Ike i vogël Dori ynë, ike fluturove dhe ai boshllëk që le, tani është bërë hon
Nga Agim Xhafka
Teodor Keko sot do të mbushte 66 vjeç. Mbase do dukej ende riosh, por vitet do i kem n’dë bythë, do na thosh.
Iku i ri dhe ashtu djaloshar na i beri thjesht me dorë. Si një lamtumirë a mirupafshim. U largua si erë pranvere, la pas plot gjethe të çelura poezie.
Ne shokëve te tij, sot mbuluar me thinja e rrudha, Dori në foto na duket djali ynë, biri ynë i dashur dhe më i përkëdheluri. Na duket sikur ndonjë ditë do të na fanepset e do të na thotë:
-Ej, erdha unë Dorka i vogël, erdha se u largova sa për pak, sa të shkruaja ca vargje për veten! E të tjera, e të tjera…
Dhe do e besojmë, nga që ka qënë njeri i surprizave, i guximit, i mendimit dhe i argëtimit.
Ike i vogël, Dorka i vogël. Ne shokët e tu ende marrim frymë, por mosha çdo vit po na mpak, ilaçet po na venë orar. Ti nga thellë, atje te vendi, tallesh e na fton:
-Ejani ore, të shihemi, na thua.
Besojmë që je rehatuar, ndryshe do e kishe nxjerrë kokën diku. I mbushe 66 vëlla.
Ke shumë vjet që nuk bën happy birthday, ama nën lëkurë të janë shënuar vitet, t’i mbajmë mend edhe ne, shokët që të kujtojmë çdo ditë.
Ike, fluturove e ai boshllëk që le tani është bërë hon. Hon që na fton e na fton dhe na…kërkon.