5 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i Elsa Lilës: Si donin të më vrisnin në burg!

 Rrëfimi i Elsa Lilës: Si donin të më vrisnin në burg!

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila sapo ka publikuar librin e saj të parë, “Mirë se vini në Rebibbia”.

Për të bërë promovimin e librit të saj, Elsa Lila ka dhënë një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, ku edhe rrëfeu se gjatë kohës që ishte në qelinë e burgut, një grua tjetër kishte tentuar që ta vriste.

Por për fatin e saj të mirë, në ambientet e burgut ishte njohur me një vajzë shqiptare, e cila e kishte marrë në mbrojtje.

Dhe rrjedhimisht i kishte shpëtuar jetën!

Elsa Lila: Isha në 41bis dhe nuk komunikoja dot me askënd jashtë. Nuk përmend dot emrat as të klanit që ishte aty brenda që mua më mbrojti…

Rudina Xhunga: Por ishte një klan që ty të thirri dhe të tha…?

Elsa Lila: Ishte një klan, i cili, nëpërmjet vajzës shqiptare më dha akses dhe mbrojtje.

Rudina Xhunga: Sepse nëse nuk ke mbrojtje mund të ndodhë siç ty të ndodhi që erdhën të të vrisnin?

Elsa Lila: Po! Atje mund të ndodhë çdo gjë. Pata akses në disa njerëz që më dhanë mbrojtje. Atje mund të ndodhë çdo gjë. Sepse ka të dënuara me faj që nuk kanë as ekuilibër psiqik dhe mund të të dëmtojnë, por jo sepse e kanë problemin me ty.

Rastësia e deshi që unë të gjeja disa persona aty brenda, si vajza shqiptare dhe dy gardianet që më mbrojtën aty brenda. Më mbushën me forcë, me kurajo dhe le të themi edhe që nuk kam pasur një jetë të thjeshtë. Nuk vij nga një jetë përrallash. Kam pasur një jetë jashtë të zakonshmes.

Elsa Lila u arrestua në vitin 2022 pasi u dyshua se ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me shitjen e drogës në Romë.

Sipas raportimeve që bënin asokohe mediat italiane, grupi përbëhej nga 13 persona, italianë dhe shqiptarë ndërsa Lila supozohet se kishte rolin e “financieres së grupit”.

Në shtëpinë e saj u gjet një bllok i zi, brenda të cilit thuhej se ishin shënuar të gjitha të dhënat e kokainës.

Mesazhi i Elsa Lilës: Nuk më mposhti vreri i hedhur mbi mua!

“Gjatë kësaj vere u mbylla dhe e shkrova të gjithë librin “Mirë se erdhe në Rebibbia”.

Gjithçka është reale në libër. Kam derdhur atë që shkrova në mendje dy vite më parë.

Të gjitha personazhet në libër janë realë, janë shoqet e mia të dhomës, vajza shqiptare dhe italiane që më mbrojtën e më ndihmuan.

Unë nuk bëra një libër për të treguar se përse isha e akuzuar penalisht. Por tregova se çfarë përjetohet, të jesh i pafajshëm ose i fajshëm dhe të jesh në burg.

Doja të tregoja aspekte të burgut që njerëzit e thjeshtë nuk kanë se si t’i dinë.

Dëshira e madhe ishte që të shkruaja për ata që vuajtën bashkë me mua, ata që më ndihmuan edhe për së largu, mbrapa tastierave, mbrapa portaleve.

Vajza ime, 11 vjeçe, lexonte çdo koment, edhe nga ata që hidhnin vrer ndaj meje. Ajo lexonte për mamanë e vet gjëra të tmerrshme.

Ndaj në dhjetor i dedikova një këngë Evitës sime, edhe fituam një festival, ia dedikova heroit tim të heshtur.

Evita ka një mama shumë të fortë që e do shumë, që vlerëson shumë pjesën e mirë të historisë, dhe njerëzve të kësaj historie.

Për ata që e kuptuan Elsën, e kam shkruar këtë libër. Jo vetëm të dinë çfarë i ndodhi Elsës, por të dinë çfarë e pret një njeri atje brenda, si është ky ambient, çfarë force duhet të kesh për ta mbajtur trurin në ekuilibër, për të mbijetuar brenda dhe për të dalë të shëndetshëm mendërisht nga ato mure.

Duhet kurajë për të shkruar. Sepse mund të më kishte mposhtur kjo ngjarje, gojët e liga apo paragjykimi i njerëzve.

Unë jam e qetë, sepse nuk kam bërë gjë. Jam e pafajshme. Unë vendosa, si grua e fortë që mos të më mposhtë historia ime, por ta tregoj me forcë.

Edhe t’ia jap forcën dikujt tjetër, që ndoshta nuk e ka kaluar burgun si unë, por ka kaluar shumë burgje të tjera, burgje mendore, burgje në familje.

Vrima e zezë është shumë më potente se katër mure që të ndajnë nga bota sepse në kohën tënde ti je i liri sepse fluturon. Prandaj e kam shkruar këtë libër, për t’i dhënë forcë këtyre njerëzve”, tregon Elsa Lila.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *