Intervista e Ismail Qemalit për gazetën italiane, çarja e bllokadës greke, hiletë e fqinjëve dhe oferta që nuk u pranua
Nga Hasan Bello
Intervista e mëposhtme e Ismail Qemalit është dhënë për gazetën italiane “Il Giornale d`Italia” më 2 prill 1913. Kjo intervistë hedh dritë mbi disa çështje të rëndësishme politike.
Ismail Qemali flet për pozitën e vështirë në të cilën gjendej Qeveria e Përkohëshme e Vlorës si rezultat i bllokadës së ushtrisë greke, mbi princin e ardhshëm si dhe raportet me Perandorinë Osmane, e cila me anë të një njoftimi zyrtarë, sipas tij e kishte njohur pavarësinë e Shqipërisë.
Botimi i një kolane nga shtypi i huaj për Pavarësinë e Shqipërisë do të ishte një punë me vlerë të jashtzakonshme. Kjo, sepse shpesh-herë përmes gazetave dhe intervistave të botuara në shtyp, personalitete të rëndësishme politike shqiptare kanë shfaqur pikëpamje, të cilat, plotësojnë mungesën e dokumentacionit.
Burgu i Vlorës.
Për arsye të pozitës strategjike, gjiri i mrekullueshëm i Vlorës ishte i vetmi strehim i pavarësisë.
Vetë paprekshmëria e tij e bënte një liman të sigurtë për çështjen e Shqipërisë. Po grekët, të cilët kishin synime edhe për Vlorën, mbanin të robëruar me bllokun e tyre detar kreun e Qeverisë së Përkohshme, që kishte filluar që andej propogandën në drejtim të Evropës duke shfrytëzuar kabllon nëndetare që lidhte Vlorën me Italinë.
Pasi kishte përfunduar pjesën fillestare të detyrës së vet fisnike dhe kishte qetësuar njerëzit duke i bërë të kishin besim tek Evropa, ai donte të nisej.
Grekët kishin prerë kabllon që shërbente për të njoftuar…ekzistencën e Shqipërisë.
Qemal beu tani s`kishte ç`të bënte më në Vlorë.Vepra e tij do të ishte më e frytshme në Evropë.
Po blllokimi detar…ishte i rreptë dhe nuk e linte Qemal beun të nisej. Grekët nuk linin asnjë anije të hynte në skelë.
Më në fund, me ardhjen e jahtit të dukës Montpensier u paraqit rasti volitshëm. Qemal beu përfitoi nga ky rast dhe pardje u nis në dretim të Italisë.
E takova sot në mëngjes në stacion kur po vinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Boletinin, që nuk e ndjente veten mirë, dhe Gurakuqin, ministrin e ri të Arsimit.
Plaku i shquar është shumë mirë me shëndet. Ishte i lumtur që kishte arritur në Romë dhe i shprehu një kolegu dhe mua gëzimin që kishte mundur të ikte nga Vlora.
Si u nis Qemal beu nga Vlora
E pyeta për ndonjë hollësi të udhëtimit të tij.
-Shkëlqyeshëm m`u përgjigj nga çdo anë që ta shikosh. Pardje arriti në Vlorë Mekong-u, jahti i dukës Montpensier, që mbante flamur tregtar anglez. Duka më ftoi menjëherë në jahtin e vet të mrekullueshëm dhe më pyeti a kisha ndër mend të vija në Itali. Ishte fat i madh! Do të kishte qënë budallallëk po të mos kisha përfituar nga një rast kaq i mirë. Për mua ftesa e tij do të thoshte të shpëtoja nga një burg i çuditshëm dhe më jepte mundësi të punoja pak më nga afër për çështjen e vendit tim.
-Dhe grekët nuk ju kapën?
-Jo. Për të parë na kanë parë shumë mirë. Duhet të them pastaj se Mekong-u vinte nga Korfuzi. Po të kishin dashur të më kapnin mund ta kishin bërë shumë lehtë. Unë nuk ua kam fshehur fare nisjen time. Një kanonierë greke që ishte ngarkuar të mbikqyrte bllokadën na vuri re dhe na la të kalojmë pa asnjë shqetësim…
-Po miqtë tuaj në Vlorë, Shkëlqesi, ju lanë të niseni?
-Qenë ata vetë që më këshilluan që të përfitoja nga ky rast i pa shpresuar. Ata janë të bindur se për çështjen e Shqipërisë nuk mund të luftohet në Vlorë, në një qytet ku liria është shpallur në një lloj burgu, po diku gjetiu dhe sidomos në Londër ku po zhvillohen bisedime rreth fateve tona të ardhshme. U kam lënë udhëzime të hollësishme miqve të mi të qeverisë se duke u treguar pasojat e rënda që do të kishin për vendin tonë veprime të pa peshuara dhe çdo përpjekje për kryengritje. Ata m`u betuan për këtë dhe unë jam krejt i qetë se bashkatdhetarët e mi do të vazhdojnë të mbajnë po atë qëndrim paqësor që unë kam dashur dhe u kam këshilluar deri tani.
-A kanë përparuar grekët më tutje?
-Jo. Nuk kanë kaluar përtej Tepelenës. Në Tepelenë është bërë një aksion i rëndësishëm dhe turqit kanë hedhur në erë një urë për të ndaluar pushtimin e qytetit. Po grekët nuk kanë shkuar përtej Tepelenës. Ata e dinë se me vullnetin e Italisë, në radhë të parë, por edhe të Austrisë, Vlora është e paprekshme.
-Po Beratin nuk e kanë pushtuar?
-Jo. Në të gjithë sanxhakun e Beratit nuk kanë shkuar përtej Tepelenës.
-E në ç`gjendje e latë Vlorën?
-Shumë të qetë. Nuk ka pasur vështirësi të tjera përveç atyre të bllokimit detar që na izolon dhe na lë pa disa mjete të domosdoshme jetese.
Një oficer austriak dhe një prift
Ka pasur vetëm një ngjarje për t`u vënë në dukje: ka ardhur një oficer austriak i veshur civil dhe i shoqëruar nga një prift dhe një marinar.
-Si ka ardhur?
-Ka zbritur në grykën e Semanit nga një vapor i “Lloyd”-it dhe që andej ka arritur në Vlorë me një barkë me rrema. Ju e dini se në Vlorë ka ca elementë që nuk duan pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Këta elementë të paktë gjithmonë më kanë luftuar dhe janë përpjekur të krijojnë vështirësi. Ky oficer thoshte se ishte në gjendje të armatoste popullsinë dhe të na falte pushkë. Po unë nuk e pata të vështirë të bindja popullsinë se ne nuk kishim nevojë për manovra të tilla dhe se do të garantonim sigurinë e vendit tonë duke u mbështetur me besim nën kujdesin e Evropës.
-Shtypi në Itali ka botuar lajme për këto manovra austriake në Vlorë…
-Atëherë ky lajm, shtoi duke buzëqeshur Qemal beu, nuk qenka gjë e re për ju. Sa për vete, unë e di politikën e Vjenës e megjithatë i jam mirënjohës edhe Austrisë për interesimin që tregon për Shqipërinë. Megjithatë e di edhe ndryshimin në mes politikës së Vjenës dhe të Romës….
Dhe në këtë pikë Qemal beu u mbyll në një heshtje diplomatike…
-Po vështirësitë që krijon bllokimi për ushqimin e popullsisë?
-Oh! Më mirë të mos flasim për të! Eshtë një çështje shumë e dhimbshme. Gëzohem që kam ardhur në Itali edhe sepse kam ndërmend t`u kërkoj qoftë qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive dhe ministrit të Greqisë që t`i japin fund kësaj mase me të vërtetë të urryer dhe të kotë. Pas nja 20 ditësh popullsia e Vlorës nuk do të ketë gjë për të ngrënë. Kemi bërë mrekullira për të siguruar ushqimin e popullsisë, por kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më gjatë. Tani ka arsye humanitare që kërkojnë ngritjen e bllokadës. Duke vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët tregojnë se ndjekin qëllime që janë krejt në kundërshtim me qytetërimin e tyre. Përse duan që të vdesë për bukë një popullsi që është e pambrojtur në asnjëanësinë e vet? Nuk ka asnjë arsye për të justifikuar vazhdimin e bllokimit të Vlorës.
-A ka trupa të shpërndara të Xhavid pashës?
-Ka, po janë vetëm ushtarë të katandisur si mos më keq që nuk paraqesin asnjë rrezik ushtarak. Xhavid pasha vetë ndodhet në Lushnje, pranë Shkumbinit, në kushte vërtet tragjike dhe nuk është në gjendje të kundërshtoi asnjë veprim të grekëve, as t`i detyroi të tërhiqen nga pozicionet që kanë pushtuar. Grekët zotërojnë të paktën hë për hë, Sarandën dhe të gjitha pikat e bregdetit të bllokuar. Ata kanë deklaruar se nuk do të prekin Vlorën për të mos shkuar kundër vullnetit të dy fuqive adriatike, prandaj nuk duhet ta dëmtojnë me anën e bllokimit. Unë shpresoj se do të jem në gjendje të tregoj arsyet humanitare që kërkojnë ngritjen e bllokadës.
Turqia e Shqipëria
Pastaj Qemal beu kërkoi që unë ta informoja për zhvillimet e fundit të punimeve të Konferencës së Londrës për Shqipërinë sepse nuk ishte i informuar. Për çështjen e kufijve jugor të Shqipërisë unë i shtjellova tezën e grekëve që kërkojnë të marrin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën, e pastaj dhe Gjirokastrën dhe Sarandën.
-Por, kjo, thirri Qemal beu do të thotë copëtim i vërtetë i Shqipërisë! Të shpresojmë se më në fund Fuqitë e Mëdha do të imponojnë vullnetin e tyre duke u nisur nga integriteti i territoreve me popullsi thjeshtë shqiptare. Është me të vërtetë për t`u çoroditur që grekët të mendojnë të shtien në dorë edhe Korçën!
-Ç`marrëdhënie ka Shqipëria tani me Turqinë?
-Krejt paqësore. Në Vlorë kemi marrë një njoftim zyrtarë të Vezirit të Madh i cili njeh pavarësinë e Shqipërisë dhe të drejtën që të kemi flamurin tonë. Ajo që trupat e Xhavid pashës i bënë flamurit tonë në Tepelenë ishte fyerje e rëndë. Qeveria turke hapi një anketë dhe njoftoi mytesarifin e Beratit se ajo tani më njihte mëvetësinë tonë dhe kërkonte nga autoritetet e fundit turke që kishin mbetur në Shqipëri që të rrespektonin flamurin tonë.
Mbi princin e ardhshëm të Shqipërisë
-A është zgjidhur çështja e princit të shtetit tuaj?
-Oh! Çështja e pretendentëve të fronit dhe të principatës së Shqipërisë ka rrezik të ndërlikohet. Takova dukën Montpensier, i cili, duke u nisur nga ndjenja humanitare, më nxorri nga situata e çuditshme në të cilën unë ndodhesha. Natyrisht i shpreha gjithë mirënjohjen time për këtë gjest fisnik dhe i thashë se Shqipëria do ta ndjente veten të nderuar po të kishte në krye pinjollin e një familje të shquar dhe të lashtë të Evropës. Po, për të qenë korrekt me të i thashë edhe se nuk kishte ardhur akoma koha të mendonim për çështjen e princit e cila do të zgjidhet më vonë.
-Cili është mendimi juaj, shkëlqesi, për çështjen e Shkodrës?
-Mund ta merrni me mend. Unë mendoj se tashmë çështja e Shkodrës është në rrugën e zgjidhjes. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se do të nxjerrë gjë në dritë. Arsyet për të cilat Shkodra duhet t`i mbetet Shqipërisë janë tepër të njohura. Dhe Fuqitë që e kanë kuptuar domosdoshmërinë e një vendimi të tillë, tashmë janë të njëzëshme për ta ftuar Malin e Zi që të tërhiqet.
-A keni lexuar telegramin e Mbret Nikollës, në të cilin flitet për barrierën e krishtërimit që duhet të ngrihet kundër islamizmit?
-E kam lexuar dhe pikërisht këtu qëndron dobësia e tezës së Malit të Zi. Si mund t`i shkojë ndër mend Mbret Nikollës t`u imponojë me armë e me dhunë myslimanëve shqiptarë që të ndërrojnë fe? A mendon ai për luftimet e përgjakshme që e presin? Po unë tani mendoj se Mali i Zi më në fund do t`i nënshtrohet vullnetit të Evropës. Jam i gëzuar, përfundoi Qemal beu, se kam mundur të lë Vlorën për të mbrojtur akoma të drejtat e Shqipërisë në kryeqytetet evropiane, në qytetin tuaj dhe sidomos në Londër, Peja, Prizreni, Gjakova, mesa duket, janë të humbura, po prapë mbeten shumë territore për të shpëtuar. Dhe këtë po përgatitem të bëj, i bindur në të drejtat e shenjta të popullit tim.