28 Dhjetor, 2024

Gazetarja: Parashqevia e fshiu Shqipërinë dhe kërkoi qiellin e Amerikës. Por shikoni si u katandis

 Gazetarja: Parashqevia e fshiu Shqipërinë dhe kërkoi qiellin e Amerikës. Por shikoni si u katandis

Nga Dalina Buzi

Meqënëse u hap tema e gjendjes së Parashqevi Simakut, mua më vjen vërtet keq, po Parashqevia dikur zgjodhi të bënte shkëputje totale nga Shqipëria. Në 2003-shin, unë shkoj në SHBA si gazetare e Top Channel, për të ndjekur presidentin e atëhershëm, Alfred Moisiun, në një seancë të OKB-së në New York dhe shfrytëzova kohën për të intervistuar këngëtarët shqiptarë që jetonin atje (Anita Bitri, Aurela Gace, Merita Halili, Gëzim Nika dhe Parashqevi Simaku).

Parashqevia kishte nje live në një lokal të vogël. Shoqërohej nga ish-bashkëshorti. Disa vite më parë ajo kishte nxjerrë një album nën emrin ‘Vivian Simaku’ me diçka të tipit ‘new age-etno’ të cilin unë e kisha blerë me qejf (më falni nëse nuk e kujtoj a ishte album, apo ajo ishte pjesë e një albumi me artistë të ndryshëm.)

Afrohem t’i flas Parashqevisë dhe ajo ma kthen anglisht. Refuzonte të fliste shqip edhe pse e sjellshme dhe e ëmbël, siç e kishte komunikimin. Flet diçka me burrin e saj dhe më thotë që “për momentin do këndoj”. I them që “kam ardhur që nga Shqipëria” etj., por asaj s’i bëhej vonë.

E marr në telefon prapë, se normalisht ajo do bënte lajm në Shqipëri, dhe më tha tekstualisht: “Menaxheri im nuk do që të flas”. Menaxheri ishte i shoqi. Kur kthehem në Shqipëri, ia tregoj shefave në ‘Top’, që madje e shtuan si tekst në dokumentar edhe pse unë isha kundër.

Gjithsesi, Parashqevia mund të quhej delirante nga shumë, por ajo ndoshta e vetme në një shtet të madh dhe nën hipnozën e të shoqit (mendoj të dy kishin hipnotizuar njëri-tjetrin), e projektonte veten vetëm për tregun amerikan dhe donte të hynte e të prezantohej aty si amerikane. Dy vjet pasi iku, ajo u kthye në Shqipëri me Robertin dhe fliste shqip me dialekt amerikan. 2 vjet!!! (Arbëreshët e flasin më mirë shqipen.)

Dëshira e saj për t’u asimiluar tërësisht, ishte gati ekstremiste. Të qenit idhull dhe ‘seks simbol’ në Shqipëri dhe përplasja me një pandjeshmëri të showbizz-it amerikan për artistë të huaj; besimi ndoshta i tepërt tek i shoqi i saj pa ndonjë background menaxhimi dhe shumë më pak i kualifikuar dhe jo aq i suksesshëm sa e shoqja, ishin ndoshta goditjet e para për të. Madje dikush më ka thënë që kur erdhi në Shqipëri, ajo pretendonte se dasma e saj do të transmetohej dhe në CNN.

Natyrisht në vitet ’90-të, artistët shqiptarë nuk kishin dhe aq shumë informacion për Amerikën. Parashqevia e cila u prit në fillim nga komuniteti amerikan si ZOTI, madje u derdhën shumë dollarë për të ndihmuar karrierën e saj, kishte të gjitha të drejtat në botë PËR TË ËNDËRRUAR DHE PËR TË NDJEKUR ËNDRRËN.

Por 29 vjeç, me dialekt dhe me biografi jo shumë tërheqëse për tregun amerikan dhe ndoshta NË KOHËN E GABUAR, ajo nuk mund të bëhej ‘the POP Star’, një vend i rezervuar për amerikanë, kanadezë dhe anglezë.

Çështja është që Parashqevia, në gjykimin tim, fluturoi më lart se ç’duhet dhe refuzoi të prekte tokën dhe për më tepër, refuzoi të ndjente edhe tokën mëmë.

E shfrytëzoi pak lidhjen e saj me Shqipërinë në albumin ‘etno’, në fund të viteve ’90-të (e bleva në USA atë album), por ndoshta ajo vazhdonte të kërkonte atë YLL që kishte në vendlindje.

Fatkeqësi ta them, por duke marrë parasysh dhe eksperiencën time personale, Parashqevia me tre emra (Vivian dhe tani Simaku) është viktimë e rrëzimit të saj nga fluturimi i gjatë mbi re dhe ndoshta nga besimi i tepërt në njerëz që kërkuan ta formatonin në diçka që vështirë të bëhej pas 29 vitesh në një vend të izoluar komunist.

Ajo e fshiu Shqipërinë sepse mendoi se do e pengonte, por e kërkoi qiellin e Amerikës si një yll shqiptar.

Ky është një konstatim i imi, por padyshim unë nuk di asgjë për historitë dhe sfidat e saj personale të tjera në familje dhe me shëndetin mendor.

Gjithsesi, zhdukja e saj e qëllimshme për planet e saj në Amerikë, e ktheu artisten në Shqipëri në një ikonë. Ajo “vdiq” për ne madhërisht, siç vdiq Vaçe Zela, e cila iu largua mikrofonit kohë para se të ikte nga kjo jetë. Ndaj kjo video që doli tani ishte tronditëse, sepse ne e kishim zhdukur tashmë nga jeta mes artistëve të gjallë me koncerte e Instagram-e dhe e kishim vendosur në një mazoleum me të vdekurit e mëdhenj.

Parashqevia është gjallë, me emër tjetër dhe mbledh ndihma.

Idhulli ynë, ‘pop star’-i ynë, e para ‘sex simbol’ në Shqipëri, ‘Malena’ e viteve ’80-të, u shfaq e dobët, e pambrojtur, e braktisur.

Ky ishte takimi që Parashqevia në 1000 vjet s’do ia uronte kurrë vetes së saj.

Do ishte mirë të mos e kishim parë atë video, po e pamë dhe ndoshta nuk ndodhi pa qëllim.

Vivi e largoi Shqipërinë qëllimisht për kaq e kaq vite, por sot nëse ajo është në gjendje të kuptojë, mund të shohë që Shqipëria është ajo që e ka dashur më shumë dhe që kurrsesi nuk do ta linte të endej rrugëve si një “e moshuar që i gëzohet një batanijeje”. (Anabel)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *