7 Tetor, 2024

Dokumenti sekret i britanikëve: Enver Hoxha shfaqet pompoz, por është dhelparak! Shehu arrogant e karrierist, Spiro Moisiu i trashë

 Dokumenti sekret i britanikëve: Enver Hoxha shfaqet pompoz, por është dhelparak! Shehu arrogant e karrierist, Spiro Moisiu i trashë

Raporti i majorit Oliver në fund të vitit 1944 i përkushtohet vijës politike të ndjekur nga Enver Hoxha, si dhe një vlerësim që ai bën për të gjitha figurat politike e ushtarake që njohu në Shqipëri. Oliver shprehet se mes aleatëve kishte dy teori në lidhje me mbijetesën e Hoxhës. Së pari, ata mendonin se Hoxha po nis një regjim të egër për të konsoliduar pushtetin e më pas t’u vinte kushte për ndihma aleatëve perëndimore. Së dyti, ata mendonin se Hoxha kishte nisur tashmë një rrugë pothuaj vasaliteti, që kontrollohej nga jugosllavët dhe rusët.

Sipas tyre, rruga e dytë ishte edhe më e lehta dhe kjo aspak për t’u surprizuar, nisur nga analiza që ata i bënin personalitetit të Enver Hoxhës, por edhe rolit që po fitonin misionet ruse dhe jugosllave në Tiranë. “Aksionet e fundit të ndërmarra nga Hoxha të japin përshtypjen se ai po bën një vetëvrasje politike, por në fakt ato vendime janë marrë nga një rreth i ngushtë komunistësh dhe jo nga qeveria. Politikat e tij nuk kanë asnjë linjë të përcaktuar më herët në parim nga linja e partisë dhe ministrat, bashkë me krerët kryesorë ushtarakë, janë shprehur dyshues në lidhje me këto vendime dhe lëvizje të Hoxhës. Në rrethet e arsimuara Hoxha përshkruhet si një shërbëtor i Titos”, shkruan Oliver. Majori britanik shprehet hapur më pas se anglezët dështuan në Shqipëri. Sipas tij, fakti që në Shqipëri u vendos një qeveri kundër tyre, e tregon më se qartë.

Nga ana tjetër, ai thotë se ata lanë në baltë nacionalistët që luftuan kundër gjermanëve. “Politika jonë dështoi, sepse ne nuk iu drejtuam qartë popullsisë shqiptare. Nëse direktivat tona ishte të mbështesnim çdo krah që lufton kundër gjermanëve, atëherë ç’po bëjmë ne me ata që luftuan përkrah Gani Kryeziut?”, raporton Oliver. Mbetet me mjaft interes përshkrimi i figurave qendrore komuniste në Shqipëri. Majori britanik flet për personalitetin e të gjithëve atyre më të cilët punoi, duke nxjerrë në pah disa të dhëna mjaft interesante në lidhje me komunistët shqiptarë. Ai shprehet se Enver Hoxha nuk ishte popullor, por ishte më pompozi, si dhe një person dhelparak. Sipas tij, Mehmet Shehu u anashkalua nga qeveria komuniste pikërisht në postin që ai donte si ministër i Mbrojtjes. Po ashtu, edhe Oliver thekson se shefi i Shtabit, Spiro Moisiu, ishte tërësish i paaftë, ndërsa jep të dhëna interesante për ushtarakë të tjerë si Hysni Kapo, Themelko etj.

Dokumenti i plotë

Ku dështoi politika e britanikëve në Shqipëri dhe pse? Në mendimin tim, ne arritëm një sukses ushtarak në Shqipëri, por që na çoi në një dështim politik. Politika jonë për t’i dhënë armë dhe mbështetje çdokujt që do ngrihej kundër armikut, solli diçka ndryshe nga sa prisnim. Kjo politikë e jona solli një rivalitet politik edhe më të ashpër, e për më tej, çdo krah nuk e konsideroi mundjen e gjermanëve si çështjen kryesore. Siguria për individë të së ardhmes politike ishte çështja kryesore e jona, në të cilat harxhuam energjitë. Vendosja e një grupi të madh misionesh britanike në Shqipëri, të cilët shpesh ishin të ndarë dhe thjesht prisnin ndodhinë e radhës, solli një konfuzion të madh të popullsisë në vend, të cilët pyesnin se cili krah mbështetet nga aleatët. Shpeshherë bëj pyetjen se pse ne nuk mblodhëm e të formonim një grup besnikësh shqiptarë? Në vitin 1943 ishte ende e mundur që të influencoje nëpërmjet valëve të radios (ndërkohë në ‘44 gjermanët prisnin rrymën elektrike kur valët e radiove tona nisnin të dëgjoheshin) që të bindnim shqiptarët që qëllimi ynë ishte vetëm ushtarak, si dhe t’i siguronim ata që çështja e kufijve të Shqipërisë do zgjidhej me referendum nga shqiptarët, si dhe ata të vendosnin me votë të lirë për të ardhmen e tyre.

Nëse do të bindnim popullsinë për këtë lloj politike, atëherë ne do të kishim mundësi që të kontrollonim çdo aksion ushtarak dhe të siguroheshim për çdo përfitim që do të vinte nga lufta për të gjithë individët e përfshirë dhe ne do të ishim në pozitë që, çdokush që mori pjesë në luftë do të ngrinte zërin e tij, se si e dëshironte Shqipërinë të qeverisej. Dështuam në Shqipëri, sepse qëllimet tona nuk ishin asnjëherë të qarta. Ndoshta një grup tjetër britanikësh ose një numër shqiptarësh, figura qendrore, mund të ishin infiltruar në popullsi për të siguruar qëllimet tona, duke përdorur çdo mjet, si radion apo trakte, si dhe për të marrë miratimin e tyre në çdo rast, sidomos kur vendi i tyre të ishte i lirë.

Shumë prej shqiptarëve arritën në konkluzion se politika jonë për të mbajtur ushtarët e armatosur në male do të çonte në një zbarkim tonin, çka do t’u jepte fund mundësive për luftë civile apo shpërndarjes pa asnjë dallim të armëve dhe municioneve. Ata s’mund ta besonin se pas armatosjes së tyre ne nuk do të ishim në gjendje të vepronim për atë ç’po ndodhte pas ikjes së gjermanëve. E kam thënë edhe më herët, se pasojat nuk u materializuan dhe se luftimet në veri ishin një fakt i njohur për ne, qoftë për ata që bashkëpunuan, apo edhe për kriminelë lufte. Jam tepër i qartë se vetëm një pjesë e vogël e municionit nga ai që ne sollëm u përdor në luftë, dhe ndoshta në pranverë do të kemi të dy krahët përballë njëri- tjetrit të armatosur mirë. Politika jonë dështoi, sepse ne nuk iu drejtuam qartë popullsisë shqiptare. Nëse direktivat tona ishin të mbështesnim çdo krah që lufton kundër gjermanëve, atëherë ç’po bëjmë ne me ata që luftuan përkrah Gani Kryeziut?

Shumë prej nesh që debatuam në lidhje me këtë çështje, arritëm në konkluzion se urtësia e kësaj politike të dështuar ishte të mos bërit asnjë gjë. Përgjigjja nga ana e nacionalistëve të papërkrahur mund të jetë ç’të mbjellësh do korrësh, sepse vendosëm në pushtet një qeveri armiqësore me ne, jo përfaqësuese dhe krejtësisht të paaftë të drejtojë Shqipërinë. S’mund ta besoj se mendimi ynë për Enver Hoxhën ka mbetur sërish i njëjtë, qëkur na e bëri të qartë 6 muaj më parë (shtator 1944, në lidhje me praninë e oficerëve britanikë) se ai nuk do të pranonte më asnjë lloj ndihme që nuk i vinte për shtat, se nuk kishte nevojë për një oficer të lartë nga aleatët në vendin e tij, dhe se çdo mision tjetër i yni të ishte sa më i vogël i mundshëm, duke mbajtur peng çështjen e njohjes së qeverisë së tij dhe aq më tepër që misioni ynë të mos dalë asnjë moment nga Tirana.

Pikëpamjet në lidhje me liderët partizanë:

A) Qeveria dhe Shtabi i Përgjithshëm

Enver Hoxha: Komandant i përgjithshëm dhe president. Sillet i dashur dhe fryhet paksa. Është i keqinformuar. Jo ndonjë figurë popullore te njerëzit, por më pompozi se çdokush tjetër në qeveri. Nuk të jep përshtypjen e një personi të fortë, por është dhelparak dhe me siguri i paskrupullt. Është i turpshëm në një shoqëri njerëzish që nuk janë të impresionuar nga ai dhe ka një pamje fizike sikur të sugjeron që është i dashur dhe i butë.

OMER NISHANI:
 Ministër i Punëve të Jashtme. Fjalë të mira fliten për të. Thekson në çdo takim se është anglofil dhe mund të gjykohet e vërtetë nisur nga sjelljet me ne. Shfaqi kritika ndaj qeverisë gjatë pritjes që organizuan jugosllavët. Ka pikëpamje të moderuara, nisur edhe nga qëndrimi jashtë vendit për një kohë të gjatë.

YMER DISHNICA:
 Ministër i Shëndetësisë. Një person me dije dhe idealist. Një komunist që vështirë të lejojë vendin e tij të dominohet nga të tjerët. Shfaqet me disa mosbesime ndaj nesh, si në rastin kur në Kryqin e Kuq shqiptar nuk tregoi për burimin e furnizimeve dhe po ashtu edhe në disa çështje të tjera me njerëz të partisë.

BEDRI SPAHIU:
 Ministri për Rindërtim. Një komunist i zjarrtë i paarsyetueshëm. Mbahet lart nga Hoxha dhe pa dyshim që ka edhe influencë. I përdorur si ambasador dhe nga pikëpamja e Hoxhës është jashtëzakonisht i përshtatshëm për atë që kërkon Enveri. Është antibritanik.
MANOL KONOMI: Ministër për punë të brendshme dhe drejtësi. Një komunist i zjarrtë, por i dobët dhe pa asnjë lloj përshtypje nisur edhe nga mungesa e personalitetit. Ai sundohet nga anëtarët e tjerë të qeverisë.

RAMADAN ÇITAKU: Ministër i Financave. I raportuar nga ish-kreu i Bankës së Shqipërisë se nuk ua ka idenë aspak financave, por si një komunist, pa asnjë dyshim pranoi detyrën nga kërkesa e dikujt tjetër. Ka adaptuar një sjellje të mirë ndaj nesh, por nisur nga sjellja e tij duket sikur nuk i intereson vetvetja në politikën e vendit.

NAKO SPIRO: Lideri i lëvizjes rinore. Jo shumë i njohur gjatë lëvizjes, por ka filluar të fitojë popullaritet tek antifashistët. Një nga komunistët origjinalë shqiptarë, që organizoi degën në Durrës. Organizator me zgjuarsi të mjaftueshme.

Spiro Moisiu: Shefi i Shtabit, aspak inteligjent dhe i ngathët. Ka shkaktuar më shumë vështirësi me mungesën e tij të bashkëpunimit se kushdo tjetër në grup. Ndoshta është vendosur qëllimisht nga Hoxha aty ku është, por Moisiu s’ka asnjë aftësi për të bërë më shumë seç i thonë. Fakti që Hoxha e mban larg ndaj çdo lloj marrëveshje të madhe, kjo është për shkak se është i trashë, jo për ndonjë arsye tjetër.

B) Liderët ushtarakë

DALI NDREU: Gjatë gjithë kohës, një person i arsyeshëm dhe me një temperament të qetë. Unë besoj se ai, i vetëm mes komandantëve të tjerë, mori detyrën për të mundur gjermanët para se regjimi i ri të vendosej. Gjithsesi, një shërbëtor besnik e i zgjuar i Hoxhës. Ai ka qenë i lirë në bashkëpunimin e tij me ne dhe do të ishte 100%.

MEHMET SHEHU:
 Arrogant dhe brutal (kjo nga ambicia dhe kompleksi i inferioritetit që ka). Dikush më thotë se Shehu është njeri i pakënaqur dhe se qeveria, duke e ditur dëshirën e tij të pamasë të rrijë pranë ushtrisë, e sistemoi në pozicionin aktual (ndoshta donte ministër i Mbrojtjes). Tashmë larg nga kontaktet direkte me njerëzit, ai do të zhytet në “background” dhe do të ketë shumë pak shanse për t’u bërë lider në rangun që dëshiron. Komandant me vlerë në terren, i ashpër dhe me prestigj, që e fitoi edhe nga posterat gjermanë.

HYSNI KAPO:
 Një diplomat inteligjent me disa skrupuj. Të jep përshtypjen se ka më shumë pushtet se grada e tij e kolonelit. Ai pa dyshim ushtron një influencë më të madhe se ajo e Dali Ndreut dhe është mbi komisarët e tjerë me përjashtim të Koçi Xoxes.

TUK JAKOVA:
 Njeri inteligjent dhe i aftë dhe pa asnjë dyshim një komisar i paskrupullt i tipit më të keq që ekziston.

KRISTO THEMELKO: Një ish-marangoz i thjeshtë e kokëfortë, që emigroi në Maqedoni pas pushtimit italian të Shqipërisë. U dërgua si komisar në Divizionin e Parë për të ushtruar më shumë kontroll politik mbi Mehmet Shehun. Qartësisht kërkon të arrijë diçka, por nuk është një komunist i shkollës progresive. Në vendimet e fundit Hoxha mori disa vendime të pafavorshme për Shqipërinë. Cila është politika e tij dhe ku e gjen mbështetjen për të përshtatur politikën aktuale? Aksionet e fundit të ndërmarra nga Hoxha të japin përshtypjen se ai po bën një vetëvrasje politike, por në fakt ato vendime janë marrë nga një rreth i ngushtë komunistësh dhe jo nga qeveria.

Politikat e tij nuk kanë asnjë linjë të përcaktuar më herët në parim nga linja e partisë dhe ministrat, bashkë me krerët kryesorë ushtarakë, janë shprehur dyshues në lidhje me këto vendime dhe lëvizje të Hoxhës. Në rrethet e arsimuara Hoxha përshkruhet si një shërbëtor i Titos. Komisarët përgjegjës, për të përçuar në publik arsyen e këtyre vendimeve, përdorin linjën morale se ndihma e madhe e Shqipërisë vjen nga Bashkimi Sovjetik dhe shpresën se “po lidhim një miqësi me Bashkimin Sovjetik në mënyrë të atillë që s’ka për t’u thyer kurrë”. Kjo mënyrë e politikë bën që ata të lidhen ekonomikisht me Jugosllavinë, e ndjekur me një marrëveshje për politikën e jashtme me Rusinë. Ishte e qartë se forcimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë varej nga vizita në Beograd e Spahiut dhe Malëshovës.

Evidencat për të mbështetur këtë lloj koniunkture janë të dobëta dhe mënjanohen nga të dhëna në drejtime të tjera. Sjellja e misionit sovjetik në Tiranë ndaj atyre të vendeve perëndimore është një nga më të rëndësishmet për t’u shënuar dhe këtë e mbështet edhe misioni jugosllav, pasi në pritjet që ata kanë realizuar, ka pasur një shpërfillje ndaj nesh nga përfaqësuesit shqiptarë, e cila ka kaluar deri në fyerje. Kolegët tanë amerikanë e mbështesin këtë mendim. Por këtu ka edhe dy mendime të kundërta. Së pari që Hoxha ka marrë një direktivë nga Moska nëpërmjet Beogradit, e cila i parashikon një tërheqje të misionit britanik, nisur nga politika e mosbashkëpunimit. Kjo tërheqje do të bënte që Jugosllavia të kishte një influencë shumë të fortë në Shqipëri. Një evidencë e fortë për këtë është se jugosllavët kanë një interes të madh që gjuha e tyre të mësohet në shkollat shqiptare.

Teoria e dytë thotë se Hoxha është njeri i fuqishëm dhe se është i bindur se forcat aleate perëndimore s’mund t’ia lejojnë vetes të anashkalojnë Shqipërinë qoftë si territor i kontrolluar në Ballkan, qoftë edhe si shtet amortizator midis nesh dhe influencës ruse. Po sipas kësaj teorie, ai po pret derisa ne të jemi të gatshëm t’i japim ndihmën që kërkon në kushtet e vendosura prej tij, dhe mbetet konfident (ndoshta këtë e ka konfidencë të lindur nga injoranca), se vendi i tij, pavarësisht vështirësive ekonomike, mund të rezistojë me rezervat që ka deri në muajt e verës.

Ai po përballet me vështirësitë e popullsisë në këto momente, por është konfident se ka për t’ia dalë dhe këto lloj problemesh do e bëjnë regjimin e tij edhe më të fortë. Ai është tërësisht në mosbesim me politikën britanike, nisur nga lufta civile në Greqi dhe po ndjek një politikë për pastrimin dhe zhdukjen e çdo influence britanike në Shqipëri. Ai nuk kërkon të ketë një kolonë të pestë pro britanike brenda kufirit të vet, pavarësisht se ne mund të nxjerrim pretekstin e Kartës të Atlantikut për liri lëvizjeje. Unë besoj se kjo teori është më e besueshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *