Gaqo Tashko, shkencëtari që midis dy dashurive zgjodhi Shqipërinë
Nga Bashkim Koçi
Ishte fillim shtatori i vitit 1966 kur fati do të më privilegjonte të takoja dhe të bisedoja vetëm pak çaste me Rektorin tim të Institutit të Lartë Bujqësor, shkencëtarin Gaqo Tashko. Për “hallin” që më kish zënë më këshilluan shokët se atë mund ta zgjidhte e t’i jepte rrugë vetëm rektori dhe askush tjetër. Po ç’hall kasha unë, nxënësi me gjimnaz të porsambaruar dhe që më kishin dhënë të drejtën për të vazhduar studimet për mjek veteriner pranë këtij Instituti? Po ja, këtu qëndronte problemi që nuk i jepja dot drejtim.
Fakulteti që më kishin dhënë të drejtën për të studjuar, pra atë të veteriarisë, nuk më pëlqeu që ditën që ma komunikuan. Por ata që u bënë sebep që ta ndaja mendjen për të mos pranuar të vijoja të shkoja për të marë leksionet, ishin dy-tre kuaj të dobët, aq sa mezi qëndronin në këmbë, të cilët kullosnin në qejfin e tyre në sheshin me bar përpara godinës së fakultetit. Ato pak ditë që shkova për të marë mësimet, kuajt më mbetën në mendje. Dikë pyeta dhe mora përgjigjen se ato kafshë të gjora përdoreshin për eksperiment, për të mësuar studentët kryesisht anatominë e kafshve, por edhe për probleme të tjera. Po hajde të më mbushej mendja mua kur edhe në gjumë më çfaqeshin kuajt-ngordhalaqë dhe se me ta do të merresha gjithë jetën. Nuk do vete më, i thashë vetes, do ta ndërroj fakultetin. Dhe ja, pikërsit kjo gjë, më detyroi të trokisja në derën e rektorit, të shkencëtarit Gaqo Tashko.
Ai më priti ngrohtë, si të më kishte birin e vet. Ishte trup shkurtër e me fytyrë të rrumbullakët. Mbante një palë syze me shkëlqim të argjentë dhe e kishte ballin si të një filozofi, por pa flokë. Nuk më ftoi të ulesha, por më pyeti: Hë, ke ndonjë problem më duket? Fliste ngadalë, me fjalë të qarta dhe të kuptueshme. Po, i thashë. Unë dua të ndërroj fakultetin. Rrethi i Skraparit më ka dërguar të studjoj për mjek veterinar, por mua nuk më pëlqen. Ai la stilografin, që deri në ata çaste e mbante në dorë, gati për të vijuar të shkruante në letrat që mbante përpara, dhe mbajti drejtqëndrim, po më shikonte drejt e në sy, paksa i çuditur. Po fakulteti i veterinarisë është nga më të kërkuarit, nga më të mirët, mor djalë, përse duhet ta lësh, çka ngjarë me ty? Jo, jo nuk e dua, por nëse mundeni, shoku Rektor, më ndihmoni, nuk kam kujt t’i them tjetër. E ku dëshiron të studjosh?, më pyeti me zë të avashtë e që mua mu duk se e kisha vënë në siklet. Për agronom, ia ktheva përgjigjë, ku tjetër. Në të vëtretë as për agronom nuk doja, po ku të vija, ndërsa më dilnin përpara, edhe në gjumë, kuajt-skelet, të cilët sa i shikoja më kallnin datën? E ndjeva që ai po tregonte kujsdes pridëror për zgjidhjen e problemit tim. Më dha një copë letër, ku shënoi të më bëhej transferimi nga njëri fakultet në tjetrin dhe më dha dorën, medemek halli që kishe u zgjidh. Për aq minuta sa qëndrova aty mësova se Rektori im, Gaqo Tashko, rrezatonte veçse mirësi e thjeshtësi, tipare dhe reflekse këto të një njeriu të arsimuar e të kulturuar, pasardhës nga një familje e madhe.
Jo gjithmonë fati qëndron në anën e çdo njeriu. Ai shpesh tregohet i “pazemër” dhe që ky fakt të detyron ta ndjesh veten të përunjur për të rrënjosur tek vetja virtytet më të mira, ashtu si e nisi dhe e mbylli jetën Gaqo Tashko. Atëherë cili është rrugëtimi i tij, në ç’shtigje kaloi për t’u bërë i fortë e i zgjuar, për të mbetur një emër i ndritur në historinë e bujqësisë shqiptare?
***
Gaqo Tashko u lind më 3 Mars të vitit 1905 në Fajum, qytet i cili gjëndet pranë Kajros. Ishte i biri e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos, i cili ishte vendosur familjarisht në Egjipt, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që i çonte halli për një jetë më të mirë. Goqoja u ushqye me ndjenja patriotike që në moshë fare të vogël. Jo pse i ati, Thanasi, ishte një i tillë, por sepse dera e Tashkove e vendosur Fajum, ishte gjithmonë e hapur për të pritur e përciellë intelektualët më në zë të asaj kohe, të cilët merreshin me veprimtari patriotike. Shumica e mysafirëve që hynin në atë shtëpi, ishin ajka e patriotizmës shqiptare në Egjipt. Gaqo Tashko gjatë gjithë jetës, e konsiderote të kish qënë me fat që kishte parë nga afër Çajupin, Spiro Dinen, Jani Vruhon, Filip Shirokën e shumë të tjerë.
Por familjes Tashko emigrimi në Egjypt nuk i shkoi për mbarë. Goditjen e madhe e mori në vitin 1915, vit kur u nda nga jeta shtylla e familjen, Thanasi. Fëmijët ngëlën jetimë, ndërsa Gaqua ishte vetëm 10 vjeç. Në këto kushte familja u detyrua që në vitin 1921 të kthehej në Korçë. Vështirësi ekonomike ishin të mëdha, gati të papërballueshme. Mund të bëheshin përpjekje që Gaqua, ende i parritur, të mund të fillonte diku ndonjë punë, por familja Tashko ishte e prirur për gjë tjetër, për të mos i mësuar fëmijës se si të bëhej i pasur, por se si të bëhej i lumtur. Për këtë arsye Gaqua duhej të shkollohej. Dhe shkollën fillore e nisi në Korçë në gjuhën shqipe, por rrethanat familjare e detyruan që ta mbaronte në vendin e lindjes, në Fajum, në gjuhë arabe. Shkallën tjetër të arsimimit e vazhdoi në liceun francez të Aleksandrisë, ku Çertifikatën e Studimeve Sekondare, siç thuhej, e mori me rezultate që e radhisnin ndër të parët e nxënësve. Sigurisht, shkëlqimi në mësime e bënë të ishte optimist për të ecur më tej, pra nuk da ta ndërpriste shkollimin. Studimet e mesme i kreu në vitet 1922-1925 në Vjenë, në Austri. Po në Vjenë, me dëshirën për t’u formuar plotësisht si njeri dhe si specialist, ai u rregjistrua që të kryente edhe studimet e larta (1926-1930) në Shkollën e Lartë të Agronomisë (Hochschule für Bodencultur in Wien) ku edhe u diplomua si Inxhinier Agronom. Duhet të përmendim faktin se Gaqo Tashko fillimisht i përballoi shpenzimet, por edhe detyrimet ndaj shkollës, duke punuar në punë të ndryshme të rëndomta të preferuara zakonisht nga studentët. Vonë, shumë vonë iu sigurau një gjysmë burse dhe vetëm në fund qeveria e kohës “u sakrifikua” për t’i dhënë bursën e plotë. E vërteta është se mundimet dhe vështirësitë e bënë më të fortë dhe më të zotin, duke iu krijuar mundësitë për të njohur njerëz e karaktere nga kombe të ndryshme. Nuk është rastësi që Gaqo Tashko të ishte njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane, frënge, anglishtes, italishtes, arabishtes dhe gjuhën ruse. Ai kishte aftësi të mëdha që të komunikonte me çdo kategori, njerëz të thjeshtë apo të shkolluar. Por më shumë studenti Gaqo Tashko donte gjuhën shqipë dhe Shqipërinë. Ai ishte nga ata njerëz që vuajtjet apo dhe një fjalë e keqe për vendin e tij, t’i lëndonte zemrën. Ja, kjo ndjesi e bënte që të ishte pjesë aktive në Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Vienës ku u dallua dhe bëri emër të mire, duke u përmendur si shembull tek të gjithë kontigjentet e studentëve që vinin për të studjuar vit pas viti në kryeqytetin Austriak.
Gaqo Tashko e donte vëndin e tij edhe pse respektonte shumë Austrinë, qytetin e Vjenës ku u arsimua e mori kulturën e Perëndimit. Ndër këto dy dashuri ai zgjodhi Shqipërinë.
Pasi kthehet në Shqipëri, Gaqo Tashko fillimisht punon si agronom. Edhe pse nuk kishte ndonjë parrullë “të punojmë aty ku na thërret Atdheu”, ai shkoi vërtet aty ku punët kërkonin fjalën e specialistit të bujqësisë. Rreth katër vjet punoi si i tillë në Kavajë, Elbasan dhe Tiranë. Falë punës së mirë dhe aftësive për drejtim e organizim u caktua si Zv/Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnjë. Aty qëndroi deri në fillim të vitit 1935.
Gaqo Tashko ishte specialist që ndiqte hap pas hapi përparimin e shkencës, zhvillimet që e vendosnin bujqësinë mbi baza të shëndosha përparimi e zhvillimi. Për këto cilësi imponuese ai çfaqej kudo. Pra ai çdo vlerësim e kishte dhuratë falë aftësisë dhe intelektit për të ecur në gjurmë të pashkelura. Ishte kjo gjë që ai të veçohej nga të tjerët dhe që, në fillim të vitit 1935, të shkonte për të kryer një specializim special në Francë në fushën e seleksionimit të farërave të drithërave pranë Institutit të Kërkimeve Agronomike të Parisit, Stacioni Eksperimental i Dijon-it dhe Institutit të Kërkimeve Agronomike të Versajës. Aty specializimi zgjati një vit. Një vit më pas, pra më 1936-ën, u paraqiti sërisht në kryeqytetin austriak, pranë Hochschule für Bodencultur, për të mbrojtur disertacionin me temë “Kërkime mbi kserofilinë e disa varieteteve të drithërave dimërorë” për të përfituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave Agronomike”. Temën për mbrojtjen e Doktoraturës , shkencëtari i ardhëshëm Gaqo Tashko e mbrojti në Univërsitetin e Vjenës më 4 Qershor 1936. I bindur për nivelin e lartë të përgatitjes, ai doli dhe ligjëroi besimplotë përpara komisionit sepse përpara kësaj “prove gjenerale” ai kishte bërë më parë analizat në Laboratorin e biologjisë dhe të mbrojtjes së bimëve në Paris.
Kjo gradë iu dha në mbledhjen plenare më 27 Korrik të vitit 1936. Këtu le të ndalemi pak. Gaqo Tashko ishte aq shumë i “infektuar” nga sëmundja e të qënit patriot e atdhetar sa nuk pati as frikë e as t’i skuqej faqja nga prezenca e autoriteteve më të larta shkencorë të Universitetit të një qyteti perëndimor, kur në krye të studimi shënoi dedikimin: “Popullit shqiptar që më mundësoi studimet e mia”.
Studentin tashmë të diplomuar dhe të doktoruar në një fushë të caktuar të bujqësisë, e shikojmë nga një pozicion tjetër, nga ajo që ai vetëm nga dëshira e pasioni, nga mundi e kujdesi që tregoi në rrugëtimin për arsimim, kishte arritur të bëhej një njeri vërtet i ditur. Ngritja e nivelit së formimit si specialist sapo u kthye në Shqipëri domosdo do ta prisnin detyra të reja, më të larta dhe më të përgjegjëshme. Nga ai vit e deri në 1939, pra tre vjet, punoi në Ministrinë e Ekonomisë si nëpunës dhe Drejtor i eksperimentacionit shkencor agrar. Por ai nuk ishte nga ata specialistë që të “ngronte vezë” në zyrë, por vinte në punë mendjen dhe dijet për të sjellë risi në zhvillimin bujqësor. Gjatë kësaj kohe u mor kryesisht me analizën e farërave dhe eksperimentimin shkencor në fusha të hapëta, duke vajtur disa herë në Itali për të kontrolluar cilësinë e tyre, por edhe për të kontktuar me specialistë të zotë e praktikat moderrne që zbatoheshin aty sepse ishte koha kur në Tiranë u ngrit Stacioni i Seleksionimit të Farërave (1936-1937), i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ndërkohë, meqë ia kishin nevojën, “antizogistin e deklaruar”, gjatë viteve 1939-1943 e pranuan të punonte në Ministrinë e Bujqësisë si nëpunës dhe në fund të atij viti, Drejtor të Bujqësisë.
***
Familja Tashko ishte e gjitha e lidhur me luftën NÇ. Midis tyre edhe Gaqua me vëllanë Koçon. Kujtojmë se këngëtaria e shquar lirike Tefta Tashko Koço (1910-1947) ishte motra e vëllezërve Tashko.
Në vitin 1943 Gaqo Tashko doli në ilegalitet dhe më pas iu bashkua Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar. Veprimtaria e tij dhe autoriteti si intelektual diktoi që të ishte i përzgjedhur për të marrë pjesë në Mbledhjen e Mukjes (1-3 Gusht 1943). Sigurisht si nacionalist, sepse Gaqua nuk ishte antar partie. Më tej ai kishte rënë në sy për kontributin dhe vendosmërinë për ta çuar deri në fund rrugën e nisur, atë të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Ishte 24 Maj i vitit 1944 kur u caktua të shkonte, bashkë me 188 luftëtarë të tjerë nga i gjithë vendi, si delegat në Kongresin e Përmetit ku edhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar.
Pas çlirimit Dr. Gaqo Tashko ishte më i kërkuari për të punuar në sektorin e bujqësisë, i cili në muajt e parë të pasçlirimit ishte pjesë e Ministrisë së Ekonomisë. Saktësisht deri në vitin 1945. Me krijimin e Ministrisë së Bujqësisë, në vitin1946, specialisti i mirënjohur Gaqo Tashko u emërua në postin e lartë, atë të ministër të Bujqësisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1950. Eshtë fakt historik se caktimi i Dr. Gaqo Tashkos, si njeri i arsimuar në Perëndim, në krye të dikasterit më të rëndësishëm dhe më të vështirë për kohën, siç ishte ai i bujqësisë, do të sillte hop të dukshëm, risi që nuk ishin parë deri atëherë. Ardhja e tij në krye të dikasterit krijoi kushte për t’i trajtuar problemet kyçe të zhvillimit bujqësor me koncepte krejt të reja. Gjatë atyre viteve u bënë përmbysje të mëdha në formë dhe në përmbajtje, duke treguar kujdes të veçantë për organizimin e mekanizimit të bujqësisë, të bonifikimit e kullimit të tokave, ujitjes, riorganizimin e prodhimit të farërave, mbrojtjen e bimve etj. Të mos harrojmë se ky hop zhvillimi bëhej në kohën kur bujqësia ishte krejt e prapambetur, në nivele primitiviteti. Shumë institucione shkencorë, të cilët bënin pjesë tek përpjekjet e para pas çlirimit për të rimëkëmbur bujqësinë, u ngritën dhe u vunë në punë kur Ministër i Bujqësisë ishte i dituri Prof. Gaqo Tashko. Por edhe i mençëm e njerëzor . Për kulturën dhe formimin si intelektual, ai e kishte “zemrën plot” për t’u shërbyer njerëzve.
Nga viti 1950 u krijua për herë të parë në historinë e bujqësisë shqiptare Ministria e Pyjeve. Për mentalitetin dhe nënvleftësimin që i ishte bërë deri atëherë mbarshtimit të pyjeve, pra për të nisur një start të ri dhe për ta vendosur pylltarinë në vendin që i takonte, në krye të kësaj ministrie u emërua Prof. Gaqo Tashko. E drejtoi plot tre vjet, deri në vitin 1953. Këta tre vite mbetën nga më të suksesëshmit dhe që u mbajtën mend gjatë për kujdesin që u tregua për mbarshtimin e pyjeve. Eshtë kjo periudhë kur ai dha ndihmesë të kualifikuar në drejtimin dhe paraqitjen e projekteve për ligjet dhe rregulloret në fushën e bujqësisë (1945-1950) dhe të pyjeve (1950-1953) si edhe si konsulent shkencor për problemet e bonifikimit dhe ujitjes. Prof. Tashko është gjithashtu autor i 15 botimeve shkencore.
Puna dhe trajtimi shkencor që u bë për transformimin tërësor të pylltarisë, pati ndikim të dukshëm dhe të drejtëpërdrejtë në fuqizimin e ekonomisë shqiptare. Kujtojmë se specialistët e pylltarisë në ata vite, kur u krijua ministria, numëroheshin me gishtat e dorës. Duhej të ishte drejtues kuadri dhe specialisti vizionar Gaqo Tashko që të mund të bëhej kthesa e madhe.
Vitet në vijim, deri në vitin 1958, Gaqo Tashko mbajti funksionin e Zv/Ministrit në Ministrinë e Pyjeve dhe të Bujqësisë, vit në të cilin ai u përzgjodh të drejtonte shkollën e përgatitjes të specialistëve të lërtë (ILB), duke zëvëndësur personalitetin tjetër të bujqësisë, Pirro Dodbibën
Prof. Gaqo Tashko erdhi në krye të shkollës që do të përgatiste speciaklistë me arsim të lartë të bujqësisë, pra si Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor, me devizën: Ajo që dimë është e kufizuar, kurse ajo që nuk dimë është e pafund. Dhe mendjet e fuqishme, si ajo e Prof. Gaqo Tashkos, dallohen pikërisht nga ajo forcë e brendëshme, që u jep mundësi të mos u nënshtrohen punës rutinë, rezultateve që vijnë nga mendje të atrofizuara. Na duhet të ngrihemi në këmbë kur të përmendim emërin e shkencëtarit Gaqo Tashko edhe për faktin se gjatë viteve që ai drejtoi Institutin e Lartë Bujqësor, i cili në Nëntor të vitit 1951e filloi veprimtarinë me 43 studentë e me dy fakultete, (agronomi dhe veterinari), nërsa në vitin 1990 arriti shifrën rekord, 6 mijë studentë dhe 5 fakultete. Nga auditorët e tij dolën dhe shkuan në shërbim të zhvillimit dhe të përparimit të bujqësisë mijra kuadro e specialistë me arsim të lartë. Por vlera dhe “investimi” i këtij dijetari të madh të bujqësisë, e që kujtohet nga brezat, ishte vlerësimi dhe këmbëngulja e tij në forcimin e gjithëanshëm të trupit akademik mësimor, në përfshirjen sa më shumë e më gjërë në punën shkencore, në formimin profesional dhe edukimin atdhetar të rinisë studentorë. Ishte dora dhe mendja e tij që të mundëte të ngrinte dhe të siguronte paisjet e laboratorëve për programet mësimore, të riorganizonte Stacionin e Kërkimeve Bujqësorë në Kamëz dhe shumë punë të tjera të vyera. Përsa i përket koordinimit të programit mësimor me punën shkencorë në terren, ai mbeti deri në fund një shembull i shkëlqyer. Ka qënë i pari kur ndërmori studimin për përmirësmin e bilançit proteinik të ushqimeve foragjere, studim për të cilin iu dha edhe titulli Profesor. Për të realizuar këtë ai hyri në lidhje e u njoh paraprakisht me punën e Institutive Mesdhetare, hartoi dhe saktësoi metodikat, operonte me literaturë drejtpërdrejt në gjuhët orgjinale. Po sjellim edhe një fakt tjetër që tregon dhe hedh dritë mbi karakterin dhe qëndresën prej një heroi të Prof. Gaqo Tashkos. Ai kishte dijeni të plotë rreth sëmundjes të pashërueshme që e kish zënë e që nuk do ta falte, por edhe tre muj para ndarjes nga jeta, ai me gjakftohtësi e korrektësi, kontrollonte eksperimentet në fushë, shkoi vetë për të parë edhe punën e fundit shkencore atje në ngastrat e tokës ku eksperimentonte.
Pra ky ishte i madhi Gaqo Tashko, i cili nuk u shdrrua kurrë në tjetër njeri, deri sa u nda nga jeta më 17 Shkurt 1967.
Gaqo Tashkoja kaloi shumë të përpjeta e të tatëpjeta gjatë jetës së tij, por falë intelektit dhe karakterit të tij të fuqishëm ua doli në krye me shumë sukses. Ai diti të gjejë dhe të vesh këpucët që i duheshin për të ecur në rrugë krejt të pashtruara, hërë-herë edhe me gjëmba, të vështira e që të kallnin frikë. Por ai ia doli dhe emri i tij është ai që është. Gaqo Tashko mban titullin Profesor (1965), 6 dekorata të larta si “Urdhri i Flamurit”, “Urdhri i Flamurit të Kuq të Punës së Klasit të 2-të”, “Medalja e Trimërisë”, “Urdhër Pune të Klasit të 2-të”. Prof. Gaqo Tashko ka qenë i zgjedhur deputet në 6 legjislatura të Kuvendit Popullor.