Muharrem Hoxha: Mirushi nuk e tregonte veten, edhe pse unë e ngacmoja “sa km ke bërë sot”. Por ai kishte qënë keq
Në Muzeun Historik në Tiranë po zhvillohen sot homazhet e fundit në ndër të Mjeshtrit të Madh të skenës, Mirush Kabashit, i cili ndërroi jetë të martën në moshën 75 vjeçare.
Kolegë të tij, por mbi të gjitha qytetarë të shumtë që janë rritur me artin e tij dhe e kanë adhuruar atë në dekada, janë rreshtuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit të skenës shqiptare.
Aktori i mirënjohur i humorit, Muharrem Hoxha, koleg dhe mik i Mirush Kabashit, tha për mediat:
“Siç ka shtëpia kolonat, unë them Mirushi ynë iku si një kolonë nga arti shqiptar. Nga arti durrsak dhe arti i gjithë Shqipërisë. Nderi i Kombit, po më duket se këtë dhimbje ia la kombit, kombit që i ka lënë dhe veprat e tij të mrekullueshme.
Ka qënë një punëtor i paparë, këmbëngulës, i zoti. Kudo, kudo ku ka shkuar ka marrë çmime, më duket rast i rrallë, jo në Kajro, jo në Ukrainë…
Më duket se Sokratin, nuk e di, po është e vërtetë e ka mësuar përmendësh greqisht dhe ka dhënë shfaqje. E ka mësuar greqisht dhe e ka dhënë. E pabesueshme!
Ishte pa qejf dhe nuk e tregonte veten. Bile i thashë: “Hë mor Mirush (se ka qënë notar i tmerrshëm, fillonte në mars dhe deri në shtator) ke bërë nga 10 kilometra dhe …”
– “Jo mor Rrem, nuk është ashtu, po sesi…Megjithatë s’jam keq…”. Por ai kishte qënë keq”, vazhdoi i prekur, Muharrem Hoxha.