6 Tetor, 2024

Rrëfimi i Klaudeta Riza: Lidhja ime me Petrikën u kërcënua në vitin 1972, por ai më habiti

 Rrëfimi i Klaudeta Riza: Lidhja ime me Petrikën u kërcënua në vitin 1972, por ai më habiti

Nga Vepror Hasani

(Vijon nga numri i kaluar)

Klaudeta Llogori Riza, aktorja e skenës dhe ekranit, tregon për karrierën e bashkëshortit, aktorit Petrika Riza, dhe të sajën, që nga fëmijëria, e deri në ditët e sotme

“Petrika, aktor në Korçë”

“Petrika shkoi në Korçë. Teatri i Korçës në atë kohë ishte në kulmin e vet, kishte krijuar emër të mirë që nga fillesat e tij. Vajtjen në Korçë e priti mirë, nuk i mbeti peng mos qëndrimi në Tiranë, sepse e shihte të nevojshme të ishte pranë familjes; në atë kohë ishin ngushtë ekonomikisht, vetëm me rrogën e babait sepse nëna e Petrikës ishte e sëmurë, nuk dilte në punë, megjithatë punonte shumë për të përballuar nevojat e kësaj familje të madhe: gatimet, punët e shtëpisë e gjithçka tjetër, ku lodhej më shumë se një tjetër që punonte në kooperativë.

Në Teatrin e Korçës, Petrika gjeti një ambient artistësh të mëdhenj dhe një regjisor të mrekullueshme, si Mihal Luarasi. Një nga rolet e parë të tij në Teatrin e Korçës, ishte Xhaxha Madhi te drama “Rruga e Madhe”, e Vangjush Zikos, pastaj erdhën role të tjera: Xho Keller te drama “Ishin të gjithë fëmijët e mi” e Artur Miler;  Dhespoti Filothe, te drama “Plumbat e shkronjave” e Naum Priftit.

Në vijim, roli i hetuesit te shfaqja “Përbindëshi” e Agatha Krist, krye-roli i profesorit tek drama në vargje “Stuhi në Prill”, shkruar nga Skënder Luarasi, roli kryesor i Sofkinit tek drama “Koha në gjunjë, s’na ka parë” e Namik Dokles; Hilmiu tek drama “Të pamposhturit”  e Minush Jeros, Marku te “Bijat e çobanit” e Vangjush Zikos, Duka te “Triptik”-u i Pushkinit, “Gosti në kohë kolere”,  Ralf Komo te drama “Engjëjt e skëterrës” e autorëve francezë, Zhorh Bellok e Pol Kanten dhe  krye-roli i babait tek tragjedia greke “Pazari”.

“Kryerole të tjerë”

“Dhe sigurisht, Petrika ka interpretuar edhe kryerole të tjerë, si: Lini te drama “Njerëz dhe minj”,  ku u vlerësua “Aktori më i mirë i vitit”; kapiteni Koks tek drama “Famur në dallgë” e Miliano Stefës; Marku tek drama “Vajza e Uzinës”; Abdi Sharra tek drama “Këneta” e Fatmir Gjatës; Xha Hekurani te drama e Riza Hysës, “Njerëz të afërt”; kryetari i Komitetit tek “Mësuesi i letërsisë” e Ruzhdi Pulahës; roli i Aleksandrit te Madh të Maqedonisë, tek drama “Proskimes” e Miço Kallmatës, si dhe role të tjerë në zhanrin e komedisë, ku e tregoi veten edhe si aktor i humorit, ndër të cilët mund të përmendim rolet kryesore të Turhanit tek komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”; shefin e Policisë tek komedia “Kohë për t’u çmendur” e Kiço Blushit;

Mbreti Oberon tek komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit; babain te komedia greke “Puthja” e autorit Grigoris Ksenopulos; Çizon tek komedia  e Astrit Çermës,“Qytetrrethimi”; Hetuesin te komedia greke “Hajdutët ikin në D.P.”; Kasapin tek komedia “Pallati i grave” e Erald Sojlit; hotelxhiun Kristaq tek komedia greke “Hipokritët e vegjël”; babain te “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços; Postierin Malo te komedia e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati”; Qazimin te komedia “Ju ftojmë në dasmën e babait”, të Petrit Koçibellit; Petron te komedia greke “Zonjusha 39 vjeç” e Aleksandër Saqellarit; Volponen, tek drama me të njëjtin titull, etj”.

“Role në kinematografi”

“Petrika u miqësua shpejt me të gjithë, ishte tepër njerëzor, i çiltër, i mirëkuptueshëm, me humor dhe me një të qeshur të këndshme. Ishte një aktor që i duhej skenës shqiptare. “Por, nëse në hapësirën e skenës aktori Petrika Riza, improvizoi me sukses të dyja planet e aktrimit, – shkruan mes të tjerash kritiku i artit skenik, Miho Gjini,- në ekranin e kinemasë do të interpretonte role serioze, personazhe të karakterit dramatik, me psikologji të brendshme, si edhe karaktere të llojeve të ndryshme e të fushave shoqërore të ndryshme, të luftës, të punës dhe të mjediseve të veçanta. E gjithkund do të linte pas një vizion krijues që ka mbetur dhe është fiksuar në ekran, me dinjitetin e duhur të vlerave të artit”. 

Nga rolet e interpretuara në kinematografi, mund të përmendim: Rustemin, te “I teti në Bronz”; Neimin te “Yjet e netëve të gjata” (Nënë Pashako); kapitenit Koks, tek telefilmi “Flamur në dallgë”; dajën e Petritit, te filmi televiziv “Me hapin e shokëve”; Janushin, te filmi “Një emër midis njerëzve”; shoferin e autobusit te filmi “Shokët e klasës sime”; zëvendësministri, te filmi me dy seri “Fletë të bardha”; Abdi Shara, tek telefilmi “Këneta”; Rrapi, te filmi “Në fillim të verës”; Rusta, tek seriali televiziv me pesë seri “Agimet e stinës së madhe”; Koço Sharko, te filmi “Përballimi”; xhandari Qazim te filmi me dy seri “Rrugicat që kërkonin diell”; Xhaxha Madhi, te telefilmi “Rruga e madhe”; Kamjekami, te filmi “Kush vdes në këmbë”; Dhespotin, te filmi “Mësonjëtorja”, ku shënoi nivelin më të lartë artistik etj.

Vlerësimi i regjisorëve dhe kolegëve për Petrika Rizën

Nga intervistat e kolegëve të Petrikës, duket vlerësimi i vlerave njerëzore dhe artistike për të, pedagogia e tij, Drita Agolli, shprehet“Kemi pasur shumë Riza aty në Institut, të gjithë ishin shembullorë, të disiplinuar dhe aktorë të mirë, Petrika ishte edhe kujdestar i kursit, shembullor, njeri pa fjalë, dhe i etur për dije”;

regjisori Mihallaq Luarasi: “Petrika Rizën e njoh qysh në fillimet e veta, unë isha regjisor i Teatrit të Korçës, kur ai erdhi në qytetin e vet dhe që atëherë u shfaqën tiparet e tij si aktor i talentuar, por më tepër si njeri, djalë shumë punëtor, i heshtur, i qetë, gjithmonë jashtë konflikteve, jashtë fërkimeve me të tjerët, bënte punën e vet me përkushtim”;

kolegu Timo Floko: “Petrika është shoku ynë i klasës, ka qenë i veçantë në një kuptim, ka patur maturitet që në moshën e rinisë, ka qenë korrekt, sillte një natyrë dhe një karakter të ngrohtë në përgjithësi që e zhvilloi më tej në marrëdhëniet me njerëzit”;

Llazi Serbo: “Petrika çmohej për korrektesën, pike, që unë e kam dobësi. Petrika, bashkë me bashkëshorten e tij, ishin njerëzit më të përpiktë në disiplinën artistike, dhe këtë e them me kurajo. Petrika ka patur gama rolesh të ndryshme, është ndryshe tek “I teti në bronz”, ndryshe te “Yjet e netëve të gjata”, ndryshe të “Mësonjëtorja” me dhespotin, që ai e ka me shumë dinjitet”; 

Albert Minga: “Petrika është një aktor që e meriton fjalën ‘aktor’ me stof aktori; veçanërisht për konstruktin e tij, për portretin tepër ekspresiv, për seriozitetin me të cilin i zbërthen personazhet dhe punën profesionale që bën për të arritur te personazhet e tij”;

Gëzim Kame: “Petrika ka një botë të pasur emocionale, zë të ngrohtë dhe fizik të madh, që janë avanatazhe për skenën”; 

Tinka Kurti: “Për mua, Petrika Riza është një aktor i mrekullueshëm, partner shumë i dashur, dhe unë nuk do të harroj kurrë marrëdhëniet e mia me Petrikën gjatë xhirimit të filmit Nënë Pashako”; 

Guri Koço: “E them me gojën plot: Petrika Riza është edhe një aktor shumë i mirë komedie”.

Albert Minga: “Petrika është një aktor që e meriton fjalën ‘aktor’ me stof aktori; veçanërisht për konstruktin e tij, për portretin tepër ekspresiv, për seriozitetin me të cilin i zbërthen personazhet dhe punën profesionale që bën për të arritur te personazhet e tij”;

Gëzim Kame: “Petrika ka një botë të pasur emocionale, zë të ngrohtë dhe fizik të madh, që janë avanatazhe për skenën”; 

Tinka Kurti: “Për mua, Petrika Riza është një aktor i mrekullueshëm, partner shumë i dashur, dhe unë nuk do të harroj kurrë marrëdhëniet e mia me Petrikën gjatë xhirimit të filmit Nënë Pashako”; 

Guri Koço: “E them me gojën plot: Petrika Riza është edhe një aktor shumë i mirë komedie”.

Puthja e parë!

“Petrika shkoi aktor në Korçë. Mëngjesin e të nesërmes ndjeva mungesën e tij, nuk erdhi të më takonte ashtu siç bënte gjithnjë, m’u duk sikur kisha mbetur vetëm. Gjithçka rreth meje ishte bosh. Por nuk ndodhi ashtu, ai prapë mbeti i lidhur me Tiranën në proces te xhirimit të filmave, si: “I teti në bronz” dhe “Montatorja”. Ndihesha ndryshe sa herë takoheshim. Një radhë mbërriti me trupën teatrore të Korçës, për të dhënë në Tiranë shfaqjen “Engjëjt e Skëterës”, të Pol Kanten dhe Zhorzh Bellak.

Ishte një shfaqje shumë e bukur, sapo kishin filluar tendencat moderniste të shfaqura në vitet 1971-‘72, të cilat nuk e patën jetën e gjatë, sepse shumë shpejt u kthyem atje ku kishim qenë. Për mua dhe Petrikën, kjo periudhë mbeti nga më të bukurat. Pata përshtypjen se kishim filluar ta donin njeri-tjetrin edhe me fort.

Petrika vijonte të ishte ai që kishte qenë: i dashur, i qetë, i sjellshëm, ndërsa unë e entuziazmuar, i tregoja gjithçka me lëvizjen e duarve, me zë të lartë, pa u merakosur nëse dëgjonin njerëzit në rrugë, ndoshta ngaqë isha gjithnjë e sinqertë dhe s’kisha pse të druhesha.

Në raste të tilla, Petrika më thoshte: “Këtë histori e tregove për mua apo, për spektatorin?”. Njëherë tjetër më tha: “Ty Klaudeta, do të kenë thënë që Petrika nuk dëgjon mirë nga veshët”! dhe qeshte. Një natë, pas shfaqjes, ndërsa po ktheheshim në konvikt, nuk e di pse mbetëm të heshtur, pa asnjë fjalë… një çast më pas duart tona u ndjenë të bashkuara… ndaluam diku rrugës së konviktit…befas në strehzën e një kioske e pamë veten duke u puthur… dhe përsëri asnjë fjalë.

Ishte një prej netëve tona më të bukura. Pastaj vijuam të heshtur drejt konviktit. Kur arritëm te dera, Petrika më tha: “Epo… do iki unë tani… do takohemi prapë…”! Pas mbrojtjes së diplomës, shkova në Korçë, mezi prisja të takoja Petrikën, tashmë takimet tona po më ngjasonin me lumturinë e “Vallëzimit të fundit”, kur ishim në shkollën e mesme.

“Dashuria jonë e kërcënuar”!

Në vitin 1972, fillova punë në Teatrin e Korçës. Ishin kohë të bukura! Më pas shkuam në një turne me teatrin, ato ditë dashuria jonë ra në sy të të gjithëve. Dikujt prej njerëzve të teatrit (nuk dëshiroj t’ia përmend emrin) që nuk i kishte pëlqyer dashuria dhe sjellja jonë në turne, tentoi ta kthente në çështje, por në analizën e turneut, nuk e përkrahu askush.

Kështu që unë dhe Petrika, vazhduam si gjithnjë. Mirëpo pas ca kohësh në familjen time, ndodhi një ngjarje që për atë kohë, mund të ishte me pasoja për ne e familjen tonë. Edhe pse thellë-thellë, i trembesha humbjes së dashurisë me Petrikën, i tregova gjithçka që kishte ndodhur, duke qenë e ndërgjegjshme dhe mirëkuptuese për çdo vendim që do të merrte, sepse nuk doja që ai ta pësonte për hir të kësaj ndodhie.

Petrika më pa me habi dhe pasi kuptoi gjendjen time më tha: “Ne e kemi zgjedhur tashmë bashkë këtë rrugë, kemi marrë dhe një vendim, kështu që çfarëdo që të ndodhë do të jemi përkrah njeri-tjetrit”. 

Ju hodha në qafë, fjala e tij më ngrohu… më shkriu gjaku. Pas disa ditësh erdhi në familjen time dhe iu tha: “Ju jeni familja e Kaludetës, jeni edhe familja ime, jeni prindërit e saj, por tani e tutje do të kini edhe një djalë tjetër, ne së shpejti do ta zyrtarizojmë lidhjen tonë”.

U habita nga fjalët e Petrikës, foli si i moshuar dhe ishte vetëm 25 vjeç. Pas një muaji e gjysmë, më 2 janar 1974 u fejuam, unë isha 23 vjeç. Fal vendosmërisë së Petrikës për të mos e braktisur dashurinë tonë, ata që deshën të na bënin keq, kuptohet që u tërhoqën”.

“Çiftet e Teatrit të Korçës”

“Kur u ktheva në Korçë, gjeta edhe disa çifte aktorësh (bashkëshortë): Qefsere dhe Vani Trako, Dhorkë dhe Dhimitër Orgocka, Vjollca dhe Aleko Prodani, Florika me Stavri Shkurtin dhe së fundi unë me Petrika Rizën, edhe si çifte, patëm shoqëri të mirë e të sinqertë. Unë bashkë me Petrikën patëm fatin të interpretojmë drama jashtëzakonisht të fuqishme, si “Denoncimi” e Ruzhdi Pulahës, një dramë që rrallë u bie në dorë aktorëve me personazhe të tilla.

Petrika ishte në rolin e Prokurorit, Bekim, kurse unë në rolin e bashkëshortes së prokurorit, të cilët gjenden përballë një intrige; vajzën e tyre e kanë përdhunuar e kanë filmuar, kanë bërë afishe e video, dhe nëse prokurori do të dënonte një vrasës, të gjitha filmimet do të reklamoheshin dhe mendo ç’tragjedi familjare mund te ndodhte…”!

“Vlerësimet si aktore”

“Gjatë jetës time si aktore, kam luajtur edhe role burrash, ku së fundi, luajta rolin e Skënderbeut, asnjëri nuk më njohu, me përjashtim të vajzës sime të vogël, që më tha: “Mami, unë të njoha nga unaza që kishe në dorë”. Në vitin 1989, në Javën e artit skenik, me kryerolin e Gazepes te drama satirë e Vangjush Zikos, u vlerësova “Aktorja më e mirë”, këtë çmim e mora edhe te “Protagonist 2000”, si aktorja më e mirë e vitit.

Gjithashtu në vitin 2000, u vlerësova me “Emblema e artë”, kurse me rolin e nënës, te drama “Kohë pa emër”, e Ruzhdi Pulahës dhe regji të Dhimitër Orgoockës, u vlerësova “Aktorja më e mirë”, e Festivalit  teatror të komedisë “Ballkan 2000”, çmim të cilin disa muaj më vonë, e mora edhe në Gjilan të Kosovës, në Festivalin “Flaka e Janarit”. Në vitin 2010, Presidenti Republikës Bamir Topi, me rastin e 60-vjetorit të Teatrit të Korçës, më vlerësoi me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

“Klaudeta Riza, rolet në teatër” 

“Ndërsa unë kam luajtur qysh në fakultet në vitin e tretë, kryerolin e Nënë Havasë, te drama “Të pamposhturit” e Minush Jeros; po në vitin e tretë, kam luajtur Madmauzel Kuku, te komedia rumune, “Ylli pa emër”; në vitin e katërt kam luajtur rolin e Meribanit te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, me partner të madhin Robert Nderenika, ndërsa kur erdha në teatër, kam luajtur rolin e Lonevicës (një personazh i thyer në moshë) te drama “Këneta” e Fatmir Gjatës.

Rolin kryesor të Pranverës, te drama “Rruga e madhe” e Vangjush Zikos; kryerolet te “Prova e rritjes” dhe “Troket historia”; mësuesen e matematikës te drama “Mësues i letërsisë”; kryerolin e nënës Semi, te “Denoncimi” i Ruzhdi Pulahës; Dhespina te “Pazari”- komedi greke, dhe  te komedia  “Zonjusha 39 vjeç”, rolin e zonjushës, Krisanthi; Rajmondën te komedia “Kur çel dashuria” e Teodor Laços; Hanxheshën tek drama e Naum Priftit, “Plumbat e shkronjave”; Vullnetaren  tek komedia e Ruxhdi Pulahës “Zonja nga qyteti”; kryerolin e Lumturisë, te “Troket historia” dhe Donika, te “Procesi i hapur” e Shpresa Vretos.

Ndërsa si role kryesore, mund të përmend: “Zonja e shtëpisë” te drama “Përbindëshi”; Nëna, te shfaqja e Ruxhdi Pulahës “Kohë pa emër”; Frosina, te “Kopraci” i Molierit; Luçia te “Interesi i përgjithshëm”; Nëna, te “Zgjohu Vasil”, Nëna, te “Fryrja” dhe Nëna, te drama “Për këtë truall”, të Teodor Laços; Motra e Stasit, te “Një nuse për Stasin; Gruan e aviatorit, te “Pallati i grave”, Raimonda, te “Shtëpia në rrugicë”, Aspasia, te “Karnavalet e Korçës”, e Spiro Çomorës; Egra, te drama “Era e Lartësive” e Namik Dokles, Shpresa, te komedia “Zonja nga qyteti” e Ruzhdi Pulahës”.

“Role te tjera”

“Parnela, te komedia “Tartufi” e Molierit, Zhulieta, te drama “Koka e tjetrit” e Marsel Eme, Sariqe, te drama “Paja” e Di Maxhios, Nënë Rina, te drama “Zeko Shkoza” e Ruzhdi Pulahës, Xheni, te drama “Opera për dy grosh” e Brehtit, Suzana, te drama “Ishin të gjithë bijtë e mi” e Aartur Miler, Myrveti, te drama “Qytet rrethimi” e Astrit Çermës, Emilia, te tragjedia “Otello” e Shekspirit, Kontesha, te “Lakuriq me violinë”, gruan e aviatorit, te komedia “Pallati i grave”, mamanë e nuses, te komedia “Nusja moderne”; nënën, te komedia greke “Zgjohu Vasil”, nënën, te “Qytet-rrethimi”; Folerncën te komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”, nënën, te komedia greke, “Hajdutët ikin në D.P” etj.

Në estradë: Kam interpretuar në shumë spektakle, madje për gati dy vjet, mbajta peshën kryesore në trupë, si rolin e profesores te skeçi “Bosi dhe profesorja” që m’u bë emër i dytë, shumë njerëz më thërrasin me emrin e personazhit- profesore; Krisën, tek “Bishti i shqiptarit”, një skeç që fatmirësisht e kam interpretuar me të madhin Aleko Prodani dhe Arben Dervishin, skeçi i vdekjes “Grykësit” që spektatorët na i kujtojnë batutat gjithandej, shkruar ngë Petrit Koçibelli; Gjyshen, te skeçi “Gjyshja e Droguar”; Gruan, te skeçi Letër nga Larg”. Shitësen, te skeçi “Mall vendi”; Evën, te skeçi “Eva dhe Adami”, Nënën te skeçi “Pronarët”, si dhe dhjetëra role të tjera.

“Petrika në vlerësimet e presidentëve”

“Petrika Riza, përveç çmimeve të tjera, si “Medalje pune”, “Naim Frashër i klasit të dytë”, është vlerësuar edhe me dy çmime të mëdha nga Presidenca e Republikës: në vitin 2003, me medaljen “Naim Frashëri i Artë”, kurse më 2 shkurt të këtij viti, me medaljen “Mjeshtër i Madh”.

Petrika, është edhe iniciuesi i Festivalit teatror të komedisë “Ballkan 2000” si dhe drejtor i Teatrit “Andon Zako Çajupi” gjatë viteve 1998-2004. Besojmë se me punën tone, kemi nderuar edhe dy vajzat tona, njëra stomatologe, tjetra gazetare si dhe mbesën tonë të shtrenjtë. Mirënjohje publikut që na ka ndjekur e duartrokitur gjatë gjithë jetës tonë artistike”. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e saj për veten dhe bashkëshortin, aktorja e mirënjohur, Klaudeta Riza.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *