I biri kujton Mimika Lucën: Dy vjet pa ty nënë, por ti dhe baba latë pas emrin e mirë

Aktorja e madhe Mimika Luca u nda nga jeta si sot dy vite më parë.
Me këtë rast, i biri, Gjergj Luca, ka kujtuar të ëmën.
“Dy vite larg, miliona emocione afër.
Sot nëna ime, aktorja e mirënjohur Mimika Luca ka përvjetorin e dytë të largimit nga jeta, por pas ka lenë kontributin e saj të madh kulturor kombëtar.
Faleminderit që na latë pas emrin e mirë ti edhe baba ynë, të dashur prindër të paharruar”, shkruan Luca.
Mimika Luca, e cila u nda nga jeta në 21 shkurt të vitit 2023, prej disa kohësh vuante nga ishemia cerebrale.
Ajo u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937 dhe në moshë shumë të re interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë.
Për njëmbëdhjetë vite, nga 1951 deri në 1962, ishte balerinë në TKOB. Më pas, jeta e saj mori një drejtim tjetër, atë të aktrimit.
Mimika Luca u pranua në vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role, si Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë.
Roli i parë ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.