Kadri Roshi, të birit: Rritu i ndershëm bir, me shpirt të pastër, ta duash vendin tënd, t’i duash njerëzit e tu

I biri, Kliti Roshi, duke kujtuar të atin, kujton një këshillë të tij:
“Vetëm një gjë bir: Rritu i ndershëm, me shpirt të pastër, ta duash vendin tënd, t’i duash njerëzit e tu”.
Duke folur pët të atin, Kliti Roshi shprehet:
“Do të duket mbase si mendjemadhësi, do të duket si….. nuk e di se si ta them, por si parantezë po ju them kaq: sot për fat të keq ka ardhur koha që modestia jo e tepërt të kuptohet si budallallëk.
Sot po harrohen shumë vlera dhe si rezultat i kësaj, në qoftë se nuk i themi ne, qoftë edhe të afërmit e familjes së personave, vlerave dhe meritave të njerëzve tanë, jam i bindur që shumë shpejt ata do të harrohen dhe do të shuhen. Prandaj them që jo vetëm që i kujtoj por janë bërë moto të jetës sime.
Në një rrethanë të caktuar, në një ngjarje të caktuar, pra sipas rolit në filmin ose në dramën që ka interpretuar, jo vetëm, Kadri Roshi ka disa batuta që janë bërë të përditshme në jetën e përditshme. “Gërmo Tare, gërmo”, varet si e shikon ti, si e percepton ti sot në një rrethanë të caktuar që ke. Për mua kjo do të thotë shumë.
E përkthyer në shqip, shqip, shqip do të thotë: “Punoni o njerëz, punoni”. Mos t’i kthehemi përrallës “Plaku me tre djem” që pasurinë e kam fshehur atje, shkoni gërmoni atje. Nëpërmjet punës fiton dhe arrin çdo gjë, jo në kuptimin material, por fiton në nxënie.
Ka edhe shprehje të tjera të cilat ndoshta mundet për ndonjë, tingëllojnë pak si të ashtu quajtura banale. Por jo, nuk janë banale. Në atë kohë, para viteve ‘90-të, nuk të lejonte njeri banalitet dhe shprehja “Bëji të fala satëme”, tek “Tokë e përgjakur”, unë sot e përkthej për një njeri jo dashamirës, për një njeri që mundohet t’i bëjë të keqen tjetrit, që mundohet t’i vërë gurë nën rrotë, unë i them: vazhdo ti vazhdo, se unë do të vazhdoj në punën time, në rrugën time të drejtë.
Ka edhe shumë shprehje të tjera, jo vetëm të babait por të shumë aktorëve të tjerë, “Ky është flori i shkuar floririt, Tunxh. Djersa e ballit e derdhur në një punë të ndershme është flori e shkuar floririt”. Gjithmonë, në varësi të kohës, në varësi të rrethanave, të situatave, të ngjarjeve që kalojnë, politike, ekonomike, shoqërore, sociale, pra çdo frazë merr një kuptim të ri sot.
E thënë ndoshta me një kuptim tjetër dje, sot merr një kuptim, prandaj të bërë moto sot për njerëzit (për ata që duan), por proverbiale për mua, që është vërtetë moto e jetës sime dhe e punës sime, do të mbetet fraza nga Arturo Ui, e thënë nga një aktor, nga një gur xhevahiri me shumë vlera si Ndrek Shkezi, “Kokën lartë djema. Kush s’ka vdekur, rron akoma”. Kjo ishte një batutë që i shërbeu vetë babait si moto në punën e tij dhe kjo jo rrallë herë e ka nxjerrë shumë faqebardhë”.