27 Dhjetor, 2024

“Letër nënës”. Poezia prekëse e Sergej Esenin drejtuar nënës nga i biri i larguar

 “Letër nënës”. Poezia prekëse e Sergej Esenin drejtuar nënës nga i biri i larguar

Poezia e mëposhtme nga Sergej Esenin, edhe pse e shkruar shumë vite më parë, në një periudhë kur djemtë largoheshin nga nënat për shkak të luftërave dhe dilnin në mbrojtje të atdheut, sërish është aktuale edhe në ditët e sotme. Ka shumë të rinj që gjenden larg familjes dhe nënavë të tyre për shkak të emigrimit për një jetë më të mirë. “Letër nënës” është ndër poezitë më prekëse shkruar pikërisht nga një djalë për nënën e tij, të cilën ka tetë vite pa e parë.

“Letër nënës”

Gjallë je, nënoke? Edhe unë
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde, që me mall më pret.

Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, po nuk ankon,
Se, pështjellë me një shall të vjetër,
Fillikate rrugës shpesh kalon.

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
Një vegim i zi të kall ty frikë,
sikur në një sherr diku në pije,
Vjen dikush e ma këput me thikë.

Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
Brenga t’i fanit këto ndër sy.
S’jam aq pijanec i lig sa ç’thonë,
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si një herë,
Dhe një shpresë veç ushqej në gji:
T’iki nga ky tym e kjo poterë,
Te shtëpiza jonë aty të vij.

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim.
Vetëm ti, si tetë vjet më parë,
Mos më zgjo aq herët në agim.

Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë
Endërrat e moshës plot hare.
Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,
Dua veç të shlodhem e të fle.

As t’i lutem Zotit mos më thuaj,
Si dikur në t’artën mituri,
Ti ke mbetur ngushëllim për mua,
Dritë e parrëfyer, vetëm ti.

Ndaj merak ti mos m’u bëj aq tepër,
Tek e liga mendjen mos e ço,
Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,
Fillikate rrugën mos kalo.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *