5 Dhjetor, 2024

Rajmonda Bulku, ylli që shkëlqen ende në qiellin e adhurimit

 Rajmonda Bulku, ylli që shkëlqen ende në qiellin e adhurimit

Nga Albert Vataj

Sot më 16 gusht 2024, ajo mbush 66 vjeç. Shumë qirinj për t’u shuar për një dëshirë, dhe… një qiell për ta lejuar që ky yll ende të shkëlqejë, që ai vezullim, që feksi spariherë, shumë vite të shkuara, në betejat e sfidës së aktrimit, për të ndezur ende çdo fijes përjetimi dhe flakur ëndërrtaret e dëshirimeve që shpalohen në kujtimet e saj si një film me metrazh të pambarimtë.

Ndoshta më shumë se numra, vitet e shkuara janë skalitja daltë pas dalte e vezullimit të një ylli që shkëlqen ende në qiellin e adhurimit.

Rrugëtimi i vajzës sharmante, nisi me këmbë të mbarë, më 1976 në rolin e Pranverës me “Dimri i fundit”, në kastën e një plejade aktorësh të skalitur në celuloidin e memories së admiruesve të filmit. Hapa të mëdhenj në një rol të vogël të regjisorëve, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro bënë që ajo të shkonte larg dhe të ngjitej lart. Për ta ndjerë zemrën t’i rrahë fort, në filmin ikonik, “Zonja nga qyteti” me rolin e Meli Stefani.

Rendi ajo në shpërfaqjes së shpirtit të bukur, sharmit, talentit dhe një karriere të gjatë dhe të suksesshme, përkrah legjendarëve të kinematografisë shqiptare, për të “flakur” tej petkat e garderobës së mbi katër dekadave si aktore dhe veshur kostumin e politikanes, për t’u votëbesuar si deputete e Partisë Demokratike, 2004-2009.

Rajmonda Bulku, si në skenat e sheshxhirimeve dhe në teatër, ajo shënjoi edhe në politikë, por më së shumti në ndërtimin e imazhit të gruas së fortë dhe të bukur, që nuk pranon të vegjetojë nën hijen e obeliskut të aktores së madhe, apo shkëlqimin e hirshëm që mbeti i pashuar gjithmonë, por guxon të përfaqësojë dhe të mbajë mbi vete detyra dhe përgjegjësitë e një misionareje, më shumë se për demokratët në betejat politike, për të dëshmuar vendosmërisht dhe dinjitetshëm, gruan, nënë, veprimtaren e kontributeve të vlerta shoqërore.

Fëmijëria e saj nis nga ecejaket për të shkuar në familjet e gjyshërve në rrugën “Myslym Shyri”, për t’u zhvendosur në Gjirokastër, ku i ati i bindej urdhrit të detyrës si ushtarak, ku ajo përfundon filloren dhe tetëvjeçaren. Në Cërrik ajo filloi shkollën e mesme. Gjatë pushimeve të vitit të tretë në gjimnaz (1975), Viti i Ri e thërret në Tiranë, për t’u prekur nga fati në një rastësi fatlume në rrugën e “Kavajës”. Një fotografi në ish-Kinostudio dhe “Dimri i fundit” i çel të gjithë lulet e pranverave të shpirtit të saj, për ta mbushur me dehje dhe aroma jetën e saj.

Nga filmi në teatër, nga roli në rol, prej një karakteri në lëkurën e një personazhi, e rriti shtatin e saj të aktores. E temperi në dhjetëra role, shpirtin, për të dëshmuar se ajo nuk ishte vetëm një vajzë dhe grua e bukur, por edhe një talent unik. Po, një vlerë, vepra e së cilës është pritur dhe konsideruar me maksimum të shpërblimit nga publiku po aq sa edhe nga kritika.

Si për çdo grua dhe nënë, edhe për të, shkallarja për t’u ngjitur në majë nuk ishte dhe aq e lehtë, ndonëse e kalitur në edukimit e rreptë dhe korrekt me një baba ushtarak, dhe udhëprirë nga shpirti i sakrificës, pasionit dhe përkushtimit, për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin.

Sot me 66 vite në numërimin kalendarik të moshës, ajo ende e ruan shkëlqimin e saj, rrezet e së cilit i pamë dhe na mbushën në film dhe në teatër. Ajo ka kohë që nuk është vetëm Rajmonda Bulku, sepse e kanë të pamundur disa ta njohin ndryshe ngase ajo erdhi si Pranvera në “Dimri i fundit”. Për t’u ngulitur thellë në kujtesën dhe adhurimin e njerëzve; si Meli i “Zonjës nga Qyteti”, atij filmi komedi që bashkëjeton ende në nevojën tonë, jo vetëm për nostalgji dhe homazh për të gjithë ata që nuk jetojmë më, por edhe për të qeshura ashtu çiltërsisht, siç mësuam dikur dhe nuk harruam as sot.

Jetoi dhe mëkoi Rajmonda Bulku, çdo ditë dhe në çdo rol që ju besua, u përfshi shpirtërisht dhe emocionalisht, për të mbetur Zana e “Etjet e Kosovës” (2006), Magda e “Viteve të pritjes” (1990), Matilda te “Një djalë edhe një vajzë” (1990), Lina te “Muri i gjallë” (1989), Jona te “Duaje emrin tënd” (1984). E pse jo edhe Ema, vajza e pafajshme e filmit “Kërcënimi” (1981), Zana te “Ballë për ballë” (1979). Për shumë njerëz, por edhe për vetë Rajmondën rolet dhe personazhet, tipat dhe karakteret, identitetet dhe personalitetet, lëkurën e të cilëve veshi ajo, çfarë ajo bëri, mund të jetë vetëm një kujtesë dhe krenari, por edhe e drejtë për t’u ndjerë e mbushur me jetët që ajo solli në jetë, me historitë që ajo i mishëroi shpirtërisht.

Filmi dhe teatri, por edhe politika, u bënë për të qëllime, për të kthyer në një reale që e nderon, ëndrrat që ajo pati, dëshirimet që ajo përmbushi, për të mbërritur në këtë trokitje gotash urimi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *