26 Dhjetor, 2024

Kujtimet e ish-gazetarit të Radio-Tiranës: Incidenti me dy njerëzit e Sigurimit te ‘Hekurudha’ në plazhin e Durrësit

 Kujtimet e ish-gazetarit të Radio-Tiranës: Incidenti me dy njerëzit e Sigurimit te ‘Hekurudha’ në plazhin e Durrësit

Nga Bashkim Trenova 

(Vijon nga numrat e kaluar)

Jarmilla, Vjesha, Marcela dhe Irena Kubati, përkthyesit e mira dhe fatkeqe të Radio-Tiranës !

Nuk e di fatin e të tjerave, të Jarmillës që me heshtjen e saj u dukej të tjerëve disi e çuditshme, por që mua nuk harronte të më falenderonte, gjithnjë e gëzuar, kur gjente një trëndafil në makinën e saj të shkrimit. Kam dëgjuar që Irena Kubati, një grua e mrekullueshme, është larguar nga Shqipëria dhe jeton në një qytet në kufirin hungaro-sllovak. Për Vjeshën e ndrojtur e disi të rezervuar, kam mësuar se edhe ajo ka ikur nga Shqipëria dhe jeton në Poloni. Për ndonjë tjetër, si Marcela, përkthyesja e qeshur e rumanishtes, më kanë thënë se nuk jeton më.

Për përkthyeset e tjera, nuk kam mundur të di ku janë, si ka shkuar jeta e tyre?! Di, sidoqoftë, që të gjitha ato u ndoqën, u persekutuan, u dënuan, u larguan nga puna thjesht sepse ishin të huaja, thjesht sepse dashuruan djemtë shqiptarë, thjesht sepse nuk nguruan asnjë çast të lenë larg atdheun e tyre, prindërit, motrat e vëllezërit, miqtë e shokët, gjithçka të shtrenjtë dhe të shenjtë, një jetë më të mirë dhe gjithsesi më të lirë, thjesht sepse si gra besnike nuk i braktisën burrat e tyre në fatkeqësi, sepse deshën të mbrojnë familjet e tyre. Këtë «krim» njerëzor nuk mund t’ua falte kurrsesi atyre diktatura demoniake e Enver Hoxhës, që terrorizoi mbarë një popull pothuajse për një gjysmë shekulli. Diktatura nuk mund të pranonte vetë ekzistencën e tyre thjesht se ajo u kujtonte shqiptarëve se jashtë Shqipërisë ka një botë tjetër, një «planet» tjetër nga kishin ardhur ato. Kjo gjë u prishte qetësinë arkitektëve të izolimit total të vendit nga bota, eksperimentuesve të Tibetit evropian.

Ndaj përkthyeseve me origjinë joshqiptare, edhe kur ishin në punë në Radio, kur nuk i ngrinin kokat nga makinat e shkrimit, qoftë edhe për t’iu shmangur një shikimi jo dashamirës, është mbajtur një qëndrim diskriminues, fyes dhe izolues. Formalisht dhe ligjërisht ato ishin me nënshtetësi shqiptare dhe punonjëse të rregullta të Radio Tiranës, të emëruara nga nomenklatura përkatëse, ashtu si të gjithë ne të tjerët. Praktikisht ato nuk ishin si ne «të tjerët». Ato ishin të detyruara, për shembull, të qëndronin në zyrat e tyre në një kohë kur bëhej ndonjë mbledhje e kolektivit, pavarësisht nga problemi që do të diskutohej. Ato ishin pjesë e kolektivit, por nuk thërriteshin në mbledhje të kolektivit! Ato ishin me nënshtetësi shqiptare, por nuk u lejohej qoftë edhe ajo që vetëm formalisht u lejohej shqiptarëve.

Them formalisht sepse mbledhjet e kolektivit, në të vërtetë, nuk zgjidhnin asnjë problem, nuk kishin asnjë forcë vendimmarrëse apo detyruese. Gjithçka parapërgatitej gjetkë, vendosej gjetkë, në shkallë të ndryshme të piramidës partiake dhe shtetërore. Kolektivi duhej vetëm si dekor «demokratik». Mbledhjet e tij ishin një tallje e hapur me mungesën totale të demokracisë më minimale në punë dhe në shoqëri. Kolektivi mblidhej për duartrokitje, por edhe për të pikasur dhe gjuajtur ndonjë viktimë të radhës. Pushteti nuk kishte nevojë për duartrokitjet e atyre, që ishin paracaktuar si viktima të radhës, siç ishin gratë e huaja, përkthyese të Radio Tiranës. Shqipëria ishte një Gulag gjigant ku shqiptarët kishin të «drejtën» ekskluzive të brohoritnim për jetën e lumtur, për Partinë dhe shokun Enver. Të tjerët ishin të privuar edhe nga kjo “e drejtë”.

Kasemi, përkthyesi i hungarishtes, që kishte ardhur me Geraldinën!

Largimi i përkthyeseve nga Radio Tirana, nuk mund të mos krijonte një problem serioz lidhur me vazhdimësinë e emisioneve të Radios së Jashtme në gjuhë të huaja. Dihet rëndësia e madhe që u kushtonte regjimi këtyre emisioneve. Kemi folur tashmë për këtë gjë. Boshllëku i krijuar nga një politikë krejtësisht e çmendur, që nuk kurseu edhe kuadrin e domosdoshëm, që bënte pjesë në përgatitjen e këtyre emisioneve, mund të krahasohet me imazhin e druvarit që i bie me sopatë degës ku vetë qëndron. Prerja e degës do të rrëzojë bashkë me të edhe druvarin. Në këtë pozitë u ndodh diktatura në Shqipëri pas largimit të përkthyeseve të Radios. Gjendja paraqitej edhe më e rëndë po të kemi parasysh se një pjesë e përkthyesve, që do të vazhdonin punën, ishin të moshuar, në pension ose në prag të pensionit. I tillë ishte edhe Kasëm Baçi, që ndihmonte në përkthimin e emisionit të hungarishtes.

Kasëmi, një burrë i shkurtër me një hap të prerë, kishte ardhur në Shqipëri si shoqërues i konteshës hungareze Geraldina kur kjo u martua me mbretin Zogu I-rë. Kjo ishte edhe “njolla” e tij. Ai ishte larguar fëmijë nga Shqipëria. Në kohën e Luftës së Parë Botërore,  trupat austro-hungareze, që kishin arritur deri në Shqipëri, gjatë tërheqjes morën me vete edhe mjaft fëmijë shqiptarë për t’i arsimuar. Midis tyre ishte edhe Kasem Malaj, ndryshe Kasëm Baçi, siç i thërrisnin me respekt përkthyeset e hungarishtes, Irena dhe Magda, si dhe Tomorr Dibra, që punonte ato vite si përkthyes dhe sidomos si folës i pakrahasueshëm i këtij emisioni.

Radio Televizioni Shqiptar ishte në varësi të Këshillit të Ministrave. Për ta patur situatën në kontroll, Këshilli i Ministrave më 20 maj 1977, i dërgon një relacion Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar. Në këtë relacion thuhet se është porosi e kryeministrit Mehmet Shehu, që të përgatiten sa më shpejt përkthyes për disa gjuhë, madje «për tu perfeksionuar, të dërgohen dhe si nëpunës pranë ambasadave, të cilat duhet të rrisin organikën dhe atje t’u vihen në dispozicion mësues». Një sistem i burokratizuar deri në palcë zgjidhjen e «gjen» tek shkresat e protokolluara. Fati i njeriut si objekt dhe njëherazi si subjekt i vetëm i punës, është i papërfillshëm, i paqenë.

“Purifikimi” u ndje pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë, jo vetëm në Radion e Jashtme dhe jo vetëm tek gratë e huaja të martuara me burra shqiptarë. Redaksia e Muzikës duhet të paguante edhe ajo haraçin e saj për devijimet borgjezo-liberale jo vetëm në Festivalin e XI të Këngës në Radio-Televizion, por edhe në strukturën e programeve muzikore që transmetonte Radio Tirana. Sipas vendimeve që u morën në instancat e larta të Partisë dhe që ishin të detyrueshme për Radio Tiranën, në hartimin dhe transmetimin e programeve muzikore duhet të zotëronte muzika apo kënga popullore e shoqëruar nga ajo patriotiko-revolucionare. Më pas, një pjesë të programeve duhet ta zinte muzika e kultivuar shqiptare e viteve të diktaturës, pra himnet për jetën e re, për Partinë dhe shokun Enver. Në fund, një hapësirë pothuajse e papërfillshme i lihej asaj që quhej «muzikë e huaj», por që në fakt ishte muzikë klasike, operistike.

Këngët dhe muzika e huaj  “e lehtë”, melodioze bashkëkohore, krejtësisht të injoruara, ishin dukur paksa, tepër hezituese e të ndrojtura, si një aksident, vetëm për një periudhë shumë të shkurtër kohe në emisionet e Radio Tiranës.

“Aksidenti” ndodhi me ardhjen e Todi Lubonjës si drejtor i përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar. “Dëmet” që shkaktoi ai duhet të paguheshin jo vetëm nga Todi Lubonja, por edhe nga “bashkëpunëtorët” e tij në Redaksinë e Muzikës. Në tërë Historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë, të gjithë armiqtë e dënuar nga Partia, nuk kanë vepruar asnjëherë vetëm, por në grup, me bashkëpunëtorë! Kjo logjikë do të vazhdonte edhe me rastin e spastrimeve të mëdha që u bënë në Radio-Tirana në këtë periudhë.

Dhurata Koshi e redaksisë së Muzikës, që e pësoi për këngën “O mami blu”

Si bashkëpunëtore e Todi Lubonjës në Redaksinë e Muzikës, u «zbulua» Dhurata Koshi, e cila nuk e di a kishte patur rastin t’i thotë ndonjëherë “Mirdita” dhe asgjë më shumë atij. Dhuratën e kam “njohur” para se të filloja punë në Radio Tirana. Ajo ishte një vajzë e gëzuar, që binte në sy rrugëve të Tiranës, e gjatë, e hollë, me flokët e saj të bardha të lidhura bisht. Ajo tërhiqte vëmendjen edhe për mënyrën se si i pëlqente të vishej e të sillej, ndryshe nga sa ishim mësuar ne. Në të vërtetë Dhurata, kur jemi njohur, porsa ishte kthyer nga Republika Demokratike Gjermane, ku kishte qenë për të kryer studimet për harpë. Ajo erdhi së bashku me qindra studentë të tjerë shqiptarë, që u kthyen nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Europës Lindore në Shqipëri pa mbaruar studimet. Të gjithë u dëbuan pasi Kremlini preu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë.

Mëkati i Dhurata Koshit ishte se si redaktore e Redaksisë së Muzikës në Radio Tirana dha për transmetim disa këngë të huaja. Mua më kujtohen disa këngëtarë francezë si: Zhorzh Brasens, Serzh Rexhiani, Sharl Aznavur, Mireij Matië, Edit Piaf, Leny Escudero etj., që zunë vend në programet muzikore të Radio Tiranës. Këngët e tyre i’a ofroi Radio Tiranës nga disqet e saja personale Renée Anderson. Ajo, sikurse kam thënë edhe më parë, punoi së bashku me bashkëshortin e saj, Nils Anderson, gjatë disa viteve për emisionin e frëngjishtes në Radio Tirana. Renée ishte një grua e gëzuar, e gjallë. Para se të vinte në Tiranë ajo banonte në Lozanë të Zvicrës. Asaj i pëlqenin shumë këngëtarët francezë të muzikës së lehtë. Nga Zvicra kishte sjellë me vete edhe mjaft disqe me këngë të interpretuara prej tyre. Kam qenë i pranishëm kur është bërë regjistrimi i tyre nga disku në shirit në studiot e Radios. Gjithçka u bë në mënyrë të rregullt, me përgëzimin e hallkave hierarkike, që kishin dhënë miratimin e tyre paraprak. Këngët u transmetuan gjatë rreth dy viteve dhe askush nuk u ndje për të thënë diçka kundër, për të ndaluar vazhdimin e transmetimit.

Pas kthimit të Thanas Nanos si drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Dhurata u largua nga Radio Tirana. Thanas Nano, në një artikull të botuar në gazetën e Partisë, “Zëri i popullit”, duke shkruar për dëmet, që i kanë sjellë propagandës së Partisë Todi dhe ata që e mbështetnin atë, përmend edhe transmetimin e këngës së njohur “Mami blu”. Dhuratës ky “mëkat” nuk mund t’i falej dhe as ju fal. Atë e transferuan në Fushë-Krujë si mësuese muzike. Në këtë qytezë të cilën mund ta vizitoje në tërë ekstremet e saj brenda disa minutave, ajo u ndje shpejt e stresuar, gjithnjë me një shëndet, që vazhdimisht keqësohej. Dukej sikur rinia po e braktiste pa mëshirë, para kohe. Albert Shala, që e ka takuar shpesh Dhuratën në atë kohë, më ka thënë se ajo «ishte një tip i brishtë, shumë i brishtë, që nuk besonte që dallgët e luftës së klasave do ta përplasnin edhe atë diku, pa aftësinë që të ngrihej në këmbë. Ndoshta kjo, thotë Alberti, ishte arsyeja që ajo fliste e fliste, me mendimin se dikush edhe mund ta dëgjonte». Në të vërtetë  askush nuk do ta dëgjonte Dhuratën. Edhe Berti, me të cilin ajo njihej që nga koha kur kishin punuar në Radio, dhe që e dëgjonte, sikurse thotë vetë: “Përveç ndonjë fjale të mirë, si ngushëllim, unë nuk kisha mundësi të bëja asgjë”. Berti vetë ishte i dënuar, por edhe askush tjetër nuk kishte mundësi të bënte gjë për të në një sistem shoqëror ku pafajësia njësohej arbitrarisht me krimin ndërsa krimi i vërtetë, terrorizmi shtetëror, çmohej si vlerë.

Dhurata qëndroi në Fushë-Krujë vite të tëra, pa familje, pa asnjë perspektivë, vetëm e vetëm se dëshironte që rinia shqiptare të gëzonte në jetë gjithçka ishte e bukur, sepse gjykoi që muzika e vërtetë nuk njeh kufij klasorë, ideologjikë apo shtetërorë, se ajo i përket të gjithëve, se asnjë mur Berlini nuk mund ta ndalonte atë. Sikur ta dinin Zhorzh Brasens e Mirej Matië, Aznavur apo Rezhiani, Çelentano apo Mina, Domeniko Modunio apo Milva, Bitëllsat apo Xhipsikingët se kënga e tyre kishte edhe viktimat e saj tragjike! Ç’absurditet! Unik edhe si i tillë. Dhurata edhe para se të dënohej ishte me «njollë» në biografi. Në të vërtetë «njollën» e kishte e motra e saj Eglantina, madje bashkëshorti i saj, Minush Jero.

Burgosja e Minush Jeros dhe Mihallaq Luarasit për “Njollat e murrme”!

Minush Jero kishte shkruajtur në vitin 1968, dramën “Njolla të murrme». Në festivalin e teatrove profesioniste të Shqipërisë në këtë vit, kjo dramë fitoi Flamurin e Festivalit dhe rrëmbeu të gjitha çmimet, por lavdia e saj vazhdoi vetëm 24 orë. Diktatori, në mënyrë të pazakontë, kërkoi të shohë dramën. Në fund të spektaklit ai u shpreh se kishte parë jo “Njollat e murrme”, por “Njollat e zeza”. “Kjo shfaqje’, tha ai, ‘është një vepër revizioniste dhe manifeston mishërimin e liberalizmit në Shqipëri”. Drama u izolua për të mos u shfaqur kurrë më. Në vitin 1973 autori i saj, Minush Jero dhe regjisori, Mihallaq Luarasi, do të arrestoheshin dhe do të dënoheshin, “në emër të popullit”, me nga 8 vjet heqje lirie. Ata u akuzuan se “vetëm dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor, d.m.th. se kanë kryer krimin e parashikuar nga paragrafi i I-rë i nenit 73 të Kodit Penal”, se qëllimi i tyre ka qenë “që ta minojnë ose ta dobësojnë” këtë pushtet, se “me konsekuencë kanë vazhduar rrugën e tyre kriminale”, se janë “vënë në opozicion me vijën e Partisë dhe kanë propaganduar kundër politikës dhe masave të ndryshme, që ka marrë Partia për revolucionarizimin e vendit”.

Në Shqipërinë komuniste, si në feudalizëm, kriminalizimi dhe ndëshkimi transportoheshin menjëherë nga personi tek i tërë fisi, krushqia apo edhe miqtë. Dënimi i Dhurata Koshit si liberale u bë në një terren të parapërgatitur, të favorshëm për autorët e tij. Vetë Dhurata fajëson shefen e Redaksisë së saj, Liri Çelin, një grua e shkurtër me hap mashkullor, që fshihte pas syzeve të saja të errëta inteligjencën dhe djallëzinë, një pozicionim gjithnjë «parimor», sipas dallgëve dhe erërave të politikës së ditës.

Takimi me turistët e huaj, që na nxori probleme mua, Dhurata Koshit e Lili Tafajt!

Me Dhuratën jam ndodhur një herë rastësisht për pushime në të njëjtën kohë në Hotel “Apollonia” në Durrës. Unë isha me kolegun tim të Radios, Shaban Murati. Ajo ishte me miken e saj, Lili Tafaj, një nga pianistet më të mira të Teatrit të Operës dhe të Baletit në Shqipëri. E dashuruar pas këngës, Dhurata kërkonte që edhe ne të tjerët ta shoqëronim këngën e saj. Më pas organizonte edhe ndonjë “konkurs të interpretëve” të këngës. Me këmbënguljen e saj, një ditë unë u paraqita në këtë “konkurs” me këngën popullore shqiptare “Isha vetëm tuj mendu”. Melodia dhe teksti i kësaj kënge dashurie, janë të trishtuar. Vlerësimi i “jurisë”, që përbëhej nga Dhurata dhe Lili, ishte që unë këndoja korrekt dhe se kisha “një zë dramatik”. Në dhomën e Dhuratës dhe të Lilit, ne ndiqnim një tjetër “spektakël artistik”. Lili pasi mbështillej me çarçafin e shtratit, fillonte dhe imitonte vallet indiane në mënyrë të përsosur, sikur të ishte rritur midis tyre. Kështu kaluan shumë shpejt dy javë duke qeshur, duke u thekur në diell dhe duke u freskuar në ujërat e Adriatikut, duke pirë në mbrëmje edhe ndonjë gotë birë në pistën e “Hekurudhës”, që braktiste plazhin për t’u shtrirë disa dhjetëra metra në thellësi të detit.

Në një prej disa mbrëmjeve të tilla, ndërsa pushimeve po u afrohej fundi, patëm një “takim” aspak të dëshiruar dhe, besoj, i pari “takim” i  tillë për secilin prej nesh. Pa kuptuar, u bëmë objekt ndjekjeje i agjentëve të Sigurimit të shtetit, sivëllait  të KGB-së sovjetike apo të Securitates rumune.

Si zakonisht, ne ishim ulur rreth një tavoline tek “Hekurrudha” dhe po pinim gotën tonë të birrës. Në një tavolinë pranë erdhën dhe u ulën disa turistë, të rinj edhe ata, që na tërhoqën vëmendjen me veshjet e tyre plot ngjyra dhe lule. Në atë kohë çdo komunikim me të huajt që vinin në Shqipëri, qoftë edhe i heshtur, qoftë edhe një shkëmbim shikimi, një buzëqeshje e lehtë kalimtare dhe e mirësjellshme, të gjitha këto ishin rreptësisht të ndaluara për shqiptarët. Ne i dinim të gjitha këto, megjithëkëtë na hëngri kurrizi. Dhurata hodhi në tryezë sfidën “guxojmë apo nuk guxojmë t’u flasim” fqinjëve tanë turistë!? Kjo, në atë kohë, do të thoshte as më pak dhe as më shumë se a guxojmë apo nuk guxojmë të mos respektojmë “rregullat” e vendosura nga diktatura! Ne, sigurisht, nuk e menduam kështu. Menduam thjesht të “provojmë”  veten tonë, të shijonim një kapriço rinore. Unë propozova t’u flasim, por këtë ta bëjmë kur të ngrihemi për të ikur, gjë që do të shmangte një bisedë të zgjatur midis nesh. Kështu edhe bëmë. Nuk u zgjatëm shumë. Morëm vesh se ata ishin suedezë. Ne nuk u treguam se jemi punonjës të Radio Tiranës. U thamë se jemi studentë. Unë u ofrova atyre paketën time të cigareve dhe ata më dhanë të tyren. U përshëndetëm duke menduar se me shkathtësinë tonë ia kishim hedhur Sigurimit, por e vërteta ishte krejt ndryshe. Syri i Sigurimit kishte vigjiluar gjithçka, përjashtuar fatmirësisht, këmbimin e paketave të cigareve. Do ta kishin si “fakt”, që dëshmonte një këmbim mesazhesh!

Ashtu si në filmat me detektivë dhe me tmerre, ndërsa po ktheheshim në Hotel në gjysmerrësirën e plazhit, Shabani kthen kokën pas dhe sheh se dy njerëz po ndiqnin hapat tonë. “Sigurimi”, tha Shabani, duke shtuar se duhet të ishim të gjithë të një fjale, pra, se ishin suedezët që na kishin folur të parët, se ishin  ata që na kishin kërkuar një cigare dhe ne vetëm sa u ofruam një cigare, asgjë më shumë!

Sigurimsat erdhën deri në hollin e Hotelit. Ne u treguam versionin tonë. As që dëgjonin nga ky vesh. Pyetja e tyre ishte: “Me ç’mision keni ardhur në Durrës”?! Përgjigjja se: “misioni” ynë i vetëm ishin pushimet verore, humbiste në shkretëtirën e trurit të tyre. Pyetja në vazhdim ishte: “Si e spjegoni që keni ardhur të gjithë së bashku për pushime”? Ishte e kotë të flisje, madje as të nxirrje zë. Ne ishim me mision, duhet ta pohonim këtë gjë sa më shpejt! Bashkëbiseduesit tanë, agjentë të Sigurimit të Shtetit, më dukeshin personazhe absurdë, injorantë që nuk dinin se ç’thonin e ç’bënin, që abuzonin me detyrën e tyre. Me këtë ndjenjë, u mbajta atyre një leksion për t’i njohur me biografinë e shëndoshë të familjes time dhe përfundova duke u kthyer nga i akuzuar në akuzues. Atyre u thashë, nëse ju dyshoni për mua, përse unë nuk duhet të dyshoj për ju? Këto fjalë ishin benzinë në zjarr. Agjentët e Sigurimit ishin mësuar të mbaheshin si njerëzit më të devotshëm për Partinë, si rojet besnike të atdheut, njerëzit më të besuar etj., etj.

Unë edhe pas rreth 40 vjetësh, nuk e kam harruar këtë «takim», madje edhe detajet e tij, që i kurseva këtu për të mos u zgjatur shumë me të. Mbaj mend që Dhurata më tha se, i donte njerëzit kurajozë, ashtu siç isha treguar unë para sigurimasve. Unë vetë nuk isha i ndërgjegjshëm se isha treguar kurajoz. Më dukej sikur thjesht luajta rolin që më takonte në atë skenë, pa e ditur madje se isha në skenë, në një skenë mizore, që njerëzit i trajton si personazh fatalë. Veten e dija gjithnjë të betonuar, mendoja se isha i paprekshëm, kur i tillë në Shqipëri ishte vetëm diktatori. Verbëri, naivitet dhe injorancë politike!

Fati i trishtë i Dhurata Koshit, që i’a vranë rininë!

Të dy sigurimsat kam patur rastin t’i shoh disa herë në Tiranë. Njëri bridhte rrugëve të qytetit si qen bastard gjahu, në kërkim të presë. Tjetri ishte ngulur në një kioskë në rrugën “Qemal Stafa”, përballë ambasadës polake. Luante cigareshitësin. E kam takuar Dhuratën rastësisht në Tiranë pas përmbysjes së komunizmit. Nuk ishte vetëm. Më prezantoi bashkëshortin e saj, Kadri Spahia. E njihja atë që nga fëmijëria ime. E kisha parë kur shkonte dhe përgatiste korin e grave të Profarmës, një ndërmarrje farmaceutike ku punonte edhe motra ime, Engjëllushja. Në festivalet e qendrave të prodhimit, që zhvilloheshin, më duket, çdo vit në atë kohë, ky kor, shpesh kishte marrë flamurin e festivalit ose ishte nderuar me çmime të para. Kadriu kishte një trup të bukur, të drejtë e të gjatë dhe, siç më konfidonte motra, vajzat e Profarmës, ishin gati të vdisnin për të. Në fakt Profarma, pothuajse në tërësinë e saj, punonjësit i kishte vajza dhe gra, ishte si një oaz amazonash. Kadriun e kisha njohur edhe si këngëtar, ashtu si edhe vëllanë e tij, Bajram Spahia, interpretues i njohur i këngës popullore shkodrane. Ai ishte kështu nga një familje që e dashuronte muzikën ashtu si edhe Dhurata, që mu duk, më në fund, e lumtur.

“Takimin” e fundit me Dhuratën e kam patur në qershorin e vitit 2000, kur kam lexuar në shtypin shqiptar një artikull të Ben Andonit, me titull: “Dhurata, historia e artistes së harpës së rrallë”.  Nga artikulli, përveç të tjerave, mësova se ajo kishte provuar të ngrinte në skenë ëndrrën e saj. Ajo provoi të luante në harpë me orkestrën simfonike të Teatrit të Operës, por vitet kishin kaluar, tani ishte shumë vonë. Ajo edhe harpën nuk mund ta zhvendoste më vetë në skenë.

Dhuratës i muarën rininë, ia vranë ëndrrën, nuk e lejuan të ketë edhe ajo një fëmijë (martesa e saj u bë në moshë të madhe), të gëzojë nipër apo mbesa, t’i gëzohet jetës ashtu si çdo njeri që vjen në këtë botë edhe për ta gëzuar atë, për të patur pjesën e tij të gëzimit. Ajo nuk ka të shkuar sepse nuk e jetoi pjesën më të bukur të saj. Uroj që e tashmja dhe e ardhmja të jenë miqtë e saj të mirë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *