26 Dhjetor, 2024

Për filmat “komunistë” dhe xhandarët e mendjes: Ku jo çon mushka o të marrë?

 Për filmat “komunistë” dhe xhandarët e mendjes: Ku jo çon mushka o të marrë?

Në 2017-2018 qarkulloi për herë të parë marrëzia e ndalimit të filmave dhe librave të para viteve ’90 sepse “propagandonin komunizmin” sipas atyre që e hodhën këtë “ide”.

Moikom Zeqo ka shkruar atëkohë një esse të gjatë mbi lirinë dhe censurën. Pjesë nga ajo esse, po ribotojmë sot që “ideja” është rifutur në draftin e një ligji të ri për “dekomunistizimin”.

Nga Moikom Zeqo (1949 – 2020)

Librat më të mirë në botë, librat më vizionarë janë ata, që mbrojnë Lirinë e pakufizuar të librave. Projekt-ligji i paraqitur ne Kuvendin e Shqipërisë  për të ndaluar veprat letrare dhe artistike të autorëve kryesorë shqiptarë të shekullit XX, në emër të antikomunizmit makartist, banal, arkaik, formuluar nga mendje provinciale dhe mediokre, tregon karakterin prokustian të Lirisë dhe të demokracisë autentike dhe të vërtetë.

Është një absurditet diletantësh, që nuk kuptojnë se çdo ndalim, apo censurë në epokën e internetit, komunikimit digjital, universal është praktikisht i pamundur dhe asnjëherë i realizueshëm, qoftë dhe pjesërisht.

Censorët inkuizicionistë, gebelsianë, zhdanovistë, makartistë, apo dhe antikomunistë shqiptarë të sotëm, në thelb janë e njëjta gjë, shprehje fobike e një urrejtjeje të verbër ndaj Lirisë së Vërtetë.

Mendoni, ju lutem në mënyrë in absurdus,- nëse një projektligj merr forme juridike, aherë do të ketë një institucion që të realizuar ndalimin ligjor te librave dhe ky institucion nuk është gjë tjetër veçse  Zyra e CENSURËS SHQIPTARE.

Aleluja, o censorë sizifianë shqiptarë të absurdit!

Si qenie njerëzore, si një  mendimtar i lirë, si shqiptar, që beson, se vetëm Dija dhe e Vërteta na bëjnë të lirë, unë jam përherë dhe vetëm për Lirinë!

E kam fjalën për Lirinë Konceptuale, të mendimeve kundërthënëse, por dhe pohuese dhe mohuese, që reflektojnë një dialektikë dhe një fuqi polivalente dhe të patjetërsueshme të intelektit njerëzor.

Jam kundër këtyre “xhandarëve të Mendjes”- sipas një ekspresioni të Faik Konicës.

Ky projekt-ligj drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është bërë nga Xhandarët e Mendjes, për të stimuluar me subkulturë vulgare, preventive tek secili, klonet e tyre.

Një libër  madheshtor, pa një të dytë në letrat angleze dhe në botë, është libri “Areopagjitika”, shkruar nga John Milton, drejtuar Parlamentit të Anglisë, Londër, shtypur që në vitin 1644.

Parlamentit anglez i ishin drejtuar asokohe projekt-ligje për censurime drastike.

Titulli “Areopagjetika” rimerr titullin e oratorisë së shtatë të Izokratit, bashkëkohës e kundërshtar i Platonit. I lindur në Athinë në vitin 436 para Krishtit, 9 vjet para lindjes së Platonit, Izokrati jetoi dhe 10 vjet më shumë se ai si moshë, duke e mbyllur jetën e tij të gjatë në vitin 338 para Krishtit.

Ndikimi i librit për lirinë e të shprehurit i Miltonit ka qenë subjekti i studimeve të pafundme. Libri i shkruar me një kulturë dhe erudicion të madh përbën një traktat intelektual të klasit të parë.

Po a ka vlerë, a është e domosdoshme të përmendet libri i Miltonit në ditët e sotme të demonizuara nga politika në Shqipëri? Për herë të parë e përmenda këtu në DITA, si referencë librin e Miltonit në debatin shkumëzues dhe gati fantazmagorik për ndalimin e filmit shqiptar të kohës së socializmit totalitar.

Është hera e parë që, madje, edhe shkrimtarë të njohur propozonin në mënyrë apokaliptike ndalimin e filmave shqiptarë para viteve ’90 të shek.XX. Rileximi i librit të Miltonit m’i bëri më të qarta idetë. Ndërkohë lexova shumë histori dhe libra për censurën e institucionalizuar në Europë dhe në botë. Shembujt ishin të pabesueshëm. Shpesh marramendës.

Shqipëria? Ajo gjatë kohës së të  vetequajturit mbret Ahmet Zogollit  ndaloi botimin e librit te Migjenit,jo nje liber dosido, por nje liber kryeveper i shekujve letrarë të Shqiperise, që është substanca e Modernitetit Letrar Shqiptar.

Edhe ne kohen e socializmit totalitar Shqipëria ka vuajtur nga censura, ndonëse jo e ligjëruar formalisht si institucion juridik. Ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroit dhe emrave të tjerë substancialë të kulturës, ka qenë vërtet një marrëzi e kushtueshme dhe paradoksale.

Jemi tani në dekadën e dytë të shek XXI dhe ndodh e pabesueshmja! 27 vjet mbas rrëzimit të shtetit totalitar dhe monist në këtë të ashtuquajtur katrahurë demokratike, ideja e Censurës është gjallëruar fuqishëm.

Imagjinoni një ligj të Kuvendit për ndalimin e librave të quajtur te realizmit socialist dhe filmave shqiptarë! Do të ishte de facto krijimi i një Zyre Censure, por shembulli i filmit nuk ka se si të ishte dhe të jetë i vetëm. E njëjtja logjikë do të përdorej për romanet dhe poemat e shkrimtarëve, siç eshte parashtruar në një lloj projekt-ligji propozuar per Kuvendin dhe ligjvënësit. E njëjta gjë do të vepronte për muzikën dhe pikturën shqiptare, madje dhe për dramaturgjinë si dhe vlerat autoriale në përgjithësi.

Do të ishte një marrëzi erazmike, gati e pafalshme nëse do ndodhte diçka e tillë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *