10 Nëntor, 2024

Marjeta Ljarja, një shpirt që shfaqi njerëzoren në kinematografinë shqiptare

 Marjeta Ljarja, një shpirt që shfaqi njerëzoren në kinematografinë shqiptare

Nga Albert Vataj

Nuk shkriu, dimër as verë, ai “top bore”, qysh në vitin 1978. Sot 45 vite pas, ende është e bardhë ajo hijeshi tek Mrjeta Ljarja. Ishte vit i përmbushjes së ëndrrës së madhe; ai vit, ajo sprovë, ai deputim, ajo prekje fati për vajzën pogradecare. Padyshim cak i kapërcimit të ylberit të ëndërrtares shpirtdlirë e fytyrdritur, që guxonte të hidhte një hap në botën që u shndërrua në jetën e saj, arti skenik.

Donika, në filmin “Në pyjet me dëborë ka jetë” është roli i parë i aktores Marjeta Ljarja në kinematografi, është hapi i vogël në madhështinë e botës së kinemasë.

Te ky film, më shumë se kujtesa dhe dëshmimet, rikthimi në memorie dhe rijetësimi në emocione, janë çfarë rreket të ribëjë atyshmërinë, të rikthejnë të shkuarën, të ridimensionojnë realen e këtij përjetimi. Po, atëkohën, kur Marjeta Ljarja lauajti veten tërësisht shpirtërore në një film, ofroi bukurinë dhe dlirësinë e gruas delikate, ëndjen e “romantikës së borës”, dritshmërinë e atij shpirti, që shkëndinte kaq hirshëm përmes një butësie të buruar prej thellë.

“Në pyjet me borë ka jetë”, do të shënjonte kurorëzimin e dashurisë me Rikardin e mbretërimit në artin tonë skenik. Qysh prej atij përkimi zemrash që matnin hapat me rrahje zemre, dy hire njerëzore dhe shpirtërore do të vraponin drejt altarit. Gjithçka pikënisi në Martanesh, në mëtimin e asaj qasje ndijimesh do të shkrepte idili i bukurisë së brishtë të vajzës pogradecare dhe djaloshin sharmant shkodran. Nisën ëndrrën në një film dhe sfiduan jetën së bashku në art.

Vitet kanë rendur sakaq, pas kanë mbetur vetëm kujtime. Rikardi, që më 1 prill 2023 ka 80-vjetorin e lindjes, që do të kremtohet me një film dokumentar të Mevlan Shanajt, rrëmbeu një lamtumirë të parakohëshme 3 vite të shkuara, për të mbetur i plazmuar në memorie dhe mall i pashlyer, dhimbje dhe mungim gjithashtu.

Edhe pse Marjeta humbi në një pakohje bashkëshortin, Rikardin, ende është tek ajo çfarë ai mishëroi, në identitet dhe integritet. Ajo sot, qesh ende hirshëm si një Marjetë e liqenit, duke kumtuar atë vajzën e hirshme dhe zonjën e fisme të krijimit dhe interpretimit, por pa lejuar të shuhet prej kujtesës të gjallët e pjesës së saj të shtrenjtë, Rikardin. Ajo në zemër, dhe ëndja jonë në dëshirime, ëmbëltimin i’a mbajmë përjetuese, po, si asohershëm, drojshëm dhe meditues siç ishm ai, si një Rikard i mbrëtërimit labeat, kah vjen Kiri, vërshon Drini, ngërthehet Buna, e paqton Liqeni.

Pas 45 vitesh, kujtimet rrëmojnë e nxjerrin në dritë prej jetës në pyjet me borë, një episod: “Kur u mblodhën me kursantët një darkë në kinemanë e qytezës për një bisedë për artin e që në të erdhën të gjithë aktorët, një shoku im Kostaq Pashko, një korçar, duke e ditur që Rikardi e kishte diçka në zemër për Marjetën, iu drejtua Ndrek Prelës dhe i tha “ti gjysh, (se rolin e gjyshit kishte në film), duhet t’i martosh nipat”. Dhe Ndreka tha fort: “Pooo, atë po bëj”. Rikardi qeshi, kurse Marjeta uli kokën dhe u skuq.”

Rikardi s’është më, por Marjeta e frymon me jetë kujtesën dhe shpirtje andjen nostalgjike.

Jeta e saj është e saj, por pazgjishmërisht është e aktit krijues, e atij lartësimi që ajo i bëri shpirtit përmes talentit dhe përkushtimit, atij zjarri të ngulmët mëtimi në jetë të roleve dhe personazheve, karaktereve dhe tipave, identiteteve dhe botkuptimeve, gjithësisë së asaj bote që Marjetën e ngriti në Panteon dhe zëshmërinë e saj mëtuese në apogjeun e artit tonë skenik.

Marjeta ishte ajo dhe ajo mbeti, ajo që ne e përcjëllim përmes interpretimeve që la, që janë vetë mëkimi shpirtëror, përmes së cilës ajo blatoi çfarë kishte më të shtrenjtë, jetën, në themelët e këtij arti që sot ndodhet në një kacafytje për ekzistim apo vdekje, për fatkobin e kohjes, ndeshjes së viktimës kundër viktimës.

Megjithatë, Marjeta si dhe bashkëudhëtarët në këtë rrugëtim të gjatë të një prej arteve më përfaqësuese të shpirtit tonë krijues, kumton vendosmëri dhe qëndresë për të ruajtur jo dhe aq rolet e saja se sa vetë zemrën dhe shpirtin që i’u dha kësaj shenjtërie.

Marjeta Ljarja, u mirëprit dhe mori vlerësime, në Festivali i III ka marrë kupën e eventit me filmin “Vajza me kordele të kuqe” 1979, në Festivali e VII, sërish vlerësohet me kupë për filmin “Fillim i vështirë”, 1987, sërish Marjeta Ljarja triumfon në Festivalin e VIII në filmin “Rrethi kujtesës”, 1979. Për veprimtarinë e saj të çmuar është nderuar me “Qytetere Nderi” e qytetit të Pogradecit.

Gjithashtu për meritat artistike, që ajo i përcolli rol pas roli e film pas filmi, është vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”, duke ju bashkuar kështu aradhës së gjatë të mjeshtrave të artit tonë skenik, atyre që e ngjiten lart këtë traditë dhe interpretimit i mëkuan një shpirt plot pasion dhe përkushtim drite.

Marjeta Ljarja aktore, spikat në teatër, përmendim sfidat e saj, “Cuca e Maleve”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” të Luixhi Pirandelos, “Vizita e Damës plakë” e Durrenmatit, “Rikardi i III” dhe “Dy zotërinjtë nga Verona” të Shekspirit, “Këmbanat e Muzgut” e Teodor Laços, etj.

Por emrin më lavdoplotëm Marjeta Ljarja e ka si aktore filmi me mbi mbi 15 role kryesore, ku ajo u dedikua me gjithë qenien.

Në një vështrim telegrafik, filmografinë e saj e përbëjnë “Vajzat me kordele të kuqe” – (1978), “Në pyjet me borë ka jetë” – (1978), “Kur xhirohej një film” – (1981), “Rruga e lirisë” – (1982), “Një vonesë e vogël” – (1982), për të vijuar në rolin e Sarës, bashkeshortja e Andit në “Asgjë nuk harrohet” – (1986)…, Drita në “Rrethimi i vogël” – (1986), Zana në “Fillim i vështirë” – (1986), Marjana në “Telefoni i një mëngjesi” – (1987). Dhe vijon sfida e saj në një film legjendar, “Rrethi i kujtesës” – (1987), ku ajo sjell me një vërtetësi rrënqethëse dhe fuqi dërrmuese, Margaritën, një viktimë e eksperimenteve mizore naziste, rol të cilin ajo e ngre në një zenith të pazotërueshëm më parë nga virtuozët e artit tonë skenik. Për të vijuar Marjeta me rolin e Nerencës në filmin, Vitet e pritjes” – (1990), sprovën televizive, “Prindër të vegjël” – (1991).

Pasndryshimet politike e gjejnë atë në rolin e drejtoreshës së fabrikës në filmin, “Lamerica” – (1994) që kulmon në shumësinë e njerëzoreve që mbruhen në një fuqi përjetimi në “Viktimat e Tivarit” (1996), “Nata” – (1998), roli i hallës në “Njerez dhe Fate” – (1983) dhe të kryemurgeshës në “Koha e Kometes” (1987 – 1989).

Kësisoj këtu është e gjithë jeta e saj, në këto caqe është e shënjtuar e gjithë çfarë ajo ka lartësuar me mish e me shpirt për të qenë dhe për të mbetur një personalitet unik në artin tonë skenik.

Vlen për t’u risjellë në kujtesë 10 vitet që Marjeta ka drejtuar në televizion emisionin e femijëve. Gjithashtu në vitet 1995-1997 ishte drejtoreshe e artit në Ministrine e Kultures, Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 1997 emigron në Greqi për t`u kthyer serish në Shqipëri në vitin 2003.

Vajza e Pogradecit solli në film e në skenë, në shembullin e gruas, bashkëshortes, bashkëpunëtores, koleges dhe qytetares, butësinë dhe brishtësinë e një zemre plot trokitje ndjenje dhe pasioni, shkëlqimimin dhe ngrohtësinë e një shpirti të dielluar nga një yjësi që shkroi me kujdes dhe ngulm konstelacionin e një kumti krijues.

Marjeta erdhi në një kohje të jetës, në familje dhe në sheshxhirime, që do ta kishte të pamundur të ndryshonte, por të ishte ajo që miket e njihnin dhe kolegët e kishin vlerësuar. Do të ishte ajo, shpirt dhe pasion, me të cilën do të stolistë çdoditshmërinë dhe lartësonte aktin jetëdhënës të së bukurës, të së pavdekshmes, në jetë, në komunitet, në zakonshmëri, por në kryeradhë, aty ku misioni i artistit i thërriste dhe përgjegjësia profesionale e vinte në sprovë.

Ikjet dhe qëndrimet, e atëhershmja dhe tashmëria, kujtimet dhe realja, janë të prekshme tash e përgjithnjë, dhe… Marjeta dhe Rikardi padyshim që ishin dhe mbetën shpirtra binjak. S’kishte se të ishte çfarë kishte njëri, të mos ishte përfshirje dhe përjetime tjetrit.

Sot kur filmi shqip, kinematografia dhe gjithë ajo traditë dekadash gjendet në “bankën e të akuzuarve”, Marjeta Ljarja Ilo, nuk mund të mos ishte një dalëzotëse. Edhe ajo i bashkohet shpirtërisht dhe vendosmërisht apologjisë sokratiane duke mëtuar se: “Njerëzit e artit janë kultura e kombit, vetë arti është pasqyrim i jetës me mjete të bukura. E kushdo që e shpreh, e nxit, e bën, e zhvillon të bukurën, është vetë e bukura e njerëzimit, është vetë mirësia e tij. Filmat tanë artistikë, pavarësisht se kur janë bërë, pavarësisht se kanë pasur brenda vetes edhe ideolgjizimin, unë do të thosha se e kanë pasur atë nga halli, se ua kërkonin. Ndërsa vetë ata, aktorët, regjisorët, skenaristët, kanë kërkuar të bukurën, të mirën, detajin, karakterin dhe nuk e kanë vrarë shumë mendjen për polititizimin. Atë e kanë shtuar të tjerët, por edhe nëse e kanë , kjo sepse ua kanë kërkuar, sepse po të mos ishte ajo, libri nuk botohej, filmi nuk shfaqej. Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur. Sepse në themel të tyre ishte njeriu që luftonte për liri, fshatari që mbillte grurin edhe misrin, edukatorja që edukonte fëmijët, nëna që lodhej për rritjen e fëmijve, mjeku që shëronte, inxhinieri që futej në minierë një lloj si punëtori, dasma që kalonte në alegri, hidhërimi që përballohej bashkë, kënetat që thaheshin, dritat që vinin, spitalet që ndërtoheshin, shkollat që masivizoheshin, zakonet e veshjet e prapambetura që luftoheshin, kumtonte ajo në një intervistë të parapakkohëshme.”

Ky është pak a shumë profili i Marjeta Ljarjes, aktores që shkëlqeu në të gjitha sfidat, si në teatër ashtu edhe në film, por ajo që e ngjiti më lart yllin e saj është filmi “Rrethi i kujtesës”, një potencial aktrimi embelatik në historinë kinematografike i Margaritës, të cilin Marjeta Ljarjes e solli në jetë kur ishte vetëm 32 vjeç. Ishte ky roli që kulmoi traditën e kinematografisë shqiptare, ku vezullimi i zymtë i një tragjizmi fokusoi në një pozitë të pathyeshme protagonisten Marjeta Ljarja, pjesë e një kaste virtuozësh, si Agim Qirjaqi, Luiza Xhuvani, Ermira Gjata, Rikard Ljarja, Thimi Filipi, Stavri Shkurti, Ilia Shyti dhe Margarita Xhepa.

Rolet e Marjeta Ljarjas ishin çfarë ajo mishëroi shpirtërisht, duke mëkuar karmën e thellë të qienies dritur në hir e përjetim. Edhe pse largimi i saj nga skena rezultoi i hershëm, galeria e roleve që la, shembulli që fiksoi, janë dhe do të mbeten një testament vlerash interpretuese. Në nënlëkurën e personazheve që ajo solli në skenën e teatrit dhe në film, ajo depërtoi Marjetën që u blatua mish e shpirt. Sepse për artisten arti është vetë jeta dhe ajo jetoi dhe jeton ende nën këto projektorë fokusimi vlerash dhe përfaqësim

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *