7 Tetor, 2024

Tri histori që do t’ju habisin për “Radio Tiranën” para ’90

 Tri histori që do t’ju habisin për “Radio Tiranën” para ’90

Nga Auron Tare

1 – Washington DC, dimër 2002

Dimri në Washington DC është gjithmonë i ashpër por dhe i bukur. Qershitë japoneze që ngrijnë nga akulli, parqet plot borë dhe godinat gri qeveritare impozante dhe të shtrira në hapësirë, e bëjnë kryeqytetin amerikan veçanërisht interesant.

Në një qoshe të njërës prej këtyre godinave po prisja taksinë që kisha porositur. Eshtë dimri i vitit 2002 dhe ende Uber nuk ka dalë në skenë. Tek përplasja këmbët nga i ftohti, taksia erdhi dhe për 10 minuta udhëtuam përgjatë Lumit Potomak.

Ndaluam pranë një vile të këndshme rrethuar nga pemë të mëdha, taman si në filmat amerikanë që shikojmë shpesh. Vila e bukur rezantonte siguri. Isha i ftuar për darkë nga një mikeshë e imja e cila drejtonte programet e Universitetit të Yale-s. Departamenti i saj më kishte dhënë një bursë studimi për 2 vjet në këtë universitet dhe pas një beteje me veten nëse duhet të shkoja apo të qëndroja ne Shqiperi për t’i dhënë forme modelit të Parkut Butrintit, kisha zgjedhur këtë të fundit.

Darka ishte në fakt një lloj falenderimi për insistimin e mikeshës sime që të vija me patjeter në Universitetin e Yale-s dhe doja që nga afër t’i thoja arsyet e refuzimit tim. Pasi hoqa pallton me borë dhe i zgjata një dhuratë modeste shqiptare mikeshës sime, u futa në kuzhinën e ngrohtë.

Ishte një darkë shumë mikpritëse, ku të zotët e shtëpisë dhe unë gatuanim së bashku për t’u ulur më pas për darke. Ndërkohë që shkëmbenim biseda të përgjithshme, u hap dera dhe një burrë i gjatë me një ballë të lartë hyri brenda plot furi. Më shtriu doren dhe u prezantua- Strobe Talbot.

Duke qeshur më tha që mezi e kishte pritur darkën tonë. I habitur e pyeta përse?. E dija shumë mirë se kush ishte ai dhe çfarë detyre kishte tashmë që administrata Clinton ishte larguar nga pushteti. Talbot drejtonte Brooking Institute, një “think tank” me një pushtet të madh në DC.

Për vite me rradhë kishte qenë N/Sekretar i Shtetit me një pushtet të pakufizuar, pasi të gjithë e dinin se në rininë e hershme kishte ndarë jo vetëm një dhomë me studentin Bill Clinton në Universitetin e Oxfordit por edhe shumë ëndrra politike.

Në atë kohë ai kishte përkthyer kujtimet e Nikita Hrushovit, një ndërmarje që e kishte vënë atë në vëmendje të qarqeve të interesuara për politikën sovjetike. Prej këtej kishte filluar edhe karriera e tij në gazetari ku u bë një yll i revistës “Time”.

“Do doja shumë të flisnim sonte për pasionin tim të rinisë”, më tha Talbot, “Radio Tiranën”. Super i habitur e pyeta se ku e kishte dëgjuar radion e qytetit tim? Duke hapur një shishe vere, Strobe Talbot më tregoi se ai dhe një grusht i vogël i miqve të tij të Universitetit Britanik ishin tmerrësisht të interesuar se çfarë ndodhte pas Perdes së Hekurt.

Si student dhe me vonë si ekspert i rëndësishëm i çështjeve sovjetike, Strobe Talbot kishte dëgjuar me endje të madhe zërin e Radio Tiranës, një stacion ky shumë i fuqishëm për kohën që transmetonte me valë të shkurtëra anë e mbanë botës.
“Radio Tirana vinte nga një vend i vogël enigmatik, një lloj Tibeti europian mbyllur për botën, por që çuditërisht çdo pasdite dilte në valët ndërkombëtare për të treguar me krenari ideologjinë e saj”.

“Kam qenë dëgjues i rregullt…”. më tregonte Talbot, “pasi jo vetëm ishte një kuriozitet i madh të dëgjoje zërin e një radioje nga përtej Perdes së Hekurt, por në këtë mënyrë mund të mësoja diçka më shumë mbi përfshirjen e Kinës në Europë. Fokusi im ishte Bashkimi Sovjetik, por nëpërmjet Radio Tiranës unë përpiqesha të kuptoja marrëdhëniet sovjeto-kineze nëpërmjet kursit që mbanin shqiptarët”, më shpjegoi ai.

Edhe gjatë periudhës së tij si gazetar i njohur i çështjeve sovjetike, ai kishte vazhduar ta dëgjonte Radio Tiranën tashmë më shumë si një thrill të ruajtur nga jeta studentore.

I mrekulluar nga rrëfimet e atij që për 7 vjet kishte qenë një prej njerëzve më të rëndësishëm të politikës amerikane, mendoja sa e çuditshme është bota. Për ne të rinjtë e asaj kohe, të etur për tingujt që vinin nga Perëndimi me një radio të vogël dore “Sharp” ku ishin lidhur me llastik dy bateri ngjyrë kafe ushtarake, dëgjonim fshehurazi muzikë apo lajme “kapitaliste” në fjetoren e shkollës sonë “Skenderbej”.

Ndërkohë, në eter, në Universitetin e famshëm të Oksfordit, një grusht të rinjsh dëgjonin plot kuriozitet zërin e njohur “Ju Flet Tirana”.

2 – Pranverë 1996, Lugina e Zagorisë, Malëshovë

Nën degët e manit të kuq në sheshin e zhveshur të fshatit Malëshovë, ishim mbledhur rreth një zjarri të madh. Edhe pse fund maji, në male ishte ende shumë freskët. Çadrat ishin ngritur, darka tashmë ishte shpërndarë dhe alpinistët britanikë po ndanin me njëri tjetrin paguret e Wiskit.

Çdokush rreth zjarrit tregonte episode nga udhëtimet e mëparshme. Ky ishte grupi i parë britanik që nga Lufta e Dytë Botërore që po eksploronte Luginën e Zagorisë. Kisha pregatitur një ngjitje në gjurmët e alpinistit me famë botërore Bill Tilman, i cili në vitin 1943 kishte pasur bazën e tij në Sheper të Zagorisë.

Alpinistë dhe eksploratorë të klubit të njohur londinez “The Royal Geographic Society” kishin ardhur për të nderuar në një farë mënyre një prej anëtarëve më të famshëm të këtij Klubi, duke u ngjitur në gjurmët e tij.

Teksa flisnim për jetën e Tilmanit në Shqipëri, një prej alpinisteve më pyeti nëse mund ta çoja tek Radio Tirana kur të ktheheshim në Tiranë. “Patjetër”, i thashë, “po përse kjo kërkesë e çuditshme?”

Si avokate e njohur irlandeze e dija që ishte përfaqesuesja ligjore e Sead O Conor. E pyeta mos kjo kërkesë kishte lidhje me të? “Ah jo”, m’u përgjigj duke buzëqeshur dhe nisi të shpjegohej.

“Në shtator të 1983-shit, në burgun e famshëm britanik të sigurisë së lartë MAZE në Belfast, u arratisën 38 anëtarë të Brigadave Revolucionare Irlandeze. Ishte një prej arratisjeve më spektakolare në historinë angleze. Një pjesë e anëtarëve të IRA-s mundën të vinin në Irlandë, të tjerët u kapën dhe disa rezistuan për disa ditë në çatinë e burgut duke refuzuar të dorëzoheshin.

Si një avokate e re, unë përfaqësova disa prej këtyre anëtarëve të IRA-s në gjykimin e tyre, pasi u kapën nga forcat angleze. Ata më treguan se fshehurazi në këtë burg dëgjonin Radio Tiranën e cila mbështeste luftën e popullit irlandez kundër britanikëve.

Gjatë arratisjes, Radio Tirana kishte qenë e vetmja media e cila kishte mbështetur aktin e tyre si dhe për ditë me rradhë ju kishte bërë thirrje që të mos dorëzoheshin. Kjo mbështetje nga një radio e panjohur për ne në Angli kishte bërë shumë pershtypje,

Gjatë gjykimit të tyre në Belfast, me krenari ata e përmendën mbështetjen që kishin marrë nga Radio Tirana” dhe, duke më zgjatur paguren e Wiskit më tha: “Do t’a dija shumë për nder nëse më çon ta shikoj këtë radio të çuditshme”.

3 – Tiranë, vjeshtë 2014

Në oborrin e një restoranti të njohur afër Piramidës po prisja Prof. Getachew Engida, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s.
Po vizitonte Shqipërinë dhe, përveç pritjeve dhe takimeve protokollare, kishte shfaqur dëshiren të më takonte si person që tashmë isha zgjedhur në Këshillin Shkencor të UNESCO-s.

U takuam në oborrin e vilës së shndërruar në restorant dhe duke shtrënguar duart, me një thjeshtësi të admirueshme, Profesori filloi të pyeste për tema të ndryshme.

Prof. Engida ishte një personalitet i njohur nga Etiopia. Ishte edukuar në Londër dhe kishte ngjitur shkallët e karrierës ndërkombëtare duke arritur që të jetë një prej njerëzve më të rëndësishëm në UNESCO. Pas një bisede të gjatë dhe të këndshme, Prof Engida më pyeti: “A mundet të më çosh te Radio Tirana?”

Në fakt ishim shumë afër nga Radio Tiranës, kështu që i çuditur e pyeta më shumë për dëshirën e tij, duke pasuar kësisoj shpjegimi: “Jam rritur në një fshat të varfer etiopian”, më tha.

“I ri e kisha të vështirë të shkoja në shkollë. Im atë ishte ushtarak dhe rrallë vinte në shtëpi. Ju bashkova një grupi marksist-leninist të lëvizjes studentore. Lideri ynë, më vonë një figurë e rëndësishme politike, e kishte mësuar teorinë marksiste nga një radio e çuditshme të cilën filluam ta dëgjonim edhe ne. Ishte Radio Tirana.

Mund të them se formimi im majtist në atë kohë si student erdhi nga programet e Radio Tiranës. E dëgjonim në grup duke analizuar dhe komentuar programet e saj.

Në 1974-ën, lëvizja jonë studentore ishte pjesë e grushtit të shtetit të famshëm që rrëzoi perandorin Haile Selasie. Por udhëheqësi ynë Mariam Mengistu erdhi në pushtet vetëm në 1978-ën. Në fjalimin e tij të parë si lider ushtarak i Etiopisë dhe udhëheqësi i Partisë Punëtore, i frymëzuar nga fjalimet e Radio Tiranës, premtoi se do ta bënte Etiopinë një ‘fanar ndriçues’ ashtu si Shqipëria”.

Profesori ndaloi pak, buzëqeshi dhe me tha: “Unë munda të marr një bursë për në Angli dhe u largova nga Etiopia”. U ngrit në këmbë dhe duke përshëndetur kamarieret më tha: “Dhe tani më ço të lutem ta shikoj radion e rinisë sime”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *