6 Tetor, 2024

Mirush Kabashi – emblemë e aktrimit, idealist i artit

 Mirush Kabashi – emblemë e aktrimit, idealist i artit

Mirush Kabashi me recitimet e tij të poezive ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare. Në njëfarë forme studiot televizive i shndërronte në skenë të monodramave. Nëpërmjet tyre përcillte porosi idealiste. Përtej kësaj, në karrierën mbi gjysmëshekullore në film e teatër do të bëhej një prej aktorëve më të pëlqyer, sidomos në komedi. Kolegë e miq vdekjen e tij e kanë përshkruar si një humbje të madhe për artin shqiptar. Trashëgimia e Kabashit është parë si peshërëndë, përderisa porositë e tij nëpërmjet artit si mesazhe të një artisti emblematik

Shqipëria e vitit 1997 bëri jehonë gati sa më 1991, kur u shemb komunizmi. Por në fund të shekullit të kaluar jehona qe për keq. Shteti përballej me një luftë civile, ku bandat kishin marrë nën kontroll shumë rajone. Por nëpërmjet artit, një aktor emblematik do të bëhej lajm ndërkombëtar për talentin dhe përkushtimin e tij. Asokohe “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis do të nxirrte në pah midis një mijë aktorësh Mirush Kabashin.Monodrama në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të Teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit i kishte sjellë aktorit “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm. Qe një lajm suksesi në një prej viteve më të trishta të shqiptarëve. I trishtë qe edhe lajmi i së martës, kur u kumtua se Mirush Kabashi vdiq. Ai ishte 75 vjeç. Kumti është dhënë nga familja. Me një karrierë mbi gjysmë shekulli, vdekja e Kabashit është parë si humbje e madhe për artin e kulturën shqiptare.

Karriera ikonike

I lindur më 17 prill të vitit 1948, në Shkodër, familja e Kabashit do të zhvendosej për të jetuar në Durrës. Me të atin nga Gjakova e të ëmën nga Durrësi, Mirush Kabashi qe fëmija i tretë i familjes. Me babanë që kishte bërë dy vjet burg shkaku i paragjykimeve të regjimit, dhe dy vëllezërit më të mëdhenj që kishin fituar të drejtën e studimeve duke plotësuar kuotën e kohës për një familje, Kabashi pak kishte shpresë që do të studionte. Kishte bërë një kërkesë formale që t’i lejoheshin studimet në inxhinieri elektrike, fizikë ose gjuhë angleze. Por fati do të përcaktonte që drejtori i shkollës ta rekomandonte atë për aktrim.

“Gjatë studimeve kam qenë student i mesëm. Vija nga një familje patriarkale dhe nuk hapesha shumë. Pastaj emërimi në Teatrin e Durrësit ishte gjë shumë e mirë”, do të rrëfente ai më 2021.

Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e programeve artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga viti 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” në Akademinë e Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989, Kabashi u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë u vlerësua si njëri ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në festivalin e aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit. Gjatë karrierës së tij Kabashi realizoi dhjetëra role në kinematografi midis tyre: “Ne dhe Lenini” (2008), “Nata” (1998), “Edhe ashtu edhe kështu” (1989), “Binarët” (1987), “Telefoni i një mëngjesi” (1987), “Zëvendësi i grave” (1987), “Nxënësit e klasës sime” (1984), “Kohë e largët” (1983), “Dora e ngrohtë” (1983), “Shoqja nga fshati” (1980), “Një ndodhi në port” (1980), “Gëzhoja e Vjetër” (1980), “Radiostacioni” (1979), “Koncert në vitin 1936” e të tjerë.

Kritiku i përhershëm

Kolegët e Kabashit e kanë vlerësuar lart atë. Aktori Bujar Asqeriu për mediat shqiptare ka thënë se me vdekjen e Kabashit ka humbur një artist i madh që me punë la gjurmë të mëdha në artin teatral dhe kinematografik. “Një humbje e madhe për të gjithë. Ishte aktor i rrallë tragjiko-komik. Me figurën e Sokratit na nderoi në arenën ndërkombëtare. Në poezi ishte mbret. E dashuronte poezinë në mënyrë të mahnitshme”, ka thënë ai. E ka vlerësuar lart edhe interpretimin e tij të poezive.

“Vargjet e Ali Asllanit, Mitrush Kutelit, Ali Podrimës tingëllonin në mënyrë magjike në gojën e tij”, ka thënë Asqeriu.

Ndërsa aktorja Margarita Xhepa e ka përshkruar Kabashin si njeri të dashur e të sinqertë, bashkëshort dhe prind shembullor e po ashtu shembullor për kolegët e teatrit.

“Me atë buzëqeshjen e tij, me atë humorin e hollë. Ishim duke xhiruar në një azil pleqsh në Kavajë, ‘Ne dhe Lenini’. Ai kishte një personazh të dorës së dytë, por ai shkëlqen edhe aty. Ai ishte një merak i jashtëzakonshëm, ai merrej dhe me detajet më të holla. Kishte pasion, e donte artin, shumë serioz në punë”, ka thënë Xhepa të martën për mediat shqiptare. E ka përshkruar atë si vetë artin.

“E bënte gjithmonë çdo rol të vërtetë. Ka qenë gjithmonë i shqetësuar në kuptimin e mirë për teatrin dhe kinematografinë. Studionte metoda nga më modernet se si të rritej më shumë arti shqiptar. Meraku i tij ishte që gjithmonë duhet të evoluojmë”, ka thënë ai. Sipas Xhepës, vërejtjet e tij ishin të mençura. Ka kujtuar se ai gjithmonë ka folur për artin.

“Edhe në plazh që jemi takuar një herë ishte me bashkëshorten e tij, edhe aty fliste për artin. Ishte i pazakontë. Ishte i përkushtuar për artin, kishte merak të jashtëzakonshëm, i qëndiste karakteret e roleve të tij. Ai kishte merakun e veçantisë, e shikonte jetën me seriozitetin më të madh”, ka thënë ai.

“Sokrati shqiptar”

Me rastin e vdekjes së Kabashit ai është kujtuar edhe nga udhëheqës institucionalë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në rrjete sociale se dita e martë ka nisur me pikëllim shkaku i vdekjes së Mirush Kabashit, “aktorit të madh shqiptar të teatrit dhe kinemasë”.

“Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit, si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori. Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe”, ka shkruar ai. Sipas Kurtit, Mirush Kabashi ishte ‘Sokrati’ i vërtetë, tek “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis.

“Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke u përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrën dhe flokët e shpupurishura, si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit”, ka shkruar Kurti. Ai ka thënë se ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit iu fal gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik. “Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin”, ka shkruar Kurti.

Më të shkurtër në kujtim të Kabashit kanë qenë presidenti e kryeministri i Shqipërisë.

“Lamtumirë artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë ‘Nder i Kombit’, Mirush Kabashi”, ka shkruar në rrjete sociale presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Kurse kryeministri Edi Rama ka shkruar “Lamtumirë Mirush”.

Si aktor që më së shumti mbahet mend për komedi, Kabashi kishte përqeshur edhe raportimet e rreme për vdekjen e tij. Më 2021 kur u raportua për vdekjen e Kabashit ai ishte tallur duke thënë se tashmë e dinte se çfarë do të thoshin njerëzit pas vdekjes së tij.

“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme, sepse thoshin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia. Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur”, kishte thënë ai pak ditë pas lajmit më 2021. Në këtë rast kishte thënë se gazetarët duhet pasur kujdes me verifikimin e lajmeve. Në dekadën e fundit qe bërë fort popullor me recitimin e poezive. Me këtë kishte bërë për vete shumëkënd. Qe një prej “skenave” që e bëri atë emblemë të aktrimit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *