Mevlan Shanaj: Anastas Kristofori, një mik i mirë që bëri një jetë modeste dhe u “harrua” nga të gjithë
Mevlan Shanaj, duke folur për largimin e Anstas Kristoforit nga kjo jetë, rikujton se ai ishte një djalë me intelekt dhe fin në krijimin e karaktereve, me një zë të ngrohtë dhe tepër modest.
“Ishte një mik shumë i lashtë. Qysh nga vitet 66 e deri më sot.
Iku një vlerë kombëtare, jo vetëm një mik personal. Anastas Kristofori ishte një aktor tepër i veçantë në Teatrin Popullor që quhej, dhe ai deri në fund ka lënë gjurmë tek publiku, por edhe tek shoqëria.
Një djalë me intelekt dhe shumë fin në krijimin e karaktereve, me një zë të ngrohtë dhe tepër modest.
Tërë këto vite, asnjë nuk dinte se ç’bënte Anastas Kristofori. Ai jetonte në rrugën Myslim Shyri, por modestia e tij, tërheqja e tij i jepte madhështi ndjenjës që kishte për artin më të bukur, atë të aktrimit në skenë.
Prej viteve të tëra ka punuar me regjisorë të ndryshëm, sidomos me Piro Manin dhe arrinte në publik, por një komunikim më të thjeshtë e ka në “Pallatin 176” ku unë kam qenë regjisor.
Çdo rol e bënte me seriozitet. Më kujtohet njëherë, kishte parë diku regjistrimet televizive dhe erdhi i shqetësuar më tha: A ka mundësi se kam merak se si më ka dalë ky monolog.
Ishte një bashkëpunëtor shumë i mirë. Publiku nuk e di por Anastas Kristofori shquhej për intelekt, ai asnjëherë nuk atakoi të tjerët, por bëri një jetë modeste”- u shpreh Shanaj.