Roland Trebicka, mjeshtri i rrallë i komedisë
Nga Leonard Veizi
Në biletarinë e Teatrit Popullor artdashësit që shtypeshin në radhë pyesnin nëse do të ishte ai në trupën e aktorëve që ngjisnin në skenë komedinë e radhës. Sepse pavarësisht cilësisë së aktorëve, dhe trupave që dublonin njëra-tjetrën për të njëjtën shfaqje, ai kishte një vend të veçantë. Dhe rolet e luajtura prej tij tërhiqnin më shumë spektatorë.
Ai ishte i rrallë në skenë, një aktor mjaft popullor, sharmant e plot elegancë dhe lëshues batutash të papërballueshme. Dhe jo vetëm në skenë, por dhe në sheshin e xhirimit ku xhirohej me film 35 milimetërsh.
-Baxhanaku më tha se kandidatura kryesore për drejtor jeni ju. Ai më tha se dhe shoku Sali vetëm për ju kishte folur. Kështu më tha baxhanaku.
Do të shkëlqente si Vaska tek filmi “Ëndërr për një karrige” pasi kishte luajtur më parë Nestin tek filmi “Koncert në vitin 36”.
-Neni 503, 505, 506, ju i dini apo i keni harruar?! Kodi Penal. I thoni tellallit t’jua kujtojë.
Në skenën tragjikomike, emri i tij zë një vend të veçantë. U kanalizua më së shumti në personazhet me sens humori, por ai dinte të luante në mënyrë të shkëlqyer edhe një rol dramatik deri në tragjedi.
-Karonti jam, fol. Fol më fort se s‘të marr vesh. Ashtu…! E kush kështu…? E mirë s’ka problem. S’ka problem se paret i kish paguar. Mbuloje me gjethe dhe plase aty…
Dhe ky ishte roli i një skafisti tek drama “Gomonia” e Mihal Luarasit e regji të Gëzim Kames. Por po aq dramatik ishte dhe në rolin e Petros tek drama “Dadot” të autorit Jorgos Kurti.
-Pavllo, Pavllo mblidh mendjen. Ato që kemi dashuruar kanë qenë të gjalla, kanë qenë të lëvizshme, kanë qenë me naze, lozonjare. Ato vetëm pak t’i prekje dhe të rrëqethej mishi. Ndërsa këtë gërdallën e këtij, pak ta shohësh e të ngrihen qimet përpjetë.
E filloi karrierën e tij artistike në 1961me rolin e Kostës, tek filmi “Debatik”. Por vetëm në vitin 1971 do të bëhej pjesë e Teatrit Kombëtar.
Në vitin 1979 regjisori Rikard Ljarja do t’i jepte një rol tek filmi “Radiostacioni”. Në pelikulë ai është i fiksuar me fytyrën e frikësuar të një punonjësi të Radio Tiranës, i cili në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit, teksa një partizan i patrullës i vinte prangat në duar, arrinte t’u thoshte:
-Jo, jo. Unë nuk u shërbej komunistëve.
Ndonëse në kinema ka lënë shumë pak role, Roland Trebicka u shqua më së shumti në skenën e teatrit.
Shumëkush e cilëson kulmin e suksesit në rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176.
-Kësaj i thotë t’ia japësh vetes: bam…
Mund të jetë edhe kështu. Por në fakt nuk është ashtu. Megjithëse një rol i spikatur e me shumë humor, si “xhaxhi Vani”, Roland Trebicka pati një rol tjetër shumë më të arritur, ku ai është nën lëkurën e xha Spirakes, apo Spiridon Gaqe Neçuleskut, tek komedia e njohur e autorit rumun Tudor Mushatesku “Valsi i Titanikut”.
-Edhe ju të tjerët faleni Spiraken që nuk donte të zgjidhej deputet, por siç e shikoni është një zanat që nuk më shkon për shtat.
Por shumë më herët ai ka dhe rolin e Lonit tek komedia “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës. Dhe vite më vonë kur kjo komedi rierdhi në skenë, Roland Trebicka do të ishte Nikollaq Opingari që i thosh të shoqes:
-Jeta është aritmetikë Olimbi. Posi.
Por shumë pak mund ta mbajnë mend për interpretimet e tij të shkëlqyera si sër Endriu Egyç në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, ngjitur në skenë në vitin 1982, dhe në rolin e Janit tek drama “Përballë vetes” e Ruzhdi Pulahës, interpretuar në vitin 1984.
Padyshim, një rol fort simpatik i interpretuar mjaft mirë prej tij ka qenë dhe avokati amerikan, zotin Piterson, që në fakt ishte Petro mavria nga Shqipëria, por që për shkak të famës si avokat i talentuar i vinin propozime nga më të çuditshmet për martesë.
-Xhejms dëgjo se ç’thotë: “Jam e bukur si Helena e Menellaut. Të gjithë më adhurojnë, po unë pa përfillur kandidatët e tjerë për të lidhur fatin tim me juve pranoj vlim dhe martesë të menjëhershme. Kostanca”. U mos më arrifsh moj Kostaqe që më qenke e bukur si Lenka e Nellës.
E do të vinin dhe rolet e tjera më pas, si ai i shërbëtorit Dranio tek “Zbutja e Kryeneçes”.
-Më profondo baba.
Një rol fantastik është i i taksistit Vënson tek komedia “Të Gjithë me Huqe”.
-Në fillim më shan nënën putanë ti dhe pastaj pa pikë turpi më kërkon ndjesë. Xhaxhi,,, s’ke parë ndonjë hundëlesh ti. Të ta jap ndonjë turinjve të të lëshojnë sytë xixa.
Dhe nëse do të kishte një rol pa kategori, ai padyshim është Lipi tek “8 persona plus” një personazh banal që vetëm një aktor si ai mund ta ngrinte në art, aq sa sot të cilësohet si i suksesshëm.
-Neve jemi, lideri i familjes…
Padyshim, me kaq nuk mund të cekësh të gjitha rolet e një aktori të madh, por gjithsesi me një kolazh të cunguar i bëhet një homazh sipërfaqësor veprës së tij të thellë.
Roland Trebicka u lind në 17 janar në vitin 1947 në Korçë. Dhe u nda nga jeta ne moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë më 6 mars 2013. Për kontributin e tij në skenë, Trebicka është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe Korça i akordoi titullin “Nder i qytetit”.