6 Tetor, 2024

Drama e Timo Fllokos: Me ndanë nga familja se u prishëm me Jugosllavinë, babi zgjodhi vëllain në kufi

 Drama e Timo Fllokos: Me ndanë nga familja se u prishëm me Jugosllavinë, babi zgjodhi vëllain në kufi

Aktori Timo Flloko është rrëfyer para publikut gjakovar si asnjëherë më parë. I ndodhur atje si i ftuar i edicionit të parë të filmit me metrazh të shkurtër “Gjakova film festival”, aktori shqiptar kishte përçuar emocione te publiku, në një bashkëbisedim që ka zgjatur më shumë se 2 orë, i zhvilluar në kuadër të edicionit të parë të këtij festivali.

Ai ka folur për përvojat e tij, familjen, teatrin dhe filmin shqiptar.

“Mund të duket pakëz e ekzagjeruar, por gjatë rrugës për në Gjakovë, tërë kohën më është bërë mishi kokrra-kokrra, kur shihja sesa shumë jemi afruar me njëri-tjetrin”, ka thënë aktori, ndërsa për herë të parë ka treguar historinë e familjes së tij, e cila për disa vite kishte jetuar mes Kosovës dhe Shqipërisë së ndarë.

Ai ka rrëfyer se ka lindur dhe ka jetuar në Pejë deri në moshën 8-vjeçare, ndërsa në gjashtë prej këtyre vjetëve ka jetuar i ndarë nga babai dhe vëllai i tij.

“Kur isha veçse 2-vjeç, Shqipëria ishte prishur me Jugosllavinë dhe babanë tim e detyruan të largohej nga Peja dhe të kthehej në Shqipëri. Kur shkuam në kufi, kufitarët i njoftuan babait se kanë urdhër që të lejojnë vetëm atë të kalojë, por jo familjen.

Pas shumë lutjeve e përpjekjeve, i lejuan që me vete ta merrte vetëm vëllanë tim të madh Aleksandërin dhe kështu unë e nëna ime ishim të detyruar të ktheheshim e të jetonim në Pejë, deri në zhvillime të tjera politike, kur na u mundësua të ktheheshim në Shqipëri, konkretisht në qytetin e Vlorës.

Është hera e parë që bëj publike këtë histori timen”- ka thënë aktori Timo Flloko, duke përcjellë emocione të forta tek publiku.

Megjithëse ai dhe familja e tij kanë vuajtur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Flloko u tha kureshtarëve se në atë kohë arti në përgjithësi dhe kinematografia e teatri në veçanti kanë pasur një zhvillim të hovshëm, zhvillim me të cilin shqiptarët mund të mburren edhe sot e kësaj dite.

“Sot shumë pak po investohet në teatër dhe në kinema, e kjo është diçka që po më vret shumë”- i është rikthyer ai bisedës për filmin, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka kishte dashur të thoshte për familjen, e kishte rrëfyer. Por kureshtja e adhuruesve të tij ka qenë e madhe.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *