26 Dhjetor, 2024

“Politikan i vjetër dhe dallaveraxhi”, si e gjurmonte Fan Nolin agjentura e Enver Hoxhës

 “Politikan i vjetër dhe dallaveraxhi”, si e gjurmonte Fan Nolin agjentura e Enver Hoxhës

Nga Hasan Bello

Megjith diskursin publik që regjimi komunist mbante ndaj Fan Nolit, në prapaskenë ai kishte një opinion krejt tjetër. Ky personalitet do të vihet në fokus të punës agjenturore të oficerëve të Sigurimit që vepronin në SHBA.

Në dosjen formulare Nr.1/3 të përpiluar nga Sigurimi gjenden dokumente në ngarkim të Fan Nolit. Kjo dosje fillon me informacione dhe materiale të grumbulluara për veprimtarinë e Fan Nolit që nga viti 1943 dhe mbaron në vitin 1964.

Por ajo që të bën përshtypje është vendimi i Punëtorit Operativ Kleanthi Gjini për hapjen e dosjes formulare për Fan Nolin në vitin 1957. Pse ky vendim 13 vite pas vendosjes së regjimit komunist? Kjo kishte lidhje me thyrjen përfundimtare të raporteve të Nolit me këtë regjim.

Të gjitha këto ndikuan që ai të vendosej në fokus të Sigurimit të Shtetit, pasi nuk konsiderohej më si mik. Kjo konfirmohet nga arsyetimi që bën Punëtori Operativ kur vendos të hapë këtë dosje.

Sipas tij, pas çlirimit ai kishte mbajtur një qëndrim në favor të pushtetit popullor, ndërsa kohët e fundit ishte lëkundur dhe ishte bërë mbështetje për zbulimin amerikan.

Madje, një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, drejtuesi i gazetës “Dielli”, Qerim Panariti, nën udhëzimet e amrikanëve, shfrytëzonte faqet e kësaj gazete duke shkruar artikuj “me përmbajtje reaksionare, kundër qeverisë dhe regjimit komunist”.

Ai theksonte se, për këto arsye, kishte vendosur të rihapte dosjen formulare për përpunimin e tij të rregullt. Nga ana tjetër kjo tregon se Noli nuk ishte hera e parë që gjendej në fokus të Sigurimit të Shtetit.

Në një biografi të përgatitur enkas për këtë dosje,  e cila ishte për përdorim të brendshëm, pavarësisht raporteve formale që ekzistonin mes Nolit dhe regjimit komunist, artikulohet hapur pikëpamja që kishte Sigurimi dhe drejtuesit më të lartë të shtetit duke e konsideruar atë si “Politikan i vjetër dhe në shumë raste dallaveraxhi”.

Një hipotezë që Sigurimi i Shtetit ngrinte rreth arsyeve të ftohjes së Nolit ndaj regjimit komunist ishin edhe letrat që ai merrte nga bashkëpunëtorë dhe miq të vjetër si Kostandin Boshnjaku dhe Kol Kuqali mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

Për këto arsye, ai nuk konsiderohej më as simpantizant dhe as përkrahës i regjimit komunist, duke e vendosur kështu në radhën e armiqve.

Sigurimi i Shtetit e konsideronte si luhatjeje të Nolit një telegram që ai i kishte drejtuar Sekretarit të Shtetit për Politikën e Jashtme të SHBA-ve, Cordell Hull-it në vitin 1943. Në këtë telegram të botuar në gazetën “Dielli”- Noli vlerësonte qëndrimin e Turqisë dhe Egjiptit si dy vende myslimane, që nuk e kishin njohur pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe vazhdonin të mbanin ende të hapura konsullatat e Mbretit Zog.

Gjithashtu, ai kritikonte demokracitë perëndimore, të cilave u mungonte guximi duke njohur agresionin italian. Sipas tij, për aleatët do të ishte më e dobishme ta njihnin zyrtarisht Mbretin Zog dhe t`i jepnin rastin që të luante rolin e tij në fitoren e shumëpritur. Ashtu siç ia kishte theksuar edhe disa zyrtarëve në Washington, megjithë zhurmën e bërë prej disa kundërshtarëve, Zogu ishte i zoti për të punuar për aleatët anglo-amerikanë më tepër se cilido shqiptar ose grup shqiptarësh.

Ai mendonte se ishte në interes të të dyja palëve (aleatëve dhe Shqipërisë), që zyrtarisht të kishte një qeveri shqiptare e kryesuar nga Mbreti Zog. Në këtë telegram, Noli kërkonte gjithashtu njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Mbreti. Kjo do të ishte një garanci kundrejt deklaratave të bëra nga ministri i Jashtëm britanik Antoni Eden në Dhomën e Komunëve, që vinte në pikëpytje kufijtë e shtetit të ardhshëm shqiptar pas lufte.

Në relacionet dhe biografitë informuese lidhur me qëndrimin politik të Nolit pas çlirimit, theksohet se ai “ishte deklaruar botërisht pro nesh dhe se ka premtuar se do të vinte në Shqipëri”.

Por më vonë ishte tërhequr duke gjetur si pretekst se pengesat e nxjerra nga qeveria amerikane e kishin ndaluar të vizitonte Shqipërinë. Ai kishte vazhduar të fliste mirë për qeverinë komuniste të Enver Hoxhës, po jo në shtyp. Kjo për shkak se Noli i trembej masave që mund të mernin autoritetet amerikane, duke e konsideruar këtë si propagandë në favor të një qeverie që nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në.

Ajo që është për tu vlerësuar dhe që pasqyrohet edhe në dosjen e Sigurimit të Shtetit për Fan Nolin është lufta që ai bënte kundër influencës greke dhe priftërinjve të infiltruar prej saj për të marrë nën kontroll kishën ortodokse shqiptare në SHBA. Në këtë periudhë Noli ishte angazhuar për të spastruar radhët e komisioneve kishtare nga të gjithë elementët “vrioepiriotë” dhe filogrekë.

Sigurimi i Shtetit studioi me kujdes të gjitha mundësitë që Noli të bëhej një mbështetës i sigurtë i regjimit komunist. Sipas oficerëve që merreshin me përpunimin e kësaj figure, për realizimin e këtij plani nevojitej që Noli të mos sulmohej hapur për gabimet që ai kishte bërë në të kaluarën, jo vetëm nga qeveria e Enver Hoxhës,  por edhe nga krerët e “Shqipërisë së Lirë” (organizatë kjo që ishte nën kontrollin e regjimit komunist); kisha ortodokse e Shqipërisë të vendoste korrespondencë zyrtare dhe të përpiqej që kishën shqiptare të SHBA-së ta merrte nën vartësinë e saj; meqenëse Noli ishte një historian dhe letrar të emërohej anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Kryesia e saj të vendoste korrespondencë të rregullt me të; një mjet tjetër ishte edhe mbështetja financiare.

Në këtë dosje ka informacione me vlerë rreth përpjekjeve të kishës greke dhe Patrikanës së Stambollit për të larguar Fan Nolin dhe për të caktuar si episkop të kishës shqiptare në SHBA priftin filogrek Marko Lipa; mbi përpjekjet e kolonisë shqiptare dhe të Fan Nolit për të kundërshtuar këto tentativa që do ta hidhnin në erë arritjet që ishin shënuar në fushën religjoze për më tepër se gjysëm shekulli.

Kundër propagandës së kishës ortodokse amerikane që nxitej nga grekët dhe mbështetësit e Marko Lipës, Noli botoi një shkrim brilant, në të cilin distancohej nga të gjitha akuzat e bëra si mbështetës i ideologjisë komuniste, që në thelb synonin kompromentimin e tij përpara autoriteteve zyrtare të SHBA-së.

Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste ose pro-komuniste. Nuk kam bërë kurrë në jetën t’ime ndonjë predikim komunist, prokomunist ose anti-amerikan. Përkundrazi, kam ekzaltuar gjithmonë demokracinë dhe mënyrën amerikane të jetesës dhe kam theksuar në mënyrë të veçantë faktin historik se Shqipëria ia dedikon indipendencën e saj në radhë të parë Amerikës dhe posaçërisht Presidentit Wilson. As kisha ime edhe as unë, nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Sinodi ose Patriarku të huaj, komunist ose tjetër, kështu që Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë të cilën e kryesoj unë, është e pavarur administrativisht.

Unë nuk kam pushuar kurrë ndonjë prift pse ka qenë anti-komunist. At Radoja e humbi pozitën e tij në New York për arsye se kërkoi nga Komiteti Lokal i Kishës që ose t’i paguajë një rrogë më të madhe ose të shikojë për ndonjë prift tjetër. Unë nuk kam sidoqoftë të bëj me emërime ose pushime peshkopësh ose kryepeshkopësh në kishën Ortodokse të Shqipërisë. Prandaj nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për shkarkimin e kryepeshkopit Kissi dhe për emërimin e pasardhësit të tij, kryepeshkopit Vodica”.

Në tetor të vitit1956 Sigurimi i Shtetit krijoi bindjen se, pas qëndrimit kritik që mbante organi zyrtar i “Vatrës”, gazeta “Dielli” dhe drejtuesi i saj Qerim Panariti kundër regjimit kumunist, qëndronte Fan Noli. Kjo përbën një fakt të rëndësishëm lidhur me trajtimin nga një këndvështrim i ri i raporteve të kësaj figure me qeverinë e Tiranës.

Në rrethana tepër të vështira dhe në pleqëri të thellë, Noli ishte i detyruar që për hir të interesave kombëtare të bënte edhe ndonjë kompromis me diplomatët shqiptar në New York. Ai do u kërkoi atyre që Kisha Autoqefale Shqiptare, në bashkëpunim me qeverinë, të dërgonte në Amerikë një peshkop tjetër dhe dy priftërinj, sepse, ai ishte plak dhe pas vdekjes së tij kishte rrezik që kisha shqiptare atje të binte në duart e Marko Lipës, i cili ishte njeri i grekëve.

Nga ana tjetër, diplomatët dhe oficerët e shërbimit sekret shqiptar në New York ishin të vetëdijshëm për ndikimin e madh që Noli kishte tek kolonia shqiptare e Amerikës dhe, në pamundësi për ta shmangur, përpiqeshin ta shfrytëzonin në maksimum. Ata shkruanin se vizita e Nolit në Shqipëri do të kishte një efekt të madh politik. Prandaj ishin të mendimit që atij t`i dërgohej një ftesë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ose ndonjë institut tjetër shkencor.

Sigurimi i Shtetit ndiqte me kujdes grindjet dhe përplasjet brenda “Vatrës” dhe përpiqej t`i impononte asaj vijën e regjimit komunist. Me anën e agjentëve të infiltruar jo vetëm Noli, por të gjithë drejtuesit kryesorë të saj, mbaheshin nën mbikëqyrje dhe bëheshin përpjekje që mes tyre të nxitej përçarja.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *