“Bashkëshortja ime aktore iku e re, fati nuk i buzëqeshi”, rrëfimi emocionues i Robert Radojës: Dy djemtë u rritën pa nënë
Profesor Robert Radoja, një nga ikonat e muzikës botërore, ka folur për jetën e tij.
Gjatë rrëfimit për jetën e vet, profesori u ndal te bashkëshortja e tij e ndjerë, aktorja Tatjana Radoja.
Tatjana Radoja, e cila ka interpretuar edhe në filma si “Përballimi”, “Ndërgjegjja”, “Streha e Re”, u nda nga jeta në moshë të re nga një sëmundje e rëndë.
Radoja thotë se pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, Tatjanës, ai nuk u martua dhe ia dedikoi jetën dy djemve.
“Bashkëshortja ime iku e re. Më dhuroi dy djem të bukur. Ishte mësuese frëngjishteje.
Fati nuk i buzëqeshi për jetën”, tha ai, teksa shtoi se e ka njohur që fëmijë në korin e Pallatit të Pionierëve, ku ishte edhe soliste, dhe më pas janë ritakuar në Festivalin e 11 të Këngës.
“Djemtë u rritën pa nënë”, tha profesori mes emocionesh, por shtoi se nuk ka asgjë në jetë që nuk përballohet.
Djali i madh i tij jeton në Gjermani dhe merret me art, madje drejton një grup, ndërsa i vogli punon në media, montazhier dhe ilustrim muzikor.
Profesor Radoja u shpreh se është një baba krenar për të dy djemtë e tij.
“Jeta personale ka qenë më shumë, konviktor gjithë jetën. Nuk u ktheva kurrë në shtëpinë ku jam rritur.
Sigurisht u martova një farë kohe, kur ishte e nevojshme. Lindëm dy fëmijë e fatkeqësisht, gruaja ime e kishte shumë të shkurtër jetën.
E shkreta pati një fatkeqësi në moshën 40-vjeçare. Ishte me anemi.
Ajo ishte nga Novosela me origjinë, fatkeqësisht nga ajo zonë ka pasur shumë viktima”,- tha kompozitori Robert Radoja për “Profil” nga Greta Topjana.