Rrëfimi i Mimika Lucës: Si u marrosa pas Ndrekës, edhe pse ishte 10 vjet më i madh dhe të gjithë ishin kundër
Nga Ani Jaupaj
Sikur Mimica Luca të mos kishte vendosur të fliste pas kaq shumë vitesh shkëputje nga teatri e jeta publike, pakkush do ta dinte që dashuria e saj me aktorin Ndrek Luca ka nisur në pishinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ishte balerinë, 16 vjeç, kur u marros pas aktorit 10 vite më të madh në moshë. Nuk donte të dinte për asgjë, as për vitet e saj, as për fjalët e të tjerëve, e donte dhe pikë! Ai o i ka ndierë sytë e saj mbi vete, o i ka hedhur vetë i pari sa herë shihte shfaqjet e Filarmonisë, që nuk i vonoi lëvizjet e para… Dikur një këshillë, dikur një pyetje…
Aq u desh, që aty, në ujin e ftohtë të Selitës që mbushte pishinën, të ndizej gjaku. Një burrë pasionant si Ndrek Luca, dinte si t’ia bënte jetën të bukur një vajze të re. Dy vitet e para të dashurisë do kalonin nëpër qoshet e dhomave, hijet e errëta të skenës, pas perdeve o nëpër shkallë…derisa u martuan, kur Mimika Luca sapo kishte nisur shkollën për aktrim në Institutin e Arteve, pa dëshirën e të shoqit. U bënë shpejt me vajzë, por kjo nuk qe arsye për të mos vijuar studimet… Për herë të parë, ‘shoqja Lajde’, e ngacmuar edhe nga ngjarjet e fundit të Teatrit Kombëtar, vendos të tregojë copëza të jetës së saj në teatër e kinematografi.
Disa prej kujtimeve i kanë zënë vitet, por jo aq sa për mos të kuptuar se Mimika ka jetuar në një kohë tjetër, që s’ngjan fare me teatrin e 40 viteve të fundit. Në këtë pjesë të parë të intervistës, do të njihemi me atë çfarë ka ndodhur në vendin më të lakmuar të Tiranës, së viteve ’60-’70-të. Atje ku njerëzit merrnin rrugën enkas me shpresën se do kishin fatin të shihnin aktorin që kishin parë mbrëmë në skenë, Ndrek Lucën. Në fakt, emrat e vërtetë nuk kishin asfare rëndësi sepse të gjithë i njihnin e u drejtoheshin me emrat e personazheve të tyre, ç’ka është e pamundur të ndodhë më sot!
Ju e keni nisur karrierën artistike me baletin, çfarë ndodhi që rrugës u bëtë aktore?
Baletin e kam nisur krejt rastësisht, në moshë shumë të vogël. Dilja nga Pallati i Pionierëve ku isha futur për balet dhe siç duket, rrugës, do kem bërë ndonjë spërkatë, duke luajtur e duke u hallakatur nëpër rrugë, ndërsa kthehesha në shtëpi. Ishte viti 1951, isha 13 vjeç, kur dëgjoj një zë që vinte nga trotuari i bashkisë. “Ej, ti goce me fustan me dantella”. Ishte një fustan i bërë nga mamaja ime me një çarçaf të vjetër, që kishte pasur në pajë. Ishte balerina, Mellani Tërci, kryebalerina e dy baleteve që u vunë për herë të parë në Filarmoni.
Ishte bashkë me një zotëri, baletmaestër, sovjetik. Ai më përkëdheli dhe më pyetën të dy nëse kisha dëshirë të bëja një provë, në Filarmoni, për balet. Do shkoja patjetër! Të nesërmen, pa i thënë gjë fare mamasë, krejt vetëm, shkoj në prova. Përshtypjet e ditës së parë janë të pashlyeshme. Muzikë klasike që buçiste në skenë, më poshtë salla e këngëtarët popullorë. Ka qenë Luçie Miloti atëherë. Bëra lëvizjet e domosdoshme, me lehtësi, por pa përvojën e mëvonshme. Ai nuk deshi shumë, hoqi dorën nga balli dhe më tha: ‘nesër do marrësh leje përsëri në shkollë dhe ti fillon punën’. Nuk shtoi më asgjë. Shkova në shtëpi dhe ia thashë mamasë. Ajo nuk e donte këtë gjë, nisi të qante, mirëpo unë isha kaq e dhënë pas baletit sa s’mund ta lija, e doja! Babai im më ka lënë 8- muajshe dhe vetëm njëra-tjetrën kishim, prandaj as qejfin nuk mund të ma prishte.
Nisët punë menjëherë?
Menjëherë, të nesërmen! Së pari, si figurante, derisa arrita të mësoja disa nga lëvizjet që duheshin. Qëlloi që sapo isha bërë pjesë, erdhi urdhri për një turne me këngëtarët popullorë dhe balerinët, në Moskë dhe pas saj në Berlin, për tre muaj. Kjo ishte krejt rastësi, mora pjesë në festivalin e parë të rinisë, me përfaqësues nga e gjithë bota.
Më përcolli mamaja, gjithashtu me lot, por këtë herë qaja edhe unë sepse s’ishim ndarë ndonjëherë. Vallet e tjera që duhet të dija, m’i mësuan balerinat e tjera. Nuk kërcyem në Balshoi Teatër, por pamë shfaqje e shëtitëm si asnjëherë. Bëmë disa turne në fakt, kur isha pjesë e baletit.
Ndrek e Mimika Luca
Si ndodhi që kaluat në teatër?
Unë gjithmonë e kisha pëlqyer shumë teatrin, aty kisha njohur Ndrekën, mirëpo sapo isha emëruar soliste e dytë në balet, kur ndodhi që një aktore e teatrit, Afërdita Taci, sëmuret dhe drejtoritë u morën vesh me njëratjetrën dhe kërkuan që të shkoja unë në Teatrin Popullor. Me urdhër, unë kaloj në Teatrin Popullor, në vitin ’60-të. Me një punë fillestare kolosale, ia dola. Menjëherë, një nga rolet e Afërditës, një vajzë kineze të një familje të madhe, e mësova nga Tirana, me tren, për Pogradec, si tekst.
Kur mbërritëm në Korçë, bëmë një provë dhe në darkë dola në shfaqje. Kadri Rroshi, që më trajtonte gjithmonë shumë mirë, pas shfaqjes më tha: “Ky është një shkëlqim, nga një rrugë me tren, të mësosh një rol”. Mirëpo, unë e ndjeva që ishin lavde të tepruara dhe gjithë sforcimi i shfaqjes në premierë, më krijoi ngërçe një natë më pas. Falë baletit, arrita që të trukoja pjesën kur humbisja batutën. Mos u mërzit, thoshte Kadriu, ke vetëm dy ditë që po punon me këtë… Më pas, të gjitha rolet e Afërditës i mora unë.
Përmendët njohjen me Ndrekën, na tregoni për të…
Jam njohur me Ndrekën që kur fillova të lahesha në pishinën e Teatrit Popullor. Pastaj, në atë kohë, as ne e as ata nuk linim pa parë asnjë shfaqe të njëri-tjetrit. Për mua ishte më i madhërishmi sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë se sa ke dalë nga provat…
Në oborrin e teatrit nisi dashuria juaj?
Po, në oborrin e teatrit. Së pari nisi të fliste ai, të më jepte këshilla a të më bënte pyetje ,sepse kuptohet që isha edhe tepër e vogël. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen (kishte ardhur një delegacion italian, i cili kishte thënë që pamë një Jago krejt të veçantë) dhe më flet mua! Në moshën 16- vjeçare, i kisha mbushur, unë u marrosa pas tij! Jo vetëm në skenë, por ai ishte aq i madh edhe në jetë. Vishte një pallto ushtarake që i dilnin fijet dhe mua kjo më dukej thjeshtësia më e madhërishme në botë.
Si e mësoi Ndreka marrosjen tuaj?
Si duket duhet të ishim marrosur të dy përderisa ai vinte e më fliste sa herë. Megjithëse unë isha e vogël, por dashurisë ç’mund t’i bëje! Aty, në pishinën e Teatrit, u dashuruam. Me fustanin e një shfaqjeje të Marie Logorecit, u bëra nuse nga grimieri i Teatrit. Nuk kaloi shumë kohë përpara se të martoheshim dhe po atë vit, linda vajzën.
Ndërkaq, ju nuk kishit nisur ende studimet për aktrim?
Shkollën e nisa kur u martova, megjithëse Ndreka nuk ishte dakord me zgjedhjen time, mirëpo unë isha e vendosur. Në vitin e tretë të studimeve, u emërova në Teatrit Popullor deri disa vite më pas, kur me urdhër, u largova si pedagoge në Institutin e Arteve për mjeshtri aktori. Mirëpo, në Teatër ishte Ndreka, ishte jeta ime, kështu që nuk mund të shkëputesha asnjëherë tërësisht, plus që u angazhova edhe në vijim me disa role, në kinematografi më shumë.
Ç’ndodh me një çift të martuarish, që luajnë bashkë në shfaqje?
Po ju tregoj një rast! S’kisha hyrë ende në muajin e nëntë kur më thërret drejtori i Teatrit, për të më thënë se vinte një delegacion kinez dhe se do të jepej një shfaqe e mbyllur, enkas për ta. A do mundesh të marrësh pjesë? Po, i thash menjëherë… Në po atë çast, dëgjohet një ulërimë e Ndrekës, “Çfarë, çfarë?!” ‘Ndrek, do më falësh -i thotë drejtori,- se po flas me Mimikën’! Ai duket e kuptoi që e teproi dhe u tërhoq. Ndreka ishte vëllai im në atë shfaqe. Ishte një moment që djali i shtëpisë duhet ta shtynte dhe vajza rrëzohej përtokë.
Vëllai im, Ndreka pra, sapo afrohet ai moment i rrëzimit, bëri një lëvizje rrumbullake dhe doli atje ku do bija unë. Kur unë u rrëzova, rashë mbi të. Kur mbaroi shfaqja, i thashë: ‘O Ndrek, po ti nuk e di që unë i kam mësuar truket që edhe kur të rrëzohem, mos të vritem!?” Një muaj më vonë lindi Gjergji… U bëra edhe me djalë. Po atje, në atë oborr, do isha bërë edhe gjyshe sepse edhe vajza ime lindi shpejt.
Jeni bashkë, si burrë e grua, edhe te filmi “Detyrë e posaçme”…
Po, edhe aty kemi një histori të këndshme. Ndreka vinte nga malet në atë film, pas një kohe të gjatë dhe kur të vinte në shtëpi, duhet të putheshim. Sigurisht, prandaj edhe më kishin zgjedhur mua. Duhet të më merrte në krahë e të më shpinte në dhomë të gjumit. Ai përqafimi i fillimit shoqërohej edhe me një puthje. Unë nuk e kujtoj ekzaktësisht tani, por më duket se nuk jemi puthur realisht.
Jo, nuk më ka puthur! Unë isha me një robëdishan, një nostalgjike që i erdhi burri! “Gati!”, thoshte regjisori Kristaq Dhamo. Fillonte kamera, Ndreka afrohej deri në një pikë dhe bënte një farë përshëndetje, më shumë sesa puthje. “Gabim!,-bërtiste regjisori, jeni burrë e grua”. Ndreka prapë mbështeste kokën. U përsërit tri herë kjo skenë aq sa u bë banale. “Të kisha përballë një grua tjetër, e dija unë ç’bëja, por me gruan time intimiteti është i rëndësishëm”, kaq tha Ndreka dhe nuk u zgjat më. Skena me puthje u hoq krejtësisht…
Të gjithë që e kujtojnë, tregojnë se ka qenë burrë pasionant. Aktorët e kanë më të lehtë të shprehen, a e fliste ai dashurinë apo vetëm nënkuptohej?
Ne putheshim gjithmonë! Edhe kur shkonim në punë, edhe kur ktheheshim, putheshim, kemi qenë familje puthësash! Edhe në një rast, kur ishim zënë, ai kishte ngritur zërin, ndërsa kur do largohej, unë shkova ta puth. “Po mirë moj,- më thotë mamaja,- ai sa të shau, si shkon dhe e puth?!” Unë e dija që Ndreka e kishte 5 minuta nervin e tij dhe harronte gjithçka! “O mama, kush i vë re këto!” Kur e kujtoj sot, ende më qeshet. Pas atyre minutave, isha për të më e mira… Megjithatë, në jetë, gjithsej, nja dy herë ma ka thënë! Ishte i kursyer! Më ka thënë në një festë, “më dukesh si fishekzjarr”, unë fluturova.
Po në fillim, kur u njohët?
Ne kishim një diferencë 10 vite e gjysmë dhe siç thatë, ai shquhej për temperamentin e tij pasionant, megjithatë ka pasur gjuhë tjetër nga kjo e sotmja. Ai ishte burrë dhe nga jashtë dukej natyrë e egër, mirëpo nëse unë nuk qaja kur shihnim filma, ai përlotej. Unë isha më e kontrolluar.
A ka pasur xhelozira mes jush, në punë?
Teatri i krijon lehtë këto situata. Asnjëherë! Tregoheshin barsoleta atëherë në teatër, “të largohet një çikë Mimika…”, mirëpo jo! Unë kam qenë shoqe e tij…
Është profesioni pak ngacmues, pavarësisht marrëdhënies…
Siç ju thashë, unë barsoletat i di, edhe zëkzëket që janë të pranishme në art, janë të pashmangshme.
Ju keni shkruar edhe drama, jo pak. Disa prej tyre kanë shkaktuar edhe reagime politike…
Nisa të shkruaj drama në kohën kur në Teatrin Kombëtar pjesët e huaja nuk ishin më të mirëpritura dhe iu dha përparësi dramës shqipe. E kujtoj si tani ministrin e asaj kohe, që erdhi na përcolli fjalën në një mbledhje, se ishte marrë një vendim për të forcuar dramaturgjinë tonë. Atëherë vlonte dramaturgjia, megjithatë ai kështu ishte porositur. “Edhe ju, mundohuni si ata të parët tuaj, ta forconi!” Mua m’u duk një gjë shumë e bukur dhe shkrova menjëherë, që në atë javë, pas asaj bisede, në ato kabinat tona të ngushta. Sapo isha bërë me një fëmijë dhe ikja dy orë përpara shfaqjes për të shkruar. Të mos kisha mamanë, nuk do t’ia kisha dalë.
ROLET E MIMICA LUCËS
Që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra, e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (1951- 1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film. Filmi ishte bazuar në ngjarje reale të viteve ’50. Tomorri ishte një i infiltruar në një grup të agjenturave të huaja. Ai fiton besimin e Zylfiut, Eminesë, Ndrek Gjergjit, të lidhur me agjenturat, dhe Anton Murrizit, që vjen nga jashtë.
Kështu, Tomorri zbulon dokumente sekrete, baza dhe mjete komunikimi. Tomorri lufton për të shkatërruar këto agjentura. Me një skenar tipik komunist, ajo çfarë do të ishte e paharrueshme për aktoren e re në këtë film, është fakti që personazhi kryesor, Tomorri, interpretohet nga ai që do të ishte dhe dashuria e saj e jetës, aktori Ndrek Luca. Mimika u pranua më vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet”, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Në vitin 1972, ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat”, nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova. Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Margigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës tek”Treni niset në shtatë pa pesë”. Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe te filmi “Të shoh në sy”, me regji të Mevlan Shanajt.
Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka interpretuar është te filmi “Viktimat e Tivarit”, një film i vitit 1996, me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të të cilit ishte dhe bashkëshorti Ndrek Luca.
Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit, Mimikës i pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”. Në vitin 1977, ajo kaloi si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.