26 Dhjetor, 2024

“I jam vënë mbrapa Dorothesë, e kam qejf”- Ditari sekret i Naim Frashërit, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia

 “I jam vënë mbrapa Dorothesë, e kam qejf”- Ditari sekret i Naim Frashërit, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia

Atë mëngjes, u ngrit herët, si zakonisht. I veshur me këpucët e reja, me ato pak lekë në xhep, që ia kishin falur prindërit për të blerë sheqerka, djali i vogël, Naim Frashëri mori rrugën për në kinema.

I la mënjanë sheqerkat. Nuk i donte. Bleu si gjithmonë biletën për në kinema dhe i kënaqur sa më s´ka, mori rrugën e kthimit, me orarin e filmit në kokë. I kishte ndodhur shpesh ta bënte këtë gjë. Bota e tij ishin aktorët, ato rrugë të boshatisura të fundviteve ´30-të e fillimviteve ´40-të, që të çonin në kinematë e kryeqytetit. Por në botën e tij futeshin edhe kujtimet, mbresat, që e kishte zakon t´i shënonte çdo mbrëmje në ditar.

Një zakon që lindi dhe u rrit brenda tij që nga vitet e hershme e deri kur vdiq. Në njërin prej këtyre ditareve shënohen hollësi të çuditshme. Në pak rreshta për çdo ditë, vizatohet në mënyrë perfekte, bota dhe dëshirat e një 18-vjeçari, dhe atmosfera e kohës së luftës, në vitin 1941. Aroma e vërtetë e saj. Këtë ditar, së bashku me disa shënime të tjera, që aktori shkroi gjatë viteve të jetës, djali i tij, Anil Frashëri, e ka vënë në dispozicion të gazetës, një pjesë të së cilit po e botojmë për herë të parë.

Por, çfarë përmban në të vërtetë ky ditar, i shkruar në një kohë të mbrapshtë? Kur italianët kishin pushtuar Shqipërinë, jeta “gëlonte” në Tiranë. Nëpër kinema shfaqeshin filma çdo natë, djemtë e vajzat e reja shkonin në shkollë, lexonin dhe mendonin për rroba të reja, libra, apo aksesorë, i gëzoheshin orëve pushim në shkollë, luanin futboll me ushtarët…

Një ditar nga ´41-shi

Ai, është një ditar i vogël, me kapakë ngjyrë vishnje. Përmasat e tij janë afro 8 me 5 centimetra dhe nëpër faqe, datat, ditët dhe muajt shënohen me të kuqe. Aty janë hedhur gjithë ndodhitë e ditëve të vitit 1941, që ka përjetuar aktori i ardhshëm Naim Frashëri. Atëkohë ai ishte vetëm 18 vjeç. Ende nuk ishte bërë aktor, por shkonte pothuajse çdo ditë në kinema. Nuk shihte kurrë dy ditë të njëjtin film dhe i ndërronte kinematë. Një ditë te “REX”, një ditë në “Savoja”, në “Skënderbej”, “Imperial”, “Rozafat” etj.

Në këtë ditar ai mbante shënim të gjithë hollësitë e ditës, kur blinte një palë këpucë, një unazë, kur qethej, kur blinte mish, kur nuk kishin për të ngrënë, kur mamaja e tij mungonte në shtëpi, kur dashuronte një italiane, e më vonë vajzën e quajtur Dorothe, kur bombardohej Durrësi dhe Tirana, kur erdhi Viktor Emanueli në Tiranë, atentati kundër tij, kur ra Beogradi dhe kapitulloi Greqia, dhe filma e emra aktorësh pa fund. Aty shfaqet dielli dhe shiu, retë, i ftohti dhe vapa, të katër stinët e vitit krahas përjetimeve të tij… madje edhe një lule e tharë, që vjen pikërisht nga ai vit, ngjitur në një prej faqeve të këtij ditari.

Gjendjet e tij bredhin ndër faqet e kësaj axhende në italisht, dhe lënë shenja në rreshtat e shkruara me stilograf. Në disa faqe shkrimi është i qartë dhe i shtruar e në faqe të tjera, është mjaft i çrregullt dhe i ngjeshur. Gjithçka në paralel me gjendjen shpirtërore. As edhe një ditë nuk kalon pa shënime, qofshin edhe shënime të thjeshta, vetëm për kohën, punët e rëndomta apo lekët e humbura në lojëra.

Shënimet e Naimit

Ky është vetëm një shembull për shënimet e Naim Frashërit. Kohë më vonë, në ditaret e tij zunë vend hollësi dhe ngjarje më të rëndësishme. Ai i ruante me fanatizëm shënimet e tij, fotografitë e pafundme, ftesa teatrosh e koncertesh, kujtime të shumta dhe hollësi marramendëse. Sepse, për të, ishte shumë e rëndësishme hedhja në letër dhe ruajtja me fanatizëm e kujtimeve.

Një enciklopedi do ta quante dikush, një libër i madh, ku shënohet historia e teatrit dhe aroma e vërtetë e viteve, kur ai jetoi dhe shënoi. Ai kurrë nuk harronte datat, orët dhe minuta për ngjarje të caktuara në jetën e tij, të teatrit, filmit, apo ngjarje përtej kësaj bote. Kur i ndodhte të mërzitej për aksh punë, me dikë, apo për diçka, kur përjetonte, një humbje apo fitore, kur lexonte diçka mbresëlënëse apo gjente një disk, që e kishte kërkuar prej kohësh. Gjithçka e shënonte. Sepse e dinte se më vonë gjërat do të zbeheshin.

Cili nga aktorët sot i mban mend me hollësi xhirimet e filmit “Skënderbeu” në Rusi, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Tana” apo punën në teatër me “Hamletin”, “Mbretin Lir”, “Intrigë e dashuri”, “Familja e peshkatarit”? Në fletët e arkivit të tij mund t´i gjesh të gjitha. Për çdo mbrëmje ai mbante shënime.

Ditari, ku ai shënonte kujtime nga xhirimet e filmit “Skënderbeu”, siç thotë djali i tij, Anili, tashmë nuk e ka më në shtëpi. Por, prej atij ditari, Anili rrëfen përshkrimin që ai kishte hedhur mbi xhirimin e një skene të veçantë, kur xhirohej pjesa e ardhjes së Skënderbeut, për martesën me Donikën. Pali qëndron i mbështetur në një pemë.

Fillimisht regjisori Jutkeviç kishte menduar që në plan të parë të dilte Skënderbeu. Por, kur u xhirua dubli i parë, dhe kur Naimi, që luante Palin, u kthye me fytyrë nga regjisori, ky i fundit pa se sytë e tij ishin me lot. Një befasi për regjisorin rus. Kishte takuar një aktor, që përjetonte thellë një rol, një aktor, me të cilin vite më vonë do të donte të realizonte film edhe Hamletin.

I kishte thënë pas kësaj aktorit shqiptar: ”Me këtë gjendje emocionale që ti përjeton do të fikesh shpejt”. Por kjo e kishte bërë regjisorin të ndryshonte idenë e tij mbi atë skenë. Ai më pas vendosi që në plan të parë të dilte Pali, jo Skënderbeu, dhe në film u fiksua pikërisht kjo skenë.

Sipas Anilit, në shënimet e tij ka mjaft detaje të kësaj natyre. Një pjesë e këtij fondi të pasur sot gjendet në arkiva, në Kinostudio, në Arkivin e Teatrit, në duart e miqve të tij… dhe një pjesë e madhe në shtëpinë ku banonte aktori i madh. Anili thotë se pjesa më e madhe e këtij fondi nuk janë shfrytëzuar kurrë e kjo është pak e trishtueshme për të. Sepse ato mund të humbasin, e të lënë gropa pas…

Pjesë nga ditari

“Për herë të parë ndjeva dashuri për një italiane”

3 janar 1941, e premte:

Ditë e mërzitshme dhe e ngrohtë. Për drekë nuk kishim gjë të mjaftueshme. Për darkë u bëra unë makarona.

4 janar, e shtunë

Ditë e mërzitshme, kohë e mirë. E para herë që po ha bukë thatë për drekë. Në ora 5 vajta në kinema, pashë filmin italian “Riformatorio”.

6 janar, e hëne

Ditë e keqe, kohë shiu, prandaj qe shumë e mërzitshme. Mamaja mungonte.

8 janar, e mërkurë

Dite e parë e Bajramit. Koha e mirë dita qe e qetë mora këpucë, por s´më pëlqyen, prandaj i ktheva. Mamaja mungonte.

10 janar, e premte

Ditë shiu dhe ftohtë, mamanë e pritëm dhe nuk erdhi. Por muarëm telegram dhe thoshte se ishte mirë dhe vjen pas Bajramit.

13 janar, e hënë

Ditë e mërzitshme. Kohë e mirë, por shumë ftohtë. Mamaja erdhi e bleva unazën, bleva edhe këpucët.

21 janar, e martë

Ditë e mirë aspak e mërzitshme, koha e mirë dhe e ngrohtë. Mora mish….

23 janar, e enjte

Ditë e qetë. Nata qe me grindje. Kohë shiu.

27 janar, e hënë

Ditë e mërzitshme dhe melankolike, sidomos në mëngjes. Koha shumë e bukur dhe e ngrohtë.

5 mars, e mërkurë

Ditë e mirë, koha e keqe. Sot në ora 5 duallëm shëtitje dhe për herë të parë ndjeva dashuri për një italiane. Të shohim fundin.

6 mars, e enjte

Ditë e mirë koha e mirë. Mbasdite. Mbasditja qe melankolike. Në një shëtitje që bëmë pamë atë që më pëlqente mua. Por, ajo as më shikoj me sy.

7 mars, e premte

Ditë e mirë koha e bukur. Në ora 4 vajtëm në Rex… kur duelëm poqëm ato që s´na shihnin me sy.

10 mars, e hënë

Ditë e mirë koha e keqe. Duallëm shëtitje, por s´dolli gjë.

16 mars, e diel

Dita e mirë koha e bukur. Duallëm shëtitje. Në 4 të natës u bombardua Tirana.

17 mars, e hënë

Ditë e mirë, koha e bukur me 1 e gjysëm të natës ra alarm dhe u bombardua Durrësi.

19 mars, e mërkurë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Mbrëmja qe me sherr. U zura me mamanë dhe u zemërova.

20 mars, e enjte

Ditë e mirë, koha e bukur. Mbrëmë në 4 të natës u bombardua Durrësi. Sot në mesditë u zishë më një ushtar.

31 mars, e hënë

Ditë e mirë, koha e mirë. Gjithë ditën e kalova në dyqan me Ushin, sot punova bahçen. Sonte frynte një furtunë e madhe.

10 prill, e enjte

Ditë e mirë, koha e keqe dhe ftohtë, Ushi qe sëmurë sot ra alarm. Sot ra Beogradi.

23 prill, e mërkurë

Ditë e mirë, koha e bukur. Duallëm shëtitje me Linin mbasdite. Sot kapitulloi një pjesë e Greqisë.

10 maj, e shtunë

Ditë e mirë, koha e keqe. Në ora 10 e gjysëm erdhi V.Emanueli i II në Tiranë, të cilin e pashë. Më 5 vajta në “Rozafat” dhe pashë “La grande renquista”. Më 8 vajta në “Savoja” dhe pashë “Madalena sara in condotta”.

17 maj e shtunë

Ditë e mërzitshme, koha e mirë. Sot iku dajua, me gjithë familjen dhe mua më erdhi shumë keq. Sot bënë atentat kundër Viktor Emanuelit në Tiranë, por s´dolli gjë. Në 5 vajta në “Rex”…

29 maj, e enjte

Ditë e mirë, koha e bukur. Dolla dhe psonisa. Sot bleva tre libra.

14 qershor, e shtunë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Në drekë desh më shtypi një automobil.

17 qershor

Ditë e mirë, kohë e bukur në 7 vajta në “Savoja” dhe pashë “Eço la felicita” me Michel Liman, Jacqueline Delubac, Micheline Presle.

21 qershor

Dita e mirë, koha e bukur më 4 vajta në “Rex” dhe pashë “Capitan Furia”.

25 qershor

Ditë e mërzitshme, mbasi qeshë shumë sëmurë me nxehtësi 40 gradë. Dje erdhi Rizaja. Kohë e bukur.

10 korrik, e enjte

Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajta në campo. Bëmë ndeshje me ushtarët.

16 korrik

Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajta në campo dhe bëra shumë qef. Më 5 luajtëm fotboll me c.tappa dhe i mundëm 2:1.

21 gusht, e enjte

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot u nisa nga Tirana në 7 dhe mbërrita në Berat në orën 1. Teze Balen e C= (këtë shenjë e përdor edhe në shënime të tjera të kësaj kohe) i tremba shumë se u bëra si karabinier.

31 gusht, e diel

Ditë e mërzitshme dhe melankolike. Koha e keqe. Më 1 e gjysmë u nisa për Tiranë. Akba, Shequa me kompani dhe Sarua kishin ngelur 4 orë në rrugën afër Durrësit, pasi është prishur automobili i Saros. Mbërrita në Tiranë më 6. Me të mbërritur, vajta në “Savoja” dhe pashë “Mam Liberato” me Brigitte Harney.

3 shtator

Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajtëm në shkollë. Mamaja në Berat. Kishte ardhur daiu.

6 shtator, e shtunë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot bleva historinë e gram.greqisht. Mamaja në Berat.
12 shtator, e premte

Ra shi i madh. Në 6 vajta në “Rex” dhe pashë “Una notte dámore” me Grace Moore e Julio Carmonali.

22 shtator, e hënë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Dje kishin grabitur “Savojën”. Në 8 vajta në “Skënderbej” dhe pashë “Una drama nel bosco” me Paul Vegener.

24 shtator

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot e ndreqa stillon.

27 shtator, e shtunë.

Ditë e mirë, kohë e bukur. Në 6 vajta prapë në “Rex” dhe pashë “Strano comme Mischa”. Hyra me biletën e mbrëmshme, e cila ishte e nënshkruar.

15 tetor

Ditë e mirë, kohë e keqe. S´kam ftohtë. Bardhua shumë sëmurë nga zgjebia.

16 tetor, e enjte

Ditë e mirë, kohë e keqe. Shumë ftohtë. Bardhua sëmurë.

17 tetor

Ditë e mirë, kohë e bukur. Ftohtë. Sot qeshë melankolik dhe qava, mbasi ngordhi Bardhua. Më pas vajta në “Rex” dhe pashë “La forza brutta” me Joon de Lande.

18 tetor

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot bëmë qef, mbasi dy orët e para nuk erdhën profesorët. Sot u qetha.

28 tetor

Ditë e mirë, kohë e keqe, sot u bë një demonstratë e madhe dhe u zunë me karabinierët…

13 nëntor, e enjte

Ditë e mirë, kohë e bukur, sot për herë të parë ndjeva dashuri për Dorothenë, nuk di si do të më dalë fundi.
19 nëntor, e mërkurë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot s´e di, por kam qenë me qef, aq sa Dorothea më ka shikuar më vërejtje.

20 nëntor, e enjte

Ditë e mirë, kohë e bukur, sot u bombardua keq Brindizi. I jam vënë mbrapa Dorothesë, por s´do si do t´më dali. Ikbali shumë sëmurë.

29 nëntor, e shtunë

Ditë e mirë, kohë me re. Mbrëmëm u vra ”Dedeja”. S´dihet kush e vrau, por duket se e vranë italianët.

22 dhjetor, e hënë

Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot u zumë me Ikbalin. Sot më tha një gjë të keqe për Dorothenë. Neti te neve…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *