7 Tetor, 2024

“Epshor si majmun, gratë që simpatizonte donte t’ua jepte për gra vartësve besnikë”, një rrëfim për Ali Pashën dhe fuqinë e haremeve osmane

 “Epshor si majmun, gratë që simpatizonte donte t’ua jepte për gra vartësve besnikë”, një rrëfim për Ali Pashën dhe fuqinë e haremeve osmane

“Portat me kyçe, oborri me vija”. Kjo këngë e vjetër popullore e viseve të Labërisë nuk i përshtatet askujt më shumë se sa pamjeve të një jete të mërzitshme brenda shtëpisë, të grave të mbyllura ose një haremi. Ose një burgu, por nëse bëhet fjalë për harem, flasim për një burg luksoz.

Fotoja poshtë këtyre rreshtave paraqet një dryn të veçantë, me përmasa dhe histori aspak të zakonshme. Mendohet të jetë i periudhës së Sulltan Sulejmanit dhe është simbol i luksit dhe i kontrollit absolut.

Dryni ka dy çelësa të mëdhenj, një kryevepër mekanike mesjetare: lartësia 56 cm, gjerësia ose sipërfaqja ballore e drynit 35.5 cm ndërsa trashësia 11.2 cm. Pesha e përgjithshme e këtij mekanizmi arrin në rreth 18 kg.

Duke folur për drynin e haremit, shkrimtari Xhejson Guduin flet edhe për Eminenë, e njohur si Gül-Bahār Khātûn e lindur me 1434 nga prindër shqiptarë. Ajo hyri në Haremin e Perandorisë më 1446 me një të kaluar të krishterë dhe më vonë pranoi Islamin.

Ushtroi ndikim të rëndësishëm në jetën e haremit, duke u bërë gruaja e parë e Sulltan Mehmet Fatihut dhe njerka e Sulltan Bajazitit Il. Guduin identifikon edhe shumë shqiptarë të tjerë në historinë e tij, veçanërisht jeniçerë, por edhe roje në pallatin e sulltanit, si dhe gra të tjera që ishin pjesë e haremit.

Duke shkruar për haremet nuk kishte si të ishte jashtë botimit, Ali Pashë Tepelena. Mbi haremet e Ali Pashës ka botuar një studim Blerina Gaçe, e cila është bazuar pikërisht në shënimet e Guduinit.

“Luani i Janinës” ishte sipas këtij rrëfimi, një njeri i dhënë shumë pas qejfeve të haremit. Ai mbante aty gra dhe djem të rinj, të cilët herë i blinte me para, herë ia sillnin “dhuratë” e herë të tjera i rrëmbente.

Sipas librit “Luani i Epirit Ali Pasha dhe Suli”, Aliu shfaqet “epshor si majmun” dhe në haremin e tij kishte më shumë se 300 gra. Në libër tregohet se si ai i vishte “çupat” e tij mjaft pasur dhe i trajtonte në gjithë madhështinë e kamjes së kohës.

Dëshmi e një vlerësimi të lartë, shkruan mjeku anglez Holland, quhej kur Aliu nga haremi i tij shkëpuste një nga bukuroshet dhe ia jepte dikujt që ai mendonte se e meritonte. Ky veprim, konsiderohej privilegj apo nder i madh.

Kishte raste kur Aliu u impononte vartësve të tij martesën me gratë e haremit. Ato që Aliu i simpatizonte, e kishte zakon t’u premtonte se do t’u gjente patjetër një burrë të fisëm.

“I kishin shpurë, – shkruan majori anglez Lik, – një fshatare të re. Pas pak kohësh vendosi ta martonte me një zotni të mirë, Pahumin. Ky u informua herët për “nderin” që donte t’i bënte dhe i shoqëruar nga një i afërt u përpoq të largohej fshehur për në Korfuz. Njerëzit e Tahir Abazit i kapën në bregun ku bënin pazar anijet dhe i kthyen në Janinë që të dy, sepse nuk dinin se cili ishte dhëndëri”.

Pushtet dhe robëri

Luftë e egër për pushtet

Haremet, përveç vendeve të qejfeve të shfrenuara, qenë shndërruar edhe në skena e intrigash të mëdha. Një femër e preferuar e sulltanit nëse lindte një fëmijë të tij, kishte një mundësi që ai të ishte pasardhësi. Por për këtë, kishte shumë në lojë. Rreziku i eleminimit, helmimeve, vrasjeve ishte i lartë.

Por nëse ia arrinte, ajo bëhej sulltanesha mëmë, e si pasojë, një prej figurave më të pushtetshme të perandorisë, edhe pse nga pikëpamja juridike, mbetej shpesh një skllave. Rreziku i përjetuar së bashku me shpresën, forconin ndërkohë lidhjen nënë e bir.

Duket se numri i vajzave dhe grave në “zonën e veçuar” ka arritur ndonjëherë në 1200: të gjitha skllave, që nga rrobalarësja, deri tek nëna mbretëreshë; nga pikëpamja ligjore, janë të lira vetëm bijat dhe motrat e sulltanit dhe, në teori, gratë e tij. Megjithatë, prej shekullit XV pjesa më e madhe e 36 sovranëve otomanë nuk marrin grua, as Selimi III: sipas ligjeve islamike, bijtë e lindur prej skllaveve kanë të njëjtat të drejta me ata të lindur prej martesës.

Ndonjëherë vlen rregulli që çdo konkubinë mund të jetë nënë e një mashkulli të vetëm, kështu që shpesh Sulltani ka një numër të vogël bijsh. Përjashtim bëjnë sovranë si Murati III, i cili kishte 103: ditën kur vdiq, në 1595, jetonin ende 20 prej tyre, nga të cilët njëri u bë sulltan dhe vrau të gjithë të tjerët.

Luftërat për pushtet mes princave ishin diçka e zakonshme. Mehmeti II, në shekullin XV, urdhëroi: “Çdo pasardhësi im, kur të bëhet sulltan, mund të vrasë vëllezërit e tij, nëse qëllimi është ruajtjen e rendit të perandorisë”.

Duke filluar nga ky moment, vdekja e sulltanit sjell shpesh edhe vdekjen e princave poshtë Njëshit: Zakonisht mbyteshin me fijen e një harku apo me një shall mëndafshi sepse brenda në pallat nuk duhej të derdhej gjak. Edhe bijtë ende të palindur të një sulltani të vdekur nuk ishin të sigurtë: Më shumë se një herë, pasardhësi ka futur në thasë dhe ka hedhur në detin Marmara konkubinat e babait, të mbetura shtatzëna.

Eunukët, vigjilentë të haremeve

Sa herë që flitet për haremin, menjëherë bëhet një lidhje e shkurtër sikur në këtë oaz të qejfeve të sulltanit lindën edhe eunukët. Në fakt Guduin shprehet se “eunukë nuk i bëri haremi, megjithëse shumë prej tyre punonin atje”.

Ndryshe nga eunukët e bardhë dhe nga këngëtarët e tredhur të Vatikanit, eunukët e zinj të pallatit ishin pa gjë fare: ua kishin prerë organin gjenital. Tani secili prej tyre mbante një tub të vogël dhe elegant prej argjendi, futur në njërën prej palëve të çallmës për të kryer nevojat fiziologjike.

Megjithatë, edhe në kohën e Dariusit dhe Aleksandrit, burrat ishin tredhur për t’u përdorur për shërbime të ndryshme. Qëkur kishte lindur ideja e dinastive, kishte patur eunukë. Disa prej tyre kanë komanduar flotat, kanë  drejtuar ushtri dhe jo rrallë kanë ndikuar politikat e shteteve.

“Ndonjëherë ata ishin si një vëllazëri e çuditshme, në botën e errët të rojave: Të thatë shpirtërisht e të ftohtë. Të pamëshirshëm. Jo vetëm ata të osmanëve. Të tillë ishin edhe eunukët e botës së lashtë, ata të perandorit kinez dhe të hierarkisë së kishës katolike në Evropë”, – shkruan Guduin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *