Mevlan Shanaj iu përgjigjet deputetëve të PD: Ç’keni me filmat e komunizmit, o të paudhë?
Regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj ka folur për filmin shqiptar para viteve 90-të.
Shanaj ka komentuar edhe nismën e deputetëve të PD-së për ndalimin e filmave të para viteve 90-të.
Shanaj shprehet se filmi është histori e art dhe sipas tij arti nuk censurohet, madje ai propozon referendum për të pyetur nëse filmat shqiptar të para viteve 90-të të censurohen apo jo.
“Filmi është histori, art. Filmi është biografi, karakter, dramë, aty sheh veten, familjen, marrëdhënien me punën, me shpirtin, me shtetin.
Nuk ka njeri në çfarë do lloj moshe të dijë se cili është.
Nëse do te ishte kaq e prekshme dhe kaq e dëmshme kjo, dhe dëmet sikur këtu po organizohen programe të caktuara dhe po dhunojnë lirinë ose po prekin plagët e njerëzve të caktuar të asaj kohe, le të kalojë në referendum. Propozoj referendum. Nuk censurohet krijimtaria.
Arti i realizimit socialist ka parimet e tij dhe kudo edhe në lindje ishte e njëjta filozofi. Filozofia e sistemeve ka qenë e njëjtë.
Ka pasur edhe gjëra të tepruara po nuk mund të dalësh kundër dhe të thuash të ndalohen filmat të para viteve 90’.
Jemi në kohën e tolerancës dhe çdokush ka të drejtën e zgjedhjes”, u shpreh regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj.
Artisti u shpreh se prej kohësh në Shqipëri, nuk ka më kinema, duke sjellë që publiku të orientohet tek këto prodhime.
“Sot në Shqipëri po bëhet dhunë kulturore. Është një genocid. Ky formatim social, i paditur, i painformuar, do të bjerë viktimë që të shikojë Big Brother-in.
Shqiptarët nuk kanë çfarë të shohin tjetër. Dikur kishte një kinostudio, tani ajo nuk ekziston më. Dikur kishte kinema, tani nuk ka më as kinema, as filma shqiptarë. Tani Shqipëria ka vetëm filma turq, dhe i vetmi prodhim shqiptar është Bigr Brother dhe Përputhen. I mungon një alternativë tjetër. Është një informacion i kufizuar, por gjithashtu i imponuar.
Unë dhe kolegët e mi kemi përfituar nga puna jonë respektin e publikut. Kjo është pasuria më e madhe për ne, adhurimi i njerëzve. Kjo vlen më shumë se sa çfarë po shohim kohët e fundit, siç këto novelat apo përrallat me mbret si Big Brother.
Ata janë programe që prodhojnë para, por para lavdisë së nderit, para personalitetit, paratë janë të këqija. Unë dhe shokët e mi jetojmë të nderuar. Nuk është slogan për të shitur mend, por asnjëri nga ne nuk lyp, asnjëri nga ne nuk është bërë manjat i ndonjë medieje që të ketë para pafund. Unë kam 45 vjet me këtë emër, nuk bëhet dot emri për 45 ditë”, tha Shanaj.