unë nuk kam parë asnjë film timin në ekran, madje edhe kur është dhënë premiera “Unë kam frikë me ardhë në televizion” dhe gjithmonë u thoja të tjerëve të dilnin nga dhoma sepse doja ta shihja interpretimin tim vetëm. Kjo, pasi më vinte zor, pavarësisht se kjo punë më ka dhënë emër dhe ka bërë që të kem dashurinë e respektin e shumë njerëzve, të cilët përherë më janë afruar duke më thirrur me emrat e personazheve që luaja.. Mund të shtoj se me punën e regjisorit dhe komunikimin që kemi ne, nuk mund të bëhesh kurrë i njohur. Duhet të jesh regjisor i Teatrit Kombëtar në Tiranë, sepse publikimi është më i madh”.

Kur luante tek “Emblema e Dikurshme”…

“Emblema e dikurshme” është një film i prodhuar në Shqipëri në vitin 1976 nga Ylli Pepo. Gjeologët shqiptarë zbulojnë një fontanë nafte, pikërisht në një zonë ku vite më parë gjeologët ruse kishin dështuar. Zbulimi arrihet nga inxhinier Bardhyli i ndihmuar nga mësuesja, të cilët hetojnë në të kaluarën e fshatit dhe deshifrojnë emblemën e një pllakati të lashtë mural në kishën e fshatit. Aktorët kryesorë ishin Serafin Fanko, Raimonda Bulku, Pushkin Lubonja, Robert Ndrenika, Tinka Kurti. Regjisori i filmit dhe drejtori, i propozuan rolin e të “fejuarit”, ku ai do të luante me Rajmonda Bulkun. Ajo ishte një vajzë bukuroshe 19-vjeçe në kulmin e rinisë, ndërsa Serafini plot 40 vjeç. U befasua nga kërkesa e Pepos. E shihte diçka të paarrirë pragun e moshës dhe diferencën. Donte të ishte realist, korrekt me veten. Dëshira është tjetër gjë, realiteti tjetër. Diferenca ndoshta bëhej e pabesueshme tek spektatori. Një kërkesë, dy këmbëngulje të ndryshme. Pepo për rolin e të fejuarit, Fanko qe e kundërshtonte. Ja si shprehet ai tek “Aktorët Shqiptarë” për këtë dialog me regjisorin Ylli Pepo:“Jo, nuk shkoj unë me atë, sepse nuk dua të djeg veten. Roli është i bukur, materiali është i Kadaresë, por nuk mund ta pranoj”. Pasi morën këtë përgjigje ata ikën. Më vonë erdhën regjisori dhe drejtori, e me thanë se do të bëja një kinoprovë për rolin e hetuesit dhe vendosa të shkoj. Mbas provës së hetuesit erdhën sërish, por kësaj herë për të më thënë se kisha fituar rolin e parë, pra për të fejuarin. Gjatë të gjithë kohës e kisha mendjen se si do të paraqitesha para Rajmondës, sidomos në atë kohë”. Filmi u realizua. Suksesi ishte i dukshëm, psikofizika e tij, mjeshtëria në interpretim, lirshmëria në dialog dhe lëvizjet plot finesë, plastika befasuese sipas situatës, interpretimi elegant, vështrimi intuitiv në përcjelljen e mesazhit bënë që ky film të jetë ndër më të bukurit në jetën kinematografike të Fankos.

RISI

Kishte shumë ambicie dhe fantazi. Kohën e pushimit vetëm meditonte për të sjellë diçka të re, diçka ndryshe si regjisor. Tashmë e kishte vendosur përfundimisht, rruga e tij do vazhdonte si regjisor. Po kush ishte e veçanta, risia, ajo që do sillte një këndvështrim ndryshe të një vepre? Vendosi të eksperimentonte, ose më mirë të guxonte. Guxim i bazuar mbi dijen, përvojën, intuitën, kërkesat ndaj vetes. Kjo shfaqje që eksperimentoi nuk ishte teatri i recitimit, por ishte teatri ku merret një autor dhe zbërthehet ky autor. Një nismë e re. Një vizion i ri pa eksperiencë në Shqipëri. Ka qenë dëshira e tij e brendshme që autori të zbërthehet me vlerat e tij në një teatër poezie. Përse mori Migjenin? Ja si shprehet ai në një intervistë për “Aktorët Shqiptarë”: “Unë mora “Migjenin”dhe “Poemën e Mjerimit” duke e zbërthyer të gjithë materialin, ku secili prej aktorëve luante nga 10 role dhe ishte edhe spektator, por edhe protagonist i një roli të caktuar. Në atë kohë, u bë shumë zhurmë duke thënë çfarë është ky teatër. U quajt pa mjete, pa rekuizitë e pak si modernist. U diskutua jashtë mase dhe pati kundërshtarë të shumtë, por kishte edhe mbrojtës, siç ka qenë aktorja Tinka Kurti. Ajo tha se i vinte keq që nuk kishte pasur pjesë. Kurse Jonuz Dini në atë kohë aktor i “Migjenit”, ka qenë kundërshtar i kundërshtarëve të shfaqjes. Megjithatë për këtë shfaqje folën mirë dhe pati jehonë edhe në personalitete të teatrit të Ballkanit sidomos në Bullgari dhe Rumani, të cilët më kanë ardhur edhe në shtëpi. Ata thanë se duhet të ketë ecuri ky lloj teatri. Mbasi u lejua ky lloj teatri, unë vura në skenë “Hetimin” e Peter Vajsit dhe u zgjeruan shfaqjet, por megjithatë mbeti me kaq. Tani e shoh se ka frymë prapë, sidomos me Merita Smajën këtu në Shkodër. Unë jam mirënjohës, jo pse po ndjekin rrugën time, por se më kënaqin shijet e mia”.

PËRJETËSIA

Serafin Fanko, “Artist i Popullit”, ndërroi jetë më 29 shtator  2007 në Tiranë, në moshën 70-vjeçare. Si një njeri me dimensione sociale dhe humane tepër të kristalizuara, si një njohës shumë i mirë i dramës shqipe, Fanko mbetet si model i regjisë në dramat “Hetimi” në fund të viteve ’80-të, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, një dramatizim i tij, Makbethi”,  “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Ç’murrosja”, “Quo Vadis”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Rozafa”, “Pse”, “Çifti i Lumtur”,  një pjesë e mrekullueshme e realizuar me art nga aktorët e mirënjohur Tinka Kurti dhe Ndrek Luca. Adonis Filipi, regjisor, është shpreh se, “Fanko ishte një regjisor me vokacion dhe regjisor tipik i frymës poetike”. Serafin Fanko, ishte i integruar prej vitesh në një hapësirë të gjerë mbarëkombëtare me veprën e tij shumëdimensionale. I dalluar për një modesti të skajshme, Serafin Fanko është shprehur disa herë se suksesi i tij qëndronte në bashkëpunimin e qëndrueshëm të tij me njerëz të skenës dhe të artit. Ai e shprehte pa hezitim se ka punuar me mjeshtra të mëdhenj të dramaturgjisë dhe në Teatrin “Migjeni” është mbështetur në aktorë të njohur si Tinka Kurti dhe Ndrek Prela, Prel Lëkunda, Adem Kastrati, Bep Shiroka, apo në bashkëpunimit me artistë, dramaturgë, regjisorë dhe piktorë, si Fadil Kraja dhe Agim Zajmi. Me ndarjen e tij nga jeta, aktrimi dramaturgjia dhe regjia shqiptare, humbën një intelektual të devotshëm, një njeri të rrallë, një patriot koherent dhe mbi të gjitha një njeri të formuar dhe tërësisht të kompletuar, që diti të përvetësojë dhe të vejë në skenë të gjitha gjinitë e realizimit skenik të një drame apo komedia. Figura të tilla komplekse janë të rralla, sepse vizioni jetësor i tyre i shtyn drejt kërkesave të mëdha që mund ti çojnë në fund njerëz me ideale të mëdha dhe të “fortifikuar” intelektualisht, ku bërthama e vërtetë e njerëzve të tillë mund të shërbejë si diamant udhërrëfyes për brezat e rinj të artit. Një shëmbëlltyrë e tillë mbetet i thjeshti, i dituri, punë madhi dhe fjalëpaku Serafin Fanko.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *