13 Dhjetor, 2024

Rrëfimi emocionues i vajzës së Fadil Kujofskës: Pengu dhe brenga më e madhe që kam me babin

 Rrëfimi emocionues i vajzës së Fadil Kujofskës: Pengu dhe brenga më e madhe që kam me babin

Vajza e aktorit të madh Fadil Kujofsa, Liza, që gjithashtu është aktore, ka dhënë një intervistë, ku flet dhe për të atin.

Shumë prej banorëve në “Big Brother” janë artistë? Ndihesh e përfaqësuar?

Termi ‘artist’ kur e sheh në fjalor është një njeri që merret me art. Por unë, në kulturën time të formimit familjar termin e artistit më shumë se me profesionin e lidh me atë çfarë njeriu përfaqëson së brendshmi, sa njerëzor është ai. E kam shumë të vështirë të quaj ‘artist’ një person që është shumë i talentuar në profesionin e tij, nëse ai nuk është njerëzor, i edukuar, empatik. Për shkak të babait tim, kam qenë shumë me fat pasi qysh fëmijë mua më ka mbajtur në prehër Kadri Roshi, Violeta Manushi e shumë të tjerë të këtij kalibri. E rritur me këtë lloj imazhi artistësh; që do të thotë se ata sa të fortë apo spektakolarë ishin në skenë, aq edhe të butë e të brishtë ishin si njerëz, kjo më ka bërë mua që unë sot të kem ca rezerva me këtë termin ‘artist’ në përgjithësi.

Të rikthehemi tek artistët aty brenda. Besoj se edhe ata vetë e dinë që aty po përfaqësojnë vetëm unin e tyre, apo edhe lojën e tyre. Në momentin kur në disa raste teksa i kam ndjekur më është krijuar vërtetë një gjendje ankthi, nuk mendoj se askush aty nuk përfaqëson askënd. Të gjithë nga pak më kanë zhgënjyer. Ky lloj formati e kërkon dramën dhe show-n, por ca filtra të lehta mendoj se do të na bënin mirë të gjithëve. Më vjen shumë keq vetëm për diçka për kastin e “Big Brother” në Shqipëri, që në një mënyrë ose në një tjetër, qoftë edhe nga analiza/kritikat që opinionistët ju bëjnë, atyre ju është dhënë një mesazh që janë gabim, por ata nuk po ndryshojnë. Nisur nga kjo me keqardhje them se kam frikë se ata e kanë mënyrë sjellje reale në jetën e tyre, atë çfarë po shohim këto ditë brenda në shtëpi.

A ka patur ndonjëherë hatërmbetje nga personazhet që imiton? Të kanë kontaktuar?

Konkretisht jo, nuk ka patur ndonjë rast kur personazhi më ka kontaktuar apo më ka ‘kërkuar llogari’ pse më imiton. Përkundrazi unë jam surprizuar nga personalitete që në momentin kur i kam imituar kanë qenë në kulmin e tyre, por më kanë shkruar në ‘inbox’ në mënyrë tejet dashamirëse. Imitimi në fund të fundit është një karikaturë që shpesh duket e hidhur, ndaj edhe ndonjë hatërmbetje do ta kuptoja, por fatmirësisht personazhet e mi (qesh), kanë qenë të mirëkuptueshëm.

Çfarë marrëdhënie ka Lisa me famën? Si të rri ‘kostumi’ i të famshmes?

Duke u rritur në familjen e Fadil Kujofsës, për mua si fëmijë u kthye në një gjë shumë të zakonshme dhe normale fakti që ne njiheshim në rrugë. Por kur u rrita, kur u bëra dhe vetë pjesë e aktrimit, nisa të mos më pëlqente dhe aq fakti i të qenit në ‘spotlight’. Në qasjen time mendoj se edhe publikut i mërzitesh, bëhesh monoton nëse t’i nuk shkëputesh herë pas here, sado artist i mirë të jesh. Personalisht, jo me famën, por me të qenit e njohur, figurë televizive, aktore quajeni si të doni kam krijuar një marrëdhënie ‘fik e ndez’ ‘on and off’ (qesh) që do të thotë se kur ndjej se po lodhem, shkëputem ca kohë. Unë nuk e ndjek famën, nuk mendoj se jam e famshme. Jam e njohur kur kam diçka për të thënë nëpërmjet artit tim dhe s’mërzitem kur kthehem në e panjohur, kur s’kam gjë për të thënë. E kam shumë të rëndësishme të le shije të mirë te publiku.

Babai, aktori i mirënjohur Fadil Kujofsa nuk ka dashur që ti të zgjidhje aktrimin. Por duket se në deje ishte trashëguar talenti dhe nuk ja dëgjove fjalën. Sot, mendon se ke bërë mirë apo keq?

Në një farë mënyre as babi dhe as mami nuk patën dëshirë që të zgjidhja aktrimin, dhe më kanë sugjeruar të shihja ndoshta ndonjë alternativë tjetër. Nuk di të them nëse ishte talenti apo rastësia. Mbaj mend që në çdo aktivitet artistik në gjimnaz apo edhe tetëvjeçare, skenari më delegohej mua ta bëja. Duket se e bëja mirë sepse pa shprehur asnjë dëshirë kjo gjë vazhdoi për shumë gjatë. Mbaj mend që as nuk e çoja ndërmend që një ditë do të bëhesha aktore si babi. Madje mendoja se do të bëhesha veterinere, e kisha me shumë dëshirë. Gjithsesi rastësisht, një konkurs aktrimi në gjimnaz bëri që të më dilte në pah ai talenti që thua ti në pyetje (qesh). Sot jam penduar që nuk i mora për bazë këshillat e prindërve për të mos u bërë aktore, dhe s’më vjen keq ta pranoj. Sado e trishtë të tingëllojë, nëse do të kthehesha pas do të merrja një drejtim tjetër.

Babai juaj u nda nga jeta në një moshë të re, pa patur një kujtim së bashku si aktorë…

Sot që nuk e kam më fizikisht kam një brengë shumë të madhe që ai iku pikërisht në kohën kur neve na u krijua mundësia që të mund të rrinim të dy në një hije artistike (loton). Nuk e pata fatin që mua dhe tim atë të na mbledhë të dy një hije, që të kishim një kujtim të vërtetë artistik së bashku.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *