7 Tetor, 2024

Mirush Kabashi, mjeshtri i karaktereve, realizues i roleve më pikante në kinema e teatër, recitues i pashoq

 Mirush Kabashi, mjeshtri i karaktereve, realizues i roleve më pikante në kinema e teatër, recitues i pashoq

Ka ndërruar jetë ai që padyshim ishte dhe do mbetet një ndër kokat e aktrimit shqiptar, jo një aktor i zakonshëm, por një gjeni i interpretimit dhe skalitjes së roleve, me rekordin e asnjë roli në negativ në karrierë.

Mirush Kabashi, një gjakovar nga Durrësi, ka dhënë frymën e fundit pas një periudhe të shëndetit të rënduar, duke lënë pas një karrierë brilante që përfshinte role nga më pikantet, duke qenë lëvrues i shumë zhanreve në aktrim.

Sa komik aq dhe dramatik, Mirush Kabashi ishte maja e realizimit e karaktereve në kinemanë shqiptare. Në teatër, ai realizoi të parën monodramë pas viteve “90-të, Sokratin, “Apologjinë” e tij me regji të Gëzim Kames, duke e luajtur në kohë e skena të ndryshme, edhe të huaja, për afro 30 vjet me rradhë.

Edhe pse aktrimi shqiptar ka skalitur emra të tjerë të mëdhenj, si Kadri Roshi e Sandër Prosi, Mirush Kabashi padyshim ishte në nivelin e tyre me role shumë më pikante, siç dhe Robert Ndrenika në jetë, me te cilin patën shumë realizime bashkë.

Më të veçuarit te Mirush Kabashi mund të përmenden rolet e Brahushit te “Dora e Ngrohtë”, me shprehjen e famshme “bisht qeni do mbetesh”, apo një rol pak minutësh te “Gëzhoja e vjetër”, Bakes, një shofer kinse gangster dhe pijanec, ku ai luan mjeshtërisht tipin që futet në sherr për një “pse m’sheh”.

Gjithashtu, rolet pantomimike, atë të një eremiti te “Kohë e largët” apo Veniamin Papës te “Emblema e dikurshme”, me skenën e një sulmi qensh ndaj tij, realizuar në mënyrë fantastike, ishte një shkëlqimeve të një ylli aktrimi që nuk u zbeh kurrë.

Me gati 100 role në kinema e teatër, Mirush Kabashi ishte një prej ikonave të artit aktorial të para ‘90-ës dhe më pas, duke u dalluar për intepretime poetike të jashtëzakonshme.

Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *