5 Dhjetor, 2024

Filmi “Gjirokastra”, aktori rrëfen detajin që e tronditi gjatë xhirimit të “Enver Hoxhës”

 Filmi “Gjirokastra”, aktori rrëfen detajin që e tronditi gjatë xhirimit të “Enver Hoxhës”

Filmi “Gjirokastra” – Brenda mureve të gurta të kështjellës, aktorë shqiptarë e rusë kanë rigjallëruar një kapitull të errët dhe trazues të historisë sonë të përbashkët në Shqipërinë e pluhurtë të kohës së diktaturës.

Në qendër të filmit është një arkeolog shqiptar, i cili dashurohet me një nga vajzat ruse, që në mënyrë simbolike Ismail Kadare i ka emërtuar “Sorkadhet e trembura”. Telashet do të fillonin, pasi Tirana e asaj kohe ndërpreu lidhjet me Moskën, duke i kthyer të rinjtë shqiptarë që u martuan me femra sovjetike në tradhtarë dhe më tej binin pre e dhunës.

“Personazhi im përpiqet ta mbrojë sa më shumë gruan e vet nga ambienti që e rrethon duke dashur ta izolojë në një flluskë dashurie të padukshme dhe duke e mbajtur sa më larg nga kontakti me njerëzit vërdallë”, thotë aktori Besmir Bitraku, i cili interpreton rolin kryesor në film, atë të arkeologut.

Filmi në thelb na përball me ashpërsinë me të cilën diktatura shqiptare dhe diktaturat në përgjithësi goditnin familjet e krijuara mes martesave ruso-shqiptare. Në film nuk mungon as figura e Enver Hoxhës, që vjen i rimishëruar nga aktori Neritan Liçaj.

Liçaj shpjegon se filmi nuk tenton të rikthejë në vëmendje Enver Hoxhën si figurë, por dramat njerëzore gjatë asaj periudhe të errët.

“Nuk është se rikthehet në vëmendje figura e Enver Hoxhës, sepse në fakt filmi nuk trajton figurën e Enver Hoxhës siç është thënë, është e gabuar. Filmi flet për dramën njerëzore të viteve ‘60 kur Shqipëria u shkëput nga kampi socialist dhe se si paranoja e një diktatori, i cili bëri që të ndërhynte brutalisht, egër, në jetët e njerëzve specifikisht në ato çiftet e përbëra shqiptaro-polake, ruse, çeke.

Enver Hoxha vjen në vëmendje si figura e një njeriu i cili me paranojat e pushtetit të tij shkakton probleme njerëzore, pra kthehen në vëmendje problemet njerëzore në diktatura në përgjithësi se si diktaturat ndërhynë brutalisht në jetët e njerëzve, duke u shkatërruar atyre praktikisht jetën”, thotë aktori.

Duke e cilësuar si një eksperiencë të bukur e njëkohësisht një barrë të rëndë interpretimin e këtij roli, aktori i mëshon fort faktit se filmi nuk merr përsipër të mbajë qëndrim ndaj fenomeneve të asaj periudhe, por e ka fokusin tek ana njerëzore.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, jemi përpjekur të mos mbajmë asnjë lloj qëndrimi, qoftë regjisori, qoftë edhe unë nëpërmjet figurës që kam mishëruar, sepse ne nuk jemi politikanë, ne jemi artistë. Jemi përpjekur të trajtojmë anën njerëzore, pra problemet njerëzore. Ka qenë një eksperiencë e vështirë sepse të rikthesh një figurë historike që është shumë pranë realitetit tonë, pasi shumica e kanë të freskët figurën e tij, nga pikëpamja profesionale është një detyrë dhe një barrë shumë e rëndë”.

Gjatë xhirimeve të filmit, Liçaj veçon edhe një detaj për figurën e diktatorit, që gati-gati e ka tronditur.

“Gjatë xhirimeve kujtoj një skenë kur Enver Hoxha shkon në Galerinë e Arteve për të parë një bust që i kanë bërë atij dhe aty ka njerëz, të cilët janë duke parë galerinë ku njihet edhe me çiftin shqiptaro-rus.

U vendos kamera, u bë gati sheshi i xhirimit dhe regjisori më thotë ky është sheshi i xhirimit, lëvizja jote do jetë pak a shumë këtu dhe vendosi dhe figurantët etj, etj, dhe më thotë improvizo: ‘U futën ushtarët e gardës, futet Enveri dhe unë u flas atyre që ishin figurantë, qytetarë, pjesa më e madhe ishin mosha të thyera që e njihnin shumë mirë Enver Hoxhën. Unë u fola si Enveri: ‘Si jeni, kalamaqtë mirë i keni’? Dhe pa u thënë absolutisht asnjë njeri, ata filluan të bërtisnin ‘PARTI ENVER’ vetë”, rrëfen ai.

I gjendur përballë kësaj skene, aktori është i çuditur me faktin se sa thellë është rrënjosur figura e Enver Hoxhës te shqiptarët, pavarësisht shtypjes në gjithë ato vite.

“Populli shqiptar është mësuar me idenë të ketë një njeri që i udhëheq. Edhe pse Enver Hoxha po bëhen gati 40 vjet që ka ndërruar jetë dhe njerëzit vazhdojnë ende ta simpatizojnë, kjo të bën përshtypje.

Por është vërtet e çuditshme, një njeri që i ka shtypur dhe frustruar, ka bërë ç’të dojë me ta, ata prapë e simpatizojnë. Të shihje figurantë ishin pafund”, vijon ai, ndërsa shton se “të linte shije vërtet të hidhur, pavarësisht se regjisorit i pëlqeu, pasi filmi provokoi një realitet të atëhershëm, pra filmit i duhej ajo gjë, entuziazmi i njerëzve”.

Me skenar të penës më të rëndësishme shqiptare, Ismail Kadare, nën drejtimin artistik të Aleksandër Sokuroc dhe në regjinë e rusit Yuri Arabov, filmi sjell më afër të panjohurat e asaj periudhe, por aktori Liçaj shprehet se gjykimi i takon publikut.

“Nuk e di se sa e kemi arritur ta sjellim atë realitet. Atë do ta gjykojë spektatori. U bë shkak pandemia që të mos jepej premiera. Nuk di të të them saktë se kur do të ketë një premierë, pasi akoma nuk e vendosur produksioni. Por patjetër do të ketë një premierë në Tiranë sepse është një temë që flet për Shqipërinë edhe pse ajo aludon edhe për vende të tjera të ish-kampit socialist”, përfundon aktori.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *