INTERVISTA/ Rrëfimi i Viktor Zhustit për jetën, rininë dhe pasionet: Pse nuk kam frikë nga vdekja
Nga Ilda Lumani
Zilja e telefonit bie pesë herë… Viktori nuk e hap! I çoj një mesazh. Menjëherë më përgjigjet. “Flasim, për gjithçka, veç jo për intervistë. Dakort?”. “Po për motin?”, – i them… Pas një jave kur edhe intervista kishte përfunduar, dhe ai si një merakli i madh ma sjell në dorëshkrim (sepse këtë herë edhe kompjuteri ishte treguar kapriçoz si ai), më thotë gati në mënyrë urdhëruese, me buzeqeshjen e tij nuk e merr vesh 100 përqind nëse është e vërtetë, gjysmë e vërtetë, në gjendje të lirë, apo ironike, – “kjo është intervista e fundit që të jap”!
Në fakt, nuk është aspak pesimist për kohën që ikën. Përkundrazi! E jeton jetën në një mënyrë të adhurueshme. Me një rregull strikt, ushqehet si vegjetarian, stërvitet, ecën shumë, nuk e përdor makinën në qytet, noton, merret me peshkim dhe ka pasur një periudhë kaq impenjuese sa nuk bëhet!
Fizikisht dukeni shumë në formë, çfarë ju mban të tillë?
PASIONI!
Pasioni për artin?
Për artin, po se po…
Ju tremb vdekja?
Nuk më shqetëson vdekja, por në ç’gjendje do jem kur ajo të më afrohet. Nuk dua të më gjejë as shtrirë dhe as duke lënguar. Do të thoni që këtë nuk e kam unë në dorë. E saktë! Prandaj dhe bëj ç’kam në dorë.
Ushqehem si vegjetarian, stërvitem, ose eci shumë (makinën e përdor vetëm kur dal jashtë qytetit), notoj, merrem me peshkim.
Me një fjalë; të bukurën e ndjej, e shikoj dhe e jetoj në çdo çast, në natyrë a kudo qoftë!
Besoni në Zot? Keni frikë prej tij?
U rrita dhe edukova në një kohë kur Zoti ishte përjashtuar nga arti, jeta dhe fjalori i komunikimit. Megjithatë as nuk e shaj dhe as nuk ja ngarkoj atij përgjegjësinë për gjithë mangësitë e mia ose ngjarjet e pakëndshme në jetë, të cilat as më kanë munguar dhe as kanë qenë të pakta. Përkundrazi, për çdo sukses, a lajm të mirë, fjalia e parë që them është “Lavdi Zotit”!
Në këtë moment jeni i lumtur?
I lumtur?! Më mirë po them i plotësuar, ose jo, më falni, më e sakta është “jam mire”.
Si ndiheni në fund të çdo shfaqje?
Njerëzit nxitojnë të më urojnë dhe unë i pres me buzëqeshje për të treguar që jam i kënaqur. Në të vërtetë jam dyshues dhe pakëz i trishtuar për atë që kam bërë.
Kjo ngaqë besoni se mund ta bënit më mirë?
Nuk e di saktësisht, ndoshta ngaqë më gënjen mendja që mund ta bëja më mirë.
Po në fund të kësaj interviste?
I çliruar, sepse i thashë gjërat siç i mendoj. Ju faleminderit!