27 Dhjetor, 2024

Historia tragjike e Perika Gjezit, e shoqja: Humbi jetën në aksident dy javë para se të martonim vajzën

 Historia tragjike e Perika Gjezit, e shoqja: Humbi jetën në aksident dy javë para se të martonim vajzën

“Deri atë çast nuk dija asgjë. Nuk e dija që im shoq kishte bërë aksident, as nuk mund ta mendoja që ai ishte ndarë nga jeta. Kishte shkuar në Voskopojë për të festuar ditëlindjen e një shoku së bashku me disa të tjerë.

Po e prisja që të kthehej, kur doli nga shtëpia, më tha: “Yllka, nuk do të vonohem shumë”. Prisja nga çasti në çast të hapej dera dhe ai të hynte dhe si gjithnjë të më thoshte: “E shikon, nuk u vonova”.

Me këto fjalë e nisi rrëfimin e saj, Yllka Gjezi, bashkëshortja e aktorit të mirënjohur, Perika Gjezi.

“Befas ra një zile telefoni, lajmi që mora më la të tronditur. Kishte qenë ime motër, Vera, që po më telefononte nga Tirana.

Ajo nuk më tha se çfarë kishte ndodhur, sepse në të vërtetë edhe ajo nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortin tim, por dukej që ishte e tronditur. E njoha nga zëri, vetëm më pyeti: “Ku është Peroja?”

I thashë që kishte shkuar në Voskopojë dhe që nga çasti në çast mund të kthehej, por ime motër me pyeti sërish: “Yllka, një shoqja ime më mori nga Italia dhe më tha që flitet për një aksident, di gjë ti?” “Jo, ia ktheva, nuk kam dëgjuar asgjë, po merremi me përgatitjen e dasmës”.

(Pas dy javësh do të martonim vajzën tonë në Tiranë). “Ç’është ky aksident, e pyeta e tronditur, mos është aksidentuar Perika?” “Nuk di gjë më shumë, më tha ime motër, por unë kisha filluar të ndieja diçka të errët.

Zëri i motrës time, në anën tjetër të telefonit, kishte filluar të dridhej. Fjalët nuk po i shqiptonte dot si në fillim, me sa duket ajo kishte shpresuar që Perikën ta gjente në shtëpi. Tronditja e sime motre kaloi te mua dhe rrëqethja ime u përcoll te ime motër.

Nuk mbaj mend çfarë fjalë të tjera u thanë më pas, pak a shumë i thamë njëra- tjetrës se nuk mund të ishte e vertetë, do të ishte ndonjë ngatërresë dhe asgjë më shumë. Por që nga ai çast asgjë nuk do ta qetësonte më shpirtin tim”.

“Nuk doja të besoja në vdekjen e tim shoqi”, vijoi rrëfimin e saj, kohë më parë, Yllka Gjezi. “Ula receptorin dhe vura re se isha e pafuqishme. M’u duk sikur gjithçka u errësua, sikur jashtë binte një shi i rrëmbyer dhe qielli çahej më dysh.

Në njërën anë mbetesha unë dhe në anën tjetër ai, herë pas here vetëtinte dhe nëpër atë shkeptimë zjarri nisa të shihja fytyrën e Perikës. Të gjitha këto ndodhnin brenda shpirtit tim. Ishte 27 qershor i këtij viti… Një çast m’u duk sikur dëgjova zërin e tij: “Kam mbetur në Voskopojë dhe nuk vij dot….

Yllka, a i bërë gati përgatitjet e dasmës për vajzën… plotësoja të gjitha dëshirat…. po me djalin ke folur? (djali ynë, Misheli, në atë kohë ndodhej në Amerikë). Edhe ai ende nuk dinte gjë, për fëmijët, Perika, gjithnjë kishte qënë një baba i jashtëzakonshëm.

“Yllka, puthi fëmijët edhe për mua”. Kështu m’u duk sikur më tha. Nuk e mbajta dot më veten, nisa të qaja. Nuk e di pse atë çast po më kujtoheshin copëra kujtimesh nga jeta jonë.

Herë më shfaqej fytyra e tij dhe herë më zhdukej, si silueta e dikujt që largohet nëpër shi. Në shpirtin tim binte shumë shi… Dija që kishte ndodhur një aksident dhe jo më shumë, por thellë – thellë e ndieja që bashkëshorti im nuk jetonte më.

E kuptova këtë gjë nga zëri i motrës që i dridhej, nga njerëzit që po vinin të më pyesnin: “Erdhi Perika nga Voskopoja?”.

Lajmi ishte shpërndarë nga mediat, por ne po merreshim me përgatitjet e dasmës dhe nuk kishim marrë vesh asgjë. Vajza jonë, Ina, do të martohej pas dy javësh. Ndaj edhe Perika më kishte thënë: “Do vij shpejt, nuk do të vonohem”, tha ajo kohë më parë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *