13 Dhjetor, 2024

Roza Anagnosti: Si ma dënuan babanë në 1950 me 15 vjet burg politik dhe më përjashtuan nga Liceu

 Roza Anagnosti: Si ma dënuan babanë në 1950 me 15 vjet burg politik dhe më përjashtuan nga Liceu

Roza Anagnosti-Xhuxha, ka lindur në Tiranë më 27 tetor të vitit 1943. I ati ka qenë oficer karriere, kurse nënë shtëpiake. Pas çlirimit të vendit më 1944, familja u shpërngul në qytetin e Shkodrës ku jetonte edhe familja e gjyshit nga nëna. Aty përfundoi shkollën fillore dhe të mesme. Qëkur ishte në kopsht ka treguar prirje artistike(muzikë dhe balet), që u bënë më të dukshme e më të qëndrueshme me ecurinë e viteve. Nën drejtimin e pedagogëve L.Deda, H.Shahini, Tonin Harapi në Shtëpinë e Pionierit dhe Preng Jakova në Shtëpinë e Kulturës, kur për tre vjet bëri kurse baleti me balet maestro profesionist, do të startonte edhe rrugën e bukur të artit. Por sikurse shkruan artistja në kujtimet e saj, megjithëse u cilësua si një vajzë me talent në të ardhmen, ëndrra e saj nuk e pati të lehtë.

Dënimi i të atit, përjashtimi nga liceu

Në fëmijërinë dhe adoleshencën e Rozës së bukur, të lindur enkas për t’u bërë artiste, këngëtare, balerinë, rënduan privimet të shumta, shpirtërore dhe material, për arsye se i ati në vitin 1950 u dënua me 15 vite burg për akuza politike. Me nënën dhe motrën e madhe vuajtën varfërinë dhe të gjitha pasojat e luftës së klasave: Artistes së ardhshme iu ndërpre e drejta për të vazhduar liceun artistik në Tiranë, duke e përjashtuar kur kish  vijuar vetëm dy muaj mësimet. Kjo është goditja e rëndë e ëndrrës së saj, por nuk u mposht dëshira për tu arsimuar.
Roza kthehet në Shkodër ku vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Por në të njëjtën kohë dha provimet me korrespodencë në Liceun Artistik dega e artit dramatik. Në vitin 1965 u diplomua në degën e dëshiruar, duke çelur njëherësh dritën jeshile për t’iu futur rrugës së artit.

Roza Anagnosti, gur themeli e Teatrit “Migjeni” në Shkodër

Si do që ishte fare e re, kur u inaugurua godina e teatrit “Migjeni” në Shkodër, bëhet fjalë në vitin 1958, 15-vjeçarja, nxënëse e shkollës së mesme, Roza e bukur dhe e talentuar, u angazhua në premierën e parë të teatrit të Estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik në pjesën “Kunora e nuses” e dramaturgut Kolë Jakova dhe regji të Lec Shllakut: -Suksesi që arrita me interpretimin tim në këtë dramë – shprehet Roza, startoi jetën time në fushën e artit. Ajo u emërua aktore me trupën e teatrit “Migjeni”.
Tashmë ishte hapur rruga dhe Roza do të ishte protagoniste me rolet e sa në shumë spektakle të tjera duke mbërritur tek personazhi i Norës në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit, që ishte edhe regjisori i saj. Me këtë rol aktorja e re, fitoi çmimin “Si interpretuesja më e mirë ndër aktoret femra në festivalin e dytë kombëtar të teatrove profesioniste të Shqipërisë.

Lirimi i babait nga burgu, Roza pushton ekranin

Në vitin 1961 babai i Rozës, u lirua nga burgu. Një numër estrade i filmuar dhe shfaqur në ekran, tërhoqi vëmendjen e kineastëve. Roza e ishte fare e re, por edhe e bukur dhe Isha e re me talent, ra në sy të regjisorit G.Erebara. Ai do të xhironte një film për Migjenin dhe e ftoi të luante “Murgeshën”. Pas këtij roli, në filmin “Detyre e Posaçme”, interpretoi rolin e “Mësueses” dhe më pas në filmin “Toka Jonë” rolin e Files me regjisor Hysen Hakani dhe drejtor fotografie Dhimitër Anagnostin, që i vuri syrin aktores së re, jo vetëm për ta bërë protagoniste të shumë filmave, por ajo do të bëhej edhe bashkëshortja e tij e ardhshme.

Martesa me regjisorin, emërimi i Rozës në Teatrin Kombëtar

Pasi interpretoi dhjetëra role kryesore në Teatrin “Migjeni”. Roza Xhuxha, që artdashësi shkodran e shihte të ardhmen e teatrit, u nda nga skena ku doli për herë të parë, sepse në tetor të vitit 1964, u martua me regjisorin Dhimitër Anagnosti. Që nga ky vit ajo u emërua  aktore në Teatrin Popullor ( sot Teatri Kombëtar). Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi. Ajo  bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art.

Rolet e interpretuara nga Roza Anagnosti

Numërohen rreth 120 rrole në teatër dhe kinematografi e TV, interpretuar nga aktorja. Ajo ka punuar me regjisorët më të shquar të teatrit,  por si askush tjetër ka interpretuar në shumë emisione në Radio e TV shqiptar. “Në vitin 1985 jam nderuar me titullin “Artiste e Merituar” dhe në vitin 1995 dola në pension por duke vazhduar krijimtarinë time si aktore e lirë si në skenë në film dhe spektakle poetike”, thotë aktorja. Ajo tashmë mbahet mend edhe me rolet e saj më të fundit në dramën “Medea” e Euripidit, roli i Mendeshës, filmi i fundit “Gjoleka djali i Abazit” me rolin e nënës.

Më 27 tetor aktorja që mban titullin Mjeshtër i Madh, një nga emrat më të admiruar dhe e dashur jo vetëm për shqiptarët, Roza Anagnosti, mbush 70 vjeç. Teatri Kombëtar dhe Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” do të organizojnë sot një veprimtari të gjerë për 70-vjetorin e lindjes së aktores Roza Anagnosti. Përveçse do të rrethohet nga familja, vajzat dhe nipër e mbesa që vijnë nga Amerika dhe Italia, nga të afërmit  dhe kolegët, për festën e saj do të jenë të pranishme edhe gra të shquara nga shumë shtete. Në pritje të kësaj date, Roza, sikurse është edhe në natyrën e saj, është tejet e mbushur me emocione. Kërkojmë të flasë për gazetën për këtë event, por ajo  thotë se do të ishte më mirë të shfletojmë ditarin e saj. Kam “rolin” më të vështirë për të interpretuar në jetën time më 27 tetor, pse më duhet të paraqitem si asnjëherë tjetër në skenë”, thotë ajo me sy të përlotur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *