26 Dhjetor, 2024

Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit: Kur kryetari i gjykatës e akuzoi Kadri Hazbiun se kishte pasur plane të vriste Enver Hoxhën

 Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit: Kur kryetari i gjykatës e akuzoi Kadri Hazbiun se kishte pasur plane të vriste Enver Hoxhën

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’

Nga Bashkim Trenova

(Vijon nga numrat e kaluar)

Stërvitja ushtarake “Biza”, me marshimin e çmendur që na sfiliti të gjithëve dhe fjalimi i kryeministrit Mehmet Shehu kur mbërritëm në Vidhkuq!

Nga kërcënimet e Mehmet Shehut, rrezikonin të humbin punën mjaft punonjës të Radio Televizionit. Për ta u propozua gjithashtu që të mos ishin më oficerë rezervistë. Një shoku im, Hysni Lita, me të cilin kishim punuar dikur së bashku në Radion e Jashtme, rrezikonte të kalonte në gjyqin ushtarak. Hysniu ishte oficer rezervist si edhe unë e të gjithë punonjësit, që kishin mbaruar studimet universitare. Më kishte qëlluar disa herë të bëj stërvitje ushtarake dhe marshime të gjata disaditore me të e trupat rezerviste që komandonim. Ishte shembullor. Më i zellshëm edhe se një oficer karriere. Tregohej tepër i kujdesshëm, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar ushtarët rezervistë të njësitit të tij. E kam parë duke i mbajtur mbi shpinë për të kaluar një rrjedhë lumi. Ai qëndronte gjithnjë pranë tyre. Tani i duhej të dilte para gjyqit ushtarak sepse stërvitja “Biza”, jo për fajin e tij, ishte konceptuar me mendjelehtësi e injorancë profesionale nga  Ministria e Mbrojtjes.

Nuk e di se si rrodhën më tej ngjarjet, a u dënuan punonjësit e Radio Televizionit apo jo.Sidoqoftë, di se  Hysniu nuk kaloi në Gjykatën Ushtarake.Unë i kam shkuar në shtëpi për ta uruar.Në apartamentin e tij një dhomë ishte mbushur me karrige që prisnin miqtë e kolegët e Hysniut për ta uruar që i shpëtoi një ndëshkimi krejtësisht të pamerituar, që do ta kishte ndjekur më pas gjatë tërë jetës.Ishte si një atmosferë dasme.Përse? Sepse ai nuk u ndëshkua nga ata që e meritonin ndëshkimin.

“Biza”, në të vërtetë, nuk ishte një rast i izoluar apo aksidental. Nuk mbaj mend një rast të vetëm, një stërvitje të ngjashme, që të mos ketë përfunduar si “Biza”. Më kujtohet mjaft mirë marshimi i qindra vetëve, në mos më shumë, ushtarë e oficerë rezervistë të Brigadës së I-rë, duke përshkruar itinerarin Vaqar i Tiranës – Vithkuq i Korçës. Këtu ishte krijuar kjo Brigadë në vitet e Luftës. Bëmë qindra kilometra në këmbë duke kaluar rrugë e pa rrugë, pa ngrënë e pa pirë, majave të maleve e shtigjeve ku nuk kishte shkelur këmbë njeriu. Mehmet Shehu kishte urdhëruar të bëhej ky marshim për të thyer rekordin e marshimit të ushtrive të vendeve borgjeze dhe revizioniste, siç quheshin vendet komuniste të ish-bllokut sovjetik. Ne na kërkohej të shpalleshim kampionë botërorë të marshimit ushtarak!

Në të vërtetë, ne u bëmë kampionë të sfilitjes, të një dërrmimi të përgjithshëm. Në kushte lufte, në këtë gjendje, ne nuk do të kishim qenë të aftë as të hidhnim një hap, duke ruajtur ritmin e tij normal, as të merrnim frymë normalisht, as të shënonim, e jo më të përballonim e të fitonim mbi armikun. Duart dhe tërë trupi ynë dridheshin, lëkundeshin e qëndronin jo për të gëzuar fitoren imagjinare mbi armikun, por për të dëshmuar se ne ende nuk kishim marrë fund, ende jetonim.

Si shpëtuam nga vdekja në marshimin e çmendur të Brigadës së I-rë Sulmuese, nga Vaqarri në Vidhkuq të Korçës?

Në këtë marshim të çmendur u shpartalluam si në të tëra marshimet e tjera. Në një pjesë të rrugës, Andon Dede, një shoku im i Radio Televizionit, nuk mund të ecte më. Këmba pothuajse i ishte paralizuar. Shokët e kompanisë së tij ishin shpërndarë maleve, ashtu si edhe ata të kompanisë që duhet të komandoja unë. Nuk mund ta braktisja atë. Vazhduam të ecim së bashku në errësirë pa ditur ku jemi e në ç’drejtim po shkojmë. Kishim kujdes vetëm që të mos humbisnim nga shikimi dikënd, kushdo qoftë ai, por që ndodhej disa metra para nesh. Mundoheshim kështu të mos humbisnim lidhjen me Brigadën, jo për hirë të detyrës ushtarake që na ishte besuar. Ishte instinkti ynë që lëshonte komandën për të mbijetuar me çdo çmim dhe në çdo rrethanë. Kështu arritëm në një majë mali më tepër si fantazma se si njerëz. Deshëm të shtriheshim paksa për të marrë forcë. Pasi qëndruam aty disa minuta vendosëm të vazhdojmë rrugën. Në majë të malit frynte një erë e ftohtë. Ne nuk mund të qëndronim aty. Në trurin tim u krijua një vatër dominonte që më urdhëronte të kërkoja e të gjeja një kasolle të braktisur barinjsh ku do të mund të çlodheshim disi, ndoshta të kalonim natën. Për herë të parë në jetë fillova të shihja mirazhe.

Më bëhej sikur shihja një kasolle dikund pranë nesh, në errësirë. Meqë kjo pamje filloi të më përsëritej shpesh, që të mos e tërhiqja me vete për kot Andonin, i thoja atij të qëndronte, të më priste aty ku gjendeshim. Vetë ndiqja rrugën deri në distancën ku duhej të gjendej kasollja e ëndërruar me sy hapur, deri aty ku do të zhgënjehesha edhe një herë. Më në fund vendosëm të kalojmë natën, ose disa orë, në një kanal vaditës që e ndeshëm gjatë rrugës. U futëm të dy në një tubacion uji. Pas pak u ngritëm dhe vazhduam rrugën sërish. Nuk më kujtohet se kujt nga ne i shkoi mendja, se aty mund të na zinte gjumi dhe mundet gjithashtu që fshatarët të lëshonin ujin për vaditje. Në një rast të tillë, të dërmuar apo si të vdekur, ne rrezikonim të mbyteshim, pra të vdisnim me të vërtetë.

Operatori i RTSH-së, Bujar Kore, kërcënoi me vrasje oficerin që e provokoi!

Më në fund arritëm në Vithkuq. Arriti pas nesh edhe Mehmet Shehu. U rreshtuam edhe këtë herë si edhe në stërvitjen “Biza”. Mehmeti mbajti një nga ata fjalimet e zjarrta të zakonshme, duke i’u referuar një heroizmi e patriotizmi idiot, që ndoshta mendonte se ia rrisnin lavdinë, kultin. Dukej sikur gjithçka ishte bërë vetëm për t’i dhënë atij rastin që të tregohej një atdhetar i madh, një ushtarak e strateg i kalibrave të panjohura, një tiran që mbulohej nga hija e një super tirani, por që nuk kishte më pak “vlera” se ai. Pas fjalimit të Mehmet Shehut, ne morëm rrugën e kthimit për në Tiranë.

Kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë nga ajo kohë dhe mua nuk më harrohen fjalët e  Bujar (Kores?), një djali të ri, operator i Radio Televizionit Shqiptar. Një oficer karriere e pyeti se si ndjehej tani që po ktheheshim? Përgjigja ishte: “Nëse do të ishim në kohë lufte, ti do të ishe i pari i vrarë nga unë”! Oficeri i gjorë ishte përgjegjës po aq sa edhe ne të tjerët. Bujari, nuk është se nuk e dinte këtë gjë. Ndoshta fjalët e tij ishin fjalë dëshpërimi, ndoshta trokisnin tek oficeri i thjeshtë, por adresën e kishin gjetkë, shumë më lart! E kam takuar atë rastësisht para disa vitesh. Punonte si operator në një televizion privat në Tiranë, tek “Piramida”. Më ofroi një kafe ndërsa unë prisja të takohesha me Filip Çakullin, ish- kolegu im në “Rilindja Demokratike”.

Takimi im me Mehmet Shehun dhe Fiqretin, në Shtëpinë e Hysni Kapos!

Me Mehmet Shehun dhe Fiqrete Shehun, jam takuar edhe më pas. Kam përmendur, duke shkruajtur disa radhë për fëmijërinë time , edhe për një takim që u bë në shkollën “Kongresi i Lushnjes” midis Fiqrete Shehut dhe zgjedhësve të zonës ku ishte paraqitur kandidatura e saj. Aty e kam parë për herë të parë Fiqrete Shehun. “Takimi” tjetër me të është disi më i personalizuar. Në të vërtetë është nëna ime ajo që e ka takuar atë për mua. Me siguri kjo do të ketë ndodhur në përvjetorin e ndonjë ngjarje të shënuar të Luftës. Nëna i ka përsëritur Fiqretes, kërkesën që ia kishte bërë më parë, pa rezultat, edhe Nexhmije Hoxhës, gruas së diktatorit. Nëna i tha asaj të ndërhynte e të bënte të mundur një udhëtim prej disa ditësh jashtë shtetit për mua. Unë nuk e di a ndërhyri Fiqerete Shehu apo jo. Në fakt, pas kësaj bisede, mua më caktuan të shoqëroja si gazetar Ansamblin Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore, që do të bënte një turne një mujor në Francë. Mundet të jetë thjesht një rastësi përputhja midis kohës së bisedës dhe asaj të turneut të Ansamblit! Nëna nuk pati ndonjë takim tjetër me Fiqreten. Ngjarjet do të rrokullisen shumë shpejt dhe familja Shehu do të zhdukej nga protokolli zyrtar, madje do të zhdukej fare në një mënyrë mëse tragjike.

Takimi im i vërtetë me Fiqreten dhe bashkëshortin e saj, kryeministrin e vendit, Mehmet Shehu, është bërë në shtëpinë e Hysni Kapos, një nga anëtarët më të rëndësishëm të udhëheqjes komuniste shqiptare. Së bashku me dy apo tre shokë të tjerë të kolegjiumit të “Zërit të popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë, kishim shkuar për vizitë në shtëpinë e Hysni Kapos me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij. Ne na priti gruaja e Hysniut, Vito Kapo. Hysni Kapon, edhe ky ‘Hero i Popullit’, nuk kam patur rastin ta takoj. Kujtoj se ai më kishte vënë emrin “Bashkim” në Sevaster të Vlorës, ku edhe kam lindur. Mendimet apo opinionet për Hysni Kapon janë nga më të ndryshmet, nga më ekstremet. Ka midis tyre që e vlerësojnë atë si njeri të ndjeshëm ndaj halleve të njerëzve të popullit. Unë di se motra ime, Engjëllushja, i ka shkruajtur atij një letër në të cilën i prezantohej si motra e “Bashkimit”, të cilin ai e kishte emëruar kështu në vitet e vështira të Luftës. Motra jetonte prej disa vitesh e vetme me tre vajzat e saj të vogla në Tiranë. Bashkëshorti i saj ushtarak, ishte emëruar komandant i Brigadës së Lushnjes dhe jetonte në Lushnje. Vetëm në fundjave ai kthehej në shtëpi. Motra i kërkoi Hysni Kapos që ta ndihmonte, të bënte të mundur që i shoqi të kthehej pranë fëmijëve. Hysni Kapo e ktheu atë në Tiranë, ku u emërua pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Në stilin komunist mund të kishte vepruar edhe ndryshe, të transferonte motrën time me tri vajzat e saja pranë të shoqit, në Lushnje, ose, siç përsëritej në raste të tilla, “atje ku ka nevojë Atdheu.”

Vito Kapo e ktheu nënën time me punë në Tiranë, pasi e hoqën nga shefe e kuadrit në Kooperativën e Konsumit!

Me Vito Kapon gjithashtu nuk isha takuar ndonjëherë përpara kësaj vizite. Atë e kisha ndjekur në kronikat e lajmeve.Si Presidente e Gruas Shqiptare, ajo përfaqësonte këtë organizatë në kongrese të ndryshme në botën e jashtme. Vito të tërhiqte vëmendjen me sjelljen e saj të një femre delikate, me veshjen e saj të thjeshtë por me shije. Ajo mbante gjithnjë në duar një çantë të bukur. Asnjë grua tjetër e Bllokut nuk i ngjante asaj në këtë vështrim. Vito Kapon e mbaj mend gjithashtu edhe për një vendim të saj që lidhet me nënën time. Ato kishin qenë shoqe lufte. Vitet kishin kaluar e nëna punonte si përgjegjëse e kuadrit në Kooperativat e Konsumit. Prej aty e larguan dhe e dërguan jashtë Tiranës, si përgjegjëse e një punishteje të vogël pastash e reçelërash, ku punonin jo më shumë se tre apo katër punëtorë. Nëna nuk u ankua askund për largimin e saj nga Tirana. Ndoshta ndonjë nga shoqet e saj i kishte treguar Vito Kapos, se si ishin sjellë me nënën. Ishte ndërhyrja e saj që e ktheu atë sërish në detyrën e përgjegjëses së kuadrit në Tiranë.

Nga familja Kapo unë kam edhe një kujtim gjatë ditëve, që u ndodha në Paris me Ansamblin Shtetëror të Këngëve e të Valleve. Një nga këto ditë më thërritën në Ambasadën Shqiptare për të bërë një bisedë telefonike me kryeredaktorin e “Zërit të popullit”, Agim Popa. Ai më kërkoi që koncertet e Ansamblit në Francë të pasqyroheshin në mënyrë më entuziaste. Unë duhet të shkruaja jo thjesht se Ansambli ynë ishte i suksesshëm, gjë që ishte e vërtetë, por se ai po habiste Francën dhe se një art e një folklor i tillë, i kurrkund gjendur, lulëzonte vetëm në Shqipërinë socialiste, vetëm në sajë të Partisë së Punës dhe të shokut Enver Hoxha. Pas bisedës telefonike me Tiranën, fola pak edhe me ambasadorin  e Shqipërisë në Paris, Misto Treskën. Ai, pasi qeshi lehtë, më tha: “Shtoi ujë Bashkim”. Lidhja telefonike me Tiranën, që u bë gjatë kohës që trupa ishte duke ngrënë drekë në një restorant të Parisit, mua më la edhe pa drekë. Rastisi që ndërkohë vjen në ambasadë, Besnik Kapo, djali i Hysni Kapos dhe i Vito Kapos, më duket student në Paris. Ai këmbënguli dhe më çoi në një snajk parisian, ku më ofroi diçka për të ngrënë. Me të nuk njiheshim më parë.

Fjalimi i panjohur i Enverit, për dyshimet e familjes Kapo, për vdekjen e Hysniut!

Në përvjetorin e vdekjes së Hysni Kapos, pranë gruas së tij Vitos dhe Mehmet Shehut, nuk mund të mos më shkonin në mend edhe disa fjalë që e kishin bërë disi misterioze vdekjen e tij, që kishin ngjallur dyshime për një eliminim të mundshëm të tij nga Enver Hoxha apo nga Mehmet Shehu, ose edhe nga të dy së bashku. Flitej se Mehmeti e shihte atë si rival potencial për vendin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Dyshimet ishin aq të forta dhe, ndoshta aq pranë së vërtetës, sa që vetë Enver Hoxha u detyrua të shprehet. Këtë e ka bërë vetëm pas eliminimet të Mehmet Shehut. “Është përhapur në të gjithë Shqipërinë’, ka thënë Enver Hoxha, ‘sikur shoku Hysni nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut…! Kush i hap këto fjalë? Ka edhe pjesëtarë nga të familjes së Hysniut që kanë pasur dyshime në këtë çështje dhe këto i kanë shprehur, por ua kemi luftuar, i kanë ri shprehur, por ka midis tyre edhe kushërinj, ka edhe armiq që kërkojnë t’i krijojnë vështirësi Partisë. Çfarë të bëjmë ne për këtë? Të mbaj një fjalim të veçantë unë, ku të them se shoku Hysni Kapo s’është e vërtetë se është vrarë, por vdiq nga kanceri? Jo, unë nuk e bëj këtë, por e mbroj shokun Hysni Kapo, për meritat e mëdha që ka pasur, për shërbimet e mëdha që i ka bërë Partisë, por që vdiq nga kanceri, e vërtetuar kjo nga mjekët…”!

Enver Hoxha, që nuk ka lënë pa folur për pulari e kopshte fëmijësh, për fatet e botës e të revolucionit proletar botëror, nuk mund të shprehet për vrasjen e Hysni Kapos! Përse? Nëse kemi të bëjmë me të vërtetë me një vrasje apo eliminim fizik të Hysni Kapos nga Mehmet Shehu, ky i fundit nuk mund ta ketë bërë këtë krim pa urdhrin dhe miratimin e Enver Hoxhës. Mbrohet këtu Mehmeti, për të mbrojtur atë që gjendet pas tij në këtë krim. Ajo që i intereson Enver Hoxhës, sikurse del edhe nga frazat e cituara prej tij, është jo zbardhja e së vërtetës, por mbyllja e gojës së opinionit dhe njerëzve të dashur të Hysni Kapos. Enver Hoxha paralajmëron se nëse do të veprohet ndryshe nga ç’porosit ai, ata do të radhiten përbri armikut, që kërkon t’i krijojë vështirësi Partisë! Dihet, pastaj se cili do të ishte edhe fati i tyre…! Për Enver Hoxhën “Çështja Kapo” duhej mbyllur duke  hedhur disa lule mbi varrin e tij të lavdishëm e heroik!

Kur shikoje Mehmet Shehun dhe bashkëshorten e tij ulur pranë Vita Kapos në përvjetorin e vdekjes së Hysniut, doje apo nuk doje, sillje ndër mend edhe se pranë gruas së viktimës, gjendej tani autori i krimit. Nuk mund të mos bëje një hamendje të pavullnetshme, për të kuptuar se si ndjeheshin ata pranë njeri tjetrit, si i luanin rolet, ç’maska përdornin. Kam përshtypjen se askush nuk u ndje mirë në atë takim, por të gjithë bënin kujdes për tu treguar të afërt e solidarë.

Në sallonin e pritjes në shtëpinë e Hysni Kapos, së bashku me ne të “Zërit të popullit” dhe çiftin Shehu, ishte edhe Kadri Hazbiu, në atë kohë anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm. Në kujtesë më kanë mbetur sjelljet arrogante dhe prepotenca e Mehmet Shehut ndaj tij, ndërhyrjet e kujdesshme të Fiqretes për të ekuilibruar Mehmetin dhe për të zbutur disi efektin e fjalëve të tij. Kujtoj gjithashtu qëndrimin e Kadri Hazbiut, që dukej si një nxënës i sjellshëm i kapur në faj, kokë ulur dhe që as provonte të shpjegohej, sepse ndruhej mos e pësonte më keq. Thjesht, marrëdhëniet midis tyre nuk ishin marrëdhënie shokësh. Dukej sikur kishe përpara një feudal të plotpushtetshëm dhe rrogëtarin e tij me të cilin ai, mund të vepronte me fodullëk si të dëshironte, deri në denigrim të plotë. Madje më duket sikur vetëm kjo gjë i jepte kënaqësi Mehmet Shehut. Besoj se ai ishte i kompleksuar dhe në çdo moment, në çdo rast kërkonte të ushtronte pushtet duke provokuar tej masës së durimit.

Mehmet Shehu urdhëroi që ne gazetarët e “Zëri i Popullit”, të bënim punën fizike jashtë Tiranës!

Pasi mbaroi me Kadri Hazbiun, Mehmet Shehu u kthye nga ne, anëtarët e Kolegjiumit të gazetës “Zëri i popullit”. Atij i pëlqente të ndërhynte në punët e redaksisë, të bënte vërejtje, vlerësime, të jepte urdhër. Gazeta “Zëri i popullit”, ishte organ i Komitetit Qendror të Partisë dhe jo i kryeministrisë. Në Komitetin Qendror, kishte edhe një Drejtori shtypi, që orientonte apo censuronte shtypin shqiptar. Mehmeti nëse kishte diçka për të thënë, mund të komunikonte me këtë Drejtori. Ai merrte direkt në telefon kryeredaktorin e “Zërit të popullit” për të lëshuar bubullima, e për të gjëmuar. Kam qenë një herë i pranishëm në zyrën e kryeredaktorit, kur ai mori në telefon për të lëshuar rrufetë e tij, sepse në një nga faqet e gazetës ishte botuar një fotografi e urës së Tërkuzës, mbi të cilën kalon treni i linjës Tiranë-Pogradec. Ura ishte në qiell të hapur dhe çdo kalimtar, nëse dëshironte, mund të bënte një foto të saj. Kjo ishte normale. Botimi nga “Zëri i popullit” i fotografisë së kësaj ure, ishte për kryeministrin Shehu jo normale, madje, sipas tij, “Zëri i popullit”, kishte botuar foton e një objekti strategjik, praktikisht ia kishte dhënë atë armikut!  “Zëri i popullit”, në fakt, e kishte botuar këtë fotografi për të treguar madhështinë e veprave, që ndërtoheshin në Shqipërinë socialiste nën udhëheqjen e Partisë.

Në shtëpinë e Hysni Kapos ai u interesua sërish për gazetën. Nuk foli për nivelin e saj dhe problemet me të cilat ndeshej redaksia. Ai u interesua se ku e bënin punën fizike gazetarët. Punonjësit e gazetës, si të gjithë punonjësit shqiptarë, për të mos u burokratizuar, sikurse thoshte Partia, punonin një muaj në vit si punëtorë të pakualifikuar në ndonjë fabrikë apo në ndonjë kooperativë bujqësore. Gazetarët dhe anëtarët e Kolegjiumit të  “Zërit të popullit”, e bënin punën fizike apo punën në prodhim, sikurse quhej, në ndonjë fabrikë apo uzinë të kryeqytetit. Ishte gjetur kjo zgjidhje me qëllim që atyre tu krijohej mundësia të shkonin pasdite në redaksi, për të shkruar dhe dorëzuar për botim artikujt e planifikuar si zakonisht. Porsa e mori vesh këtë praktikë, Mehmet Shehu turfulloi. “Jo, jo në Tiranë”!, tha ai. Sipas tij gazetarët, për të kryer punën në prodhim, duhet të shkonin në zonat më të largëta të Shqipërisë. Menjëherë pasi u kthyem në redaksi, Asim Bedalli, që më duket se në atë kohë ishte zëvendëskryeredaktor i “Zërit të popullit”, thërriti një mbledhje të organizatës së Partisë, për të vënë në zbatim porositë e shokut Mehmet Shehu. Askush nuk diskutoi mbi vështirësitë që i krijoheshin gazetës nga largimi i njëhershëm i disa gazetarëve nga redaksia. Jo se ishim të pandërgjegjshëm për këtë, por se askush nuk guxonte të tregohej i logjikshëm përpara çmendurisë. Sikurse ka thënë Fejzi Hoxha, një nga mjekët e udhëheqjes së Partisë së Punës: “Tek Mehmeti, hyje si mjek e dilje si pacient”.

Mua më duket se, nëse do të bëjmë një krahasim midis atit shpirtëror të diktaturës dhe xhelatit në shërbim të tij, pra midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, do të vemë re një ndryshim, edhe pse ndoshta jo thelbësor. Enveri dinte të luante edhe engjëllin edhe hijerëndën, të përloturin dhe shpirtmadhin, por edhe parimorin fanatik, udhëheqësin që jeton vetëm për të mbrojtur parimin edhe nëse kërkohet të shembet bota. Mehmeti ishte një rolësh. Ai gjatë tërë jetës ka luajtur vetëm një rol, atë të vetvetes, i lig e sterrë në shpirt, kriminel ambicioz. Sikurse tregojnë mjekët, në vitin 1958, Mehmetit i’u shfaq sëmundja e fotofobisë. Ai tmerrohej nga ndriçimi. Enveri, ndryshe nga ai, i pëlqente prozhektorët, kamerat. Njëlloj si Mehmeti, ai kishte frikë, megjithëkëtë, nga drita në kuptimin e ndriçimit të së vërtetës. Mehmeti mbulonte edhe kokën me batanije për të eliminuar dritën. Enveri jo më pak se ai, pëlqente errësirën. Ai ishte mjeshtër i kulisave të errëta, të këpuste kokën për të mos dalë në dritë e vërteta.

“Takimi” im i fundit me kryeministrin, Mehmet Shehu!

“Takimi” im i fundit me Mehmet Shehun ka qenë, nuk më kujtohet mirë, në sallën e Kuvendit Popullor apo në sallën e Institutit të Lartë të Arteve, ish Teatri i Operës. U gjenda aty i ftuar bashkë me disa intelektualë e kuadro të Partisë, për të dëgjuar të regjistruar mbledhjen e Byrosë Politike, ku u kryqëzua Mehmet Shehu dhe fjalimin e Enver Hoxhës pas vrasjes apo vetëvrasjes së tij. Ishte një tjetër Mehmet Shehu. Nuk kishe më përpara teje një fajkua, siç ishte paraqitur deri para disa muajsh, por një pulë të lagur, pa pupla. Zëri i dilte i mekur. Në një farë mënyre ishte për të ardhur keq. Nuk gjeje më asnjë gjurmë trimërie apo burrërie me të cilat ishte krenuar deri atëherë ai, me apo pa të drejtë. “Pulkat” e Byrosë Politike, me urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, ishin shndërruar në skifterë e hiena të uritura për kërmë. Dukej sikur të gjithë ishin në garë për t’u treguar sa më idiotë. Me pyetje absurde të cilave, për pasojë, as mund tu përgjigjeshe, ata e mbërthyen atë. Para emrit të tij të gjithë të papërmbajturit dridheshin vetëm disa muaj më parë.

Përgjigja e Kadri Hazbiut, kur Kryetari i Gjykatës e akuzoi se donte të vriste Enverin!

Mehmeti u shpall nga Enver Hoxha: “armik, agjent e poli agjent”. Ai detyroi edhe Fiqerete Shehun, të burgosur pas eliminimit të bashkëshortit, të japë si dëshmi të saj po ato akuza që vetë ai i bëri Mehmet Shehut. Kështu Fiqrete Shehu, në dëshmitë e saja “zbuloi” të njëjtën gjë që kishte “zbuluar”  e deklaruar më parë Enver Hoxha. Sipas tij, Mehmet Shehu ishte “kryetari i organizatës kundërrevolucionare komplotistë e puçistë që ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja e që kishte për qëllim eliminimin e tij fizik dhe përmbysjen e diktaturës së proletariatit”. Ndihmësi më i afërt i Mehmet Shehut, sipas Enver Hoxhës dhe Fiqrete Shehut, që përsëriste thëniet e Enverit, ishte Kadri Hazbiu. Në një Plenum të Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha i kishte thënë atij: “Do të jap urdhër të arrestojnë”!

Dhënia e këtij lloj urdhri prej perandori, është filmuar dhe qarkullon në internet. Enveri e arrestoi dhe e ekzekutoi Kadri Hazbiun dhe pas tij edhe shumë të tjerë. Interesant është të ndjekësh qëndrimin e Kadri Hazbiut përpara trupit gjykues, që e akuzoi  dhe e dënoi atë me vdekje, si armik që kishte dashur të vriste Enverin. Kur kryetari i Gjykatës, i tha se ai kishte sjellë nga jashtë Shqipërisë një bandë për të vrarë Enver Hoxhën, Kadriu iu përgjigj: “Unë vras 500 si ty dhe dorë tek Enver Hoxha nuk vë. Përkundrazi, unë shuaj të gjithë dynjanë për atë njeri, aq shumë e dua». Mendonte se kështu do të zbuste diktatorin dhe do të shpëtonte jetën? Ndoshta! Mundet që edhe të ketë thënë të vërtetën. Një skllav besnik qëndron gjithnjë i gjunjëzuar përpara të zotit edhe kur ai e godet për vdekje. “Unë i Partisë kam qenë, i Partisë jam dhe i Partisë do të vdes”. Këto ishin fjalët e fundit të Kadri Hazbiut, kur i’u komunikua dënimi me vdekje, sipas vendimit të dhënë nga Enver Hoxha.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *