6 Tetor, 2024

Boll me qarravitje kolektive dhe patetizma, çdo kohë ka heronjtë e vet

 Boll me qarravitje kolektive dhe patetizma, çdo kohë ka heronjtë e vet

Nga Altin Dangëllia

Shfaqja e një filmi me protagonistë dy personazhe që u bënë të famshëm në Big Brother, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin, ka ndezur rrjetin.

Ca nuk mbahen e janë eksituar nga ky film, duke blerë edhe biletë me shifra të çmendura për të qenë në premierë (bileta shkonte 100 euro).

Ca të tjerë janë revoltuar, duke na treguar ku është katandisur arti dhe kinemaja në Shqipëri, kur aktorin tani e bëjnë Ermal Mamaqi, Luizi, Olta e të tjerë të sojit të tyre.

Dhe kujtojnë me nostalgji se dikur filmat i bënin emra të tillë si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Reshat Arbana, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj etj.

Nuk e kanë keq, por çdo kohë ka heronjtë e vet.

Dhe heronjtë e sotëm janë ata, Luizi, Olta etj, njerëz të dalë nga shfaqje që nuk kanë asnjë vlerë, si fjala vjen Big Brother, por që kanë audiencë të frikshme.

Është një fenomen botëror në fakt, jo vetëm shqiptar.

Ja marrim Italinë, fjala vjen.

Dikur ishte epiqendër e kulturës botërore, me filma e aktorë të mëdhenj.

Apo me muzikë dhe këngëtarë akoma dhe më të mëdhenj.

Ku është sot kinemaja italiane, po muzika? Janë në pikën më të ulët dhe e ke vështirë të gjesh një film apo një aktor që të mbetet në mëndje.

Po ashtu edhe me muzikën dhe këngëtarët.

Shikoni si është katandisur Sanremo!

Ndaj dhe ne, nuk mund të bëjmë përjashtim nga ky fenomen. Janë kohët e tilla.

Kohë në të cilën janë përmbysur vlerat.

Por kjo nuk ka pse të na dëshpërojë dhe të na bëjë fatalistë, sepse në fund vlerat gjithmonë mbijetojnë.

Filma si ky i Luizit dhe Oltës, fjala vjen, pas dy apo tre vjetësh, do të harrohen dhe s’do të kujtohet më njeri për ta.

Ja merrni përshembull, filmat e Ermal Mamaqit. Bënë bujë mediatike dhe shqyen televizionet e kinematë.

Por sot as i sheh dhe as i kujton njeri.

Ndryshe ndodh me filmat e Kadri Roshit, Sandër Prosit, Ndrek Lucës etj etj.

Ata do të shihen sa të ketë jetë.

Ndaj boll me qarravitje kolektive, koha seleksionon çdo vlerë dhe antivlerë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *