Hipokritë, po fatkeqësinë e tragjedinë e Matilda Makoçit që ndodh para syve tonë, pse nuk e shikoni?
Nga Altin Dangëllia
Ka disa ditë tashmë, që fati i Parashqevi Simakut, është kthyer debat kombëtar në Shqipëri.
Kjo, pas publikimit të një video, ku ajo shfaqej në një gjëndje të vështirë jo vetëm ekonomike, por edhe emocionale.
Që prej asaj dite, janë bërë dhjetëra reagime dhe emisione televizive.
Ka nisur dhe mbledhja e ndihmave për Parashqevi Simakun.
Por si Simaku, ka dhjetëra artistë këtu në Tiranë, që jetojnë në gjëndje të vështirë dhe të harruar jo vetëm nga shteti, por dhe nga shoqëria.
Një prej tyre është Matilda Makoçi.
Prej kohësh, ajo jeton si hije në Tiranë, pas dramës së rëndë familjare që i ndodhi.
Askush nuk e di kush kujdeset për të.
Me çfarë jeton?
Çfarë bën, si i shtyn ditët?
A ke nevojë për ndonjë gjë, si grua e vetme që jeton në një pallat të vjetër?
Ka shumë mistere për të, por askush nuk është kujtuar as të bëjë emisione dhe as të pyesë ore çfarë ka ndodhur me një ikonë të cilën e shohim përditë në television, por nuk e dimë si jeton, ku, me kë, pse nuk e shohim më në rrugë a në publik?
Mirë bëjnë që janë në garë kush të shpëtojë Parashqevinë atje në Amerikën e largët.
Por kujtohuni njëherë për këta që kemi këtu, heshtja ndaj të cilëve ulëret më shumë se çdo fjalë!