26 Dhjetor, 2024

Nuk na e ka fajin Rajmonda Bulku, o njerëz!

 Nuk na e ka fajin Rajmonda Bulku, o njerëz!

Nga Adelina Shehu

Aktorja e njohur Rajmonda Bulku, ka përfunduar nën akuza të shumta ditët e fundit në rrjetet sociale, për shkak të angazhimit të saj në politikë.

Më saktë, për shkak të rikthimit të saj në Partinë Demokratike, parti në të cilën ajo ka qenë më parë deputete.

Gjithë revolta ndaj Bulkut, ka të bëjë me faktin se ajo është shfaqur krah një njeriu që është shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe familjarisht, për korrupsion dhe minim të demokracisë.

Kuptohet, në një vend të politizuar si Shqipëria, nuk mund t’iu shpëtonte sulmeve dhe Rajmonda Bulku.

Ndoshta dhe me të drejtë, pse është shfaqur krah Berishës.

Por është e padrejtë që Bulku te etiketohet si e shitur apo të sulmohet me lloj lloj epitetesh, pse ajo në fakt, kërkon një Shqipëri më të mirë, pavarësisht se krah kujt e kërkon.

Nuk na e ka fajin Rajmond Bulku, pse sot Shqipëria është në një gjëndje depressive.

Nuk është faji i saj, pse vetëm në një vit kanë ikur 36 mijë vetë nga Shqipëria dhe vendi po zbrazet me shpejtësi nga rinia dhe sot, një pjesë e mirë e njerëzve, për të mos thënë shumica, duan të ikën me çdo kusht nga vendi.

Nuk është faji i saj pse korrupsioni, padrejtësia, krimi, vrasjet, janë ulur këmbëkryq dhe i kanë zënë frymën Shqipërisë.

Nuk është faji i saj pse në një raport të publikuar sot, Shqipëria renditej si një nga vendet më të palumtura në botë.

Nuk është faji i saj pse sot arsimi, shëndetësia e kultura, janë në një gjëndje skandaloze.

“Faji” i saj i vetëm është pse kërkon një Shqipëri më të mirë!

Ndaj sot po e kryqëzojnë në rrjetet sociale, ata që e shohin realitetin vetëm sipas bindjeve politike.

Epo njeriu kur sheh që gjërat nuk po shkojnë mirë, e ka për detyrë të flasë e të bërtasë madje. Sidomos kur është një personazh publik, si zonja Bulku.

Nuk është faji i saj që zoti Berisha është non grata dhe opozita sot ka mbetur në dorë të tij.

Faji është i ne të gjithëve, që këto 30 vite kemi mbetur peng i personazheve të tillë si Nano, Meta, Rama, Berisha etj, që e kanë përdorur këtë vend veç për t’u pasuruar ata dhe njerëzit e tyre.

Dhe tani po ia nxjerrim një zonje si Rajmonda Bulku.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *