20 Shtator, 2024

Matilda

 Matilda

E pashë Matildën të thinjur, në një buzëmbrëmje marsi

ndërsa në heshtje e disi e përhumur hapin hidhte në rrugë.

Sikur të ishte e dashura ime e hershme një çast ndala hapin;

më ngjau, si një xixëllonjë e plagosur tek drita e syve, në buzë.

E pa vënë re nga askush ylli i hershëm ikte përgjatë bulevardit

ndërsa hapin lehtë hidhte dhe përkundej në të sajin trishtim.

E ndoqa krejt padashur drejt qendrës deri te kulla e sahatit.

E lodhur m’u duk dhe e dërrmuar, sikur kërkonte ndihmë.

Por ajo, mospërfillëse ikte pa ia ndjerë për mua dhe për turmën,

as për trokitjen e hapave pranë e vezullimin e gënjeshtër përreth.

Turma, që e mahnitur ndalte e me vështrime e gjuante dikur rrugës,

tani nuk e di, cila është thinjoshja e përhumbur e shikimin s’ia hedh.

E pashë Matildën, yllin dritë venitur në një buzëmbrëmje marsi,

në qytetin ferr ku vetëm dhëmbët e dordolecëve zhulësa ndrijnë.

E pashë dhe si pas një ylli të sapo këputur nga qiejt zgjata hapin

e thashë: “Në ferr të jesh një shpirtndritur është mëkat e mallkim!”

(Kujtim M Hoxha)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *