26 Dhjetor, 2024

“Njerëz pa rrënjë”, poezia e trishtë nga Petrit Ruka mbi transformimin e njerëzimit

 “Njerëz pa rrënjë”, poezia e trishtë nga Petrit Ruka mbi transformimin e njerëzimit

“Njerëz pa rrënjë” është një ndër poezitë më të bukura të autorit Petrit Ruka. Poeti mundohet të godasë disa nga problemet më të ndjera në shoqërinë e ditëve të sotme, si psh rininë që nuk kujdeset për prindërit, madje disa edhe i vajtojnë në ditën e vdekjes në shtëpi funerali; rininë që nuk ka ëndrra; rininë që shpenzon në klinika të shtrenjta për transformimin  e vetes. Nga vargu në varg, ndihet qartazi dhimbja që dëshiron autori të na përçojë, si dhe dëshira e tij për të na bërë të reflektojmë gjatë për ta ndryshuar këtë realitet.

“Njerëz pa rrënjë”
Gjithmonë e më shumë shtohen njerëzit pa rrënjë,
ata që nuk kanë më
një shtëpi të tyre.
I marrin me qira të gjitha… dhe ëndrrat,
i rrëmojnë e i shkulin në libra psikologjie.

Pa rrënjë tani ngjajnë me pemët e shkulura,
tek varret e prindërve shkojnë rrallë e rrallë,
xhevzen e nënës së vdekur e kanë hedhur
kafen e pinë rrugëve
në këmbë si kuaj.

Nuk kanë miq shtëpie, i çojnë në hotele
aty u shtrohet fjetja, buka dhe vera,
me qira, me kredi të gjitha,
të gjitha,
dhe emrat e dytë, kombësitë e tjera.

Babai i vdekur drejt e nga spitali
me qira tek “Funerali”
fle natën e fundit,
dhe vajzat e tij mbajnë syze të errëta
të mos iu shkrijë nga lotët lapsi i plumbit.

Me qira sot fytyrat, një tjetër dhe një tjetër
ndërrojnë lëkurën si gjarpri
në klinika të shtrenjta,
ndër romane i huajnë fëmijëritë që nuk patën
kujtimet e florinjta, mallet e argjendta.

Mëmësinë mund ta blesh me para në një bankë
mbjell në bark një bebe
pa baba e pa gjyshe,
gjithmonë e më shumë takoj njerëz pa rrënjë,
(dhe oh, sa më dhemb kjo bota “Ndryshe”).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *