26 Dhjetor, 2024

Historia e bujshme në ‘89-ën: Kur Skënder Sallaku, si sekretar partie i Estradës dhe Luan Zhegu, si zëvendës i tij, e pyetën regjizorin Leka Bungon, se ç’mendim kishte për Enver Hoxhën, ai iu tha…

 Historia e bujshme në ‘89-ën: Kur Skënder Sallaku, si sekretar partie i Estradës dhe Luan Zhegu, si zëvendës i tij, e pyetën regjizorin Leka Bungon, se ç’mendim kishte për Enver Hoxhën, ai iu tha…

Nga Pëllumb Kulla

Aty nga mesi i vitit 1989, në një zyrë të thjeshtë të punëve të partisë të Estradës së Tiranës, me një dekoracion të varfër, prej katër pesë karrigesh, një kasaforte hekuri me kyç, një tryeze të thjeshtë prapa së cilës qëndronte karrigia e sekretarit të organizatës bazë dhe diku më lart në mur, një portret i madh i Enver Hoxhës, na ngriti krye nga hiçi, një nga ngjarjet më të lezetshme që kishte brenda ankth, proces hetimor, analizë epokale dhe një parodi të vërtetë të përplasjes klasore. Bungoja kishte me Sallakun, pak a shumë, atë vjetërsi marrëdhëniesh të hapura, që kam edhe unë. Në studio e kafene, ata rrinin të pandarë.

Para se t’i takoja vetë aktorët kryesorë të ngjarjes, shumë vetë ma treguan atë të bujshme. Ma tregoi Luan Zhegu, që u ndodh aty në një rol të dorës së dytë, pastaj Skënderi, ma tregoi vetë e më në fund ma tregoi Leka Bungo. Tregimet ishin të njëjtë, veç ai i Bungos, ka pikë vështrimi më të ndjerë dhe unë do përpiqem të riprodhoj atë…

…. Ishim të tre, unë Luani dhe Skënderi, tregon Leka. Shkuam si zakonisht të pinim kafe dhe i përgojuam ngjarjet e ditës. Ditët ishin të ngarkuara me tension, Byroja Politike kishte njëmijë halle dhe ne i gjetëm variantet e zgjidhjeve, që nga kafeneja, por nuk ia dërguam në vesh Byrosë. Le të vriste veten e t’i gjente vetë!

Ishte, po e përsëris, një ditë llahtarisht e ngjashme me të tjerat. Edhe pse nuk isha unë më i moshuari, kamarjerja ma zgjati mua kafen të parit, si gjithmonë, me që në punë isha eprori i dy të tjerëve. Përtypëm silazhin e thashethemeve dhe kur shkuam të merrnim dosjet tona për t’u ndarë, pashë Skënderin, që më parë diç pëshpëshi me Zhegun dhe pastaj m’u drejtua mua:

“Lekë, ne si parti, kemi një punë të bezdisshme për të kryer. A e bëjmë sot”?

“Aa, ju si parti bëni alamet pune, për nder,” u thashë në frymën e marrëdhënieve të përditshme. “Çfarë ndihme kërkoni nga unë?”

“Duhesh dhe ti”. Skënderi m’u duk lehtësisht më serioz se para pesë minutash në kafene dhe u ktheva nga Luani. Ai m’u duk shumë më tepër hijerëndë.

“Mirë” – u thashë, – ”zini vend t’ju dëgjoj”! Dhe u ula në krye, në vendin e regjisorit. Sallaku me një fytyrë të bezdisur, më tha se duhet ta zhvillonim bisedën, në zyrën e tij, të partisë.

Kjo më ktheu 20 e ca vjet prapa, megjithëse që të dy këta njerëz të partisë, i ndjeja vërtet shokë e, nuk prisja as edhe një grimë ligësi prej tyre. Ama, unë i njihja mirë inskenimet e Sallakut, por ajo që më bënte akull, ishte fytyra e Luan Zhegut, që ishte bërë e ftohtë dhe e pikëlluar njëkohësisht. Isha i vetmi që nuk desha të shkëputesha nga atmosfera e para pak minutave në kafene dhe po luftoja fillikat, ta thyeja atë formalizmin e tyre të neveritshëm.

“Shih shih”, – ia bëra duke qeshur ende, “qenka serioze puna”!

“Është pak”, tha Skënderi dhe tundi dorën edhe më me bezdi akoma; “Shkojmë!

U futëm në zyrë dhe tani ishte Skënderi që u ul në krye. Luani u vonua pak përjashta dhe Sallaku vendosi ta priste pa folur. Goja ma mbajti që t’i thosha se, po tallnin prapanicën me mua dhe do të kisha bërë mirë t’ia thosha, por Skënderi edhe këtë do ta kalonte pa zhurmë e, me finesë.

U dëgjuan hapat e Luanit, urdhri që i dha rojës që për ndonjë orë të mos na bezdiste njeri dhe pastaj ai u dha në derë.

“Hajde, shoku zëvendës – sekretar”, i tha Sallaku. “Mbylle derën dhe ulu”!

Luani u ul afër meje. Mbi kokën e Skënderit, mbretëronte qetësisht portreti i Enver Hoxhës. Një atmosferë e ndyrë tradhtie filloi të vizatohej në trurin tim. Tentova edhe njëherë të thërrisja miqësinë e intimitetin e kafenesë, ta thyeja këtë formalizëm policesk e komunist e, pastaj po të mos më ndizte, le të bëhej ç’të bëhej!

“Hë”, u thashë, “nuk po mbani ndonjë shënim, o shokë burokratë të Partisë së Punës”?!

“Nuk ka nevojë”, – tha Sallaku, – sekretari, shkurt pa u ndalur tek ironia. Ëëë, do të ketë ndonjë regjistrim zëri diku, mendova. Shikoja Skënderin.

Vetëm periudha e fundit, bëhej një vit, që rrija me të ditë për ditë. Atje u kujtova se atë çast, për herë të parë po e takoja si sekretar partie: ishte i neveritshëm! Megjithëse edhe ai, më shumë se zëvendësi i tij, (më i urryer akoma!), mundohej të mos i shuante fare marrëdhëniet shoqërore.

“Shiko si është puna Lekë”, tha butë Skënderi, “është një udhëzim që partia dëshiron disi të këshillohet me kuadrot që drejtojnë punën dhe të marrë mendimet e tyre”!

E besova. E hëngra. “Po mirë more qen bir qeni, – fillova ta urrej deri në majë të flokëve Skënderin, – nuk ma thoshe dot si shok, se si ishte puna, para se të vinim këtu, ku nuk po komunikojmë dot, se jemi në tavë?! Kështu jeni të gjithë ju komunistët. Pabesinë e keni në gjak, ju”!

Të gjitha këto i mendoja, pa reshtur asnjëherë së vështruari me seriozitet dhe respekt Skënderin, ndërsa ai vazhdonte:

“E bëmë me drejtorin njëherë e, tani po e bëjmë këtë pyetësor me ty…”! Mori frymë thellë dhe vazhdoi: “Ti je me prejardhje bejlerësh, kështu”?

“Hë, more se e dini ju, po hë”! u rreka unë përsëri të thyeja formalizmin.

“Po apo jo”? nguli këmbë Skënderi.

“Po, mor po, po hë”, u rreka edhe një herë më shumë unë.

“Përgjigju më shkurt dhe qartë”, më pëshpëriti ky lugati tjetër që kisha afër.

Vazhdoi Sallaku: “Ti në këtë periudhë të pushtetit popullor, ke vuajtur edhe persekutim, apo jo? Të gjithë ne e dimë që je dënuar me punëra të rënda fizike”?!

“Po”, i thashë unë paksa i shpërndarë. “Po ikën ato, ashtu ishin kohërat”!

(Varianti i tregimit nga Skënderi është se Leka tha: “Po. Dhe ma bënë mirë, se e meritoja”. Por varianti i Bungos është më i besueshëm).

Këtu Skënderi më foli me një seriozitet, që nuk besoja se mund të ndodhej brenda asaj qenie hibride:

“Ka patur raste që partia është nxituar, në dënimin e njerëzve me vlera. Sidomos në rrethe, kjo ishte edhe më e shpeshtë. Nuk gabonte udhëheqja këtu lart, por kuadro të veçanta të rrethit…! Jam ngarkuar, që në emër të partisë, të të kërkoj ndjesë”!

“Nuk ka rëndësi”! i thashë unë, megjithëse kur e tregon ai qen bir qeni, Sallaku, thotë që unë i mbusha sytë me lot. Gënjen mu në mes të ditës!

“Partia, Lekë, do që të dijë edhe mendimin tënd, për situatat që po vijnë, por le të fillojmë nga kreu më mirë, e lemë të të pyes se ç’mendim ke për këtë”. Dhe Skënderi bëri shenjë lart mbi kokën e tij.

“Për kë”?

“Për shokun Enver”

Kjo e mbushi kupën. Pyetje më të qelbur nuk besoj të bënte njeri. Përfytyro t’i përgjigjesh një njeriu, që ta di atë përgjigje që prej një çerek shekulli! Desha t’i them njëherë: “E di çfarë o Skënder Sallaku, më mirë po të them se ç’mendim ke ti për të”. Por ajo djall, zyra e partisë, ma prishte. Ma prishte edhe Luan Zhegu, që duke ndenjur urtë e pa fjalë, më dukej më i llahtarshëm.

U mendova gjatë para se të përgjigjesha, se dhjetë herë u mata ta pëlcisja bombën, por prapë…! Hej dreq, mendova, tani këtyre po u vjen fundi. Ditët i kanë të numëruara. Të shkoj unë, për dhjamë qeni, kur mund të shtirem edhe një minutë! Një minutëz të vetme, tani, më 1989!

Desha të gjeja një kalim të fismë, të ëmbël, që të mos kërciste shumë me mendimet e mia, të porsa shfaqura këtyre maskarenjve jashtë asaj zyre. E mposhta trazimin dhe e bëra gafën: u përgjigja.

Tani që ia panë të mirat atij truku e po më përgojojnë nëpër Tiranë e Shqipëri, shtojnë shumë nga xhepi, por atë përgjigje, e dhashë. Dhe është e vetmja përgjigje, në atë takim, për të cilën më vjen inat. Me atë unë vulosa triumfin e një karagjozi, si Skënder Sallaku, që tallet me shokët, me zyrën e partisë, me gjithçka. Ju thoni që është çapkën. Është. Ai ka lozur komedi me të gjithë: me të atin, me të vëllain, me shokët…!

Po luante edhe me mua. Dhe kungulli i ecën gjithnjë mbi ujë. Dija unë të tallesha më bukur me të, se edhe unë kam një fije fantazie, por nuk kam patur komoditetet e Sallakut. Të dashurit e mij, Sallaku ka qenë tërë jetën çapkën, i përkëdhelur e kurrë nuk i ka hyrë ferrë në këmbë. Vetëm një i përkëdhelur, mund t’i tregojë anekdota Enver Hoxhës, kundër Enver Hoxhës!

“Mendimi im për shokun Enver…”? thashë më në fund. “Po nuk mbeti shoku Enver ta gjykoj unë, mor Skënder, pashë Zotin! Ai është një figurë që ka bërë një vend në elitën e lëvizjes të proletariatit ndërkombëtar…”!

“E kam fjalën më shumë në planin e brendshëm”, më udhëzoi Sallaku, duke dashur të më shijojë mirë e mirë, si pijanecët që mbarojnë mishin e rreken të nxjerrin palcën nga fyejt e kockave.

“Në planin e brendshëm, duhet gjykuar me detyrat që shtronte koha.

Kohërat ishin të vështira dhe ai u bëri ballë atyre”!

“Shkurt, ti shoku Bungo, ke mendim pozitiv”?

(Të t’atë në valle, mor qen bir qeni!) E po të hash një plumb qorr, kur lufta po mbaron e, ne po kthehemi në shtëpi!

“Natyrisht, pozitiv”.

Sallaku trokiste gishtin mbi tryezë. “E dëgjon ti, shoku zëvendës”?!

Zhegu me kokën gati të futur në mes të shalëve, tundi dorën në shenjë pohimi, me-demek; “më mirë nuk bëhet”!

“Dhe ti Lekë, the se je me origjinë bejlerësh”, m’u kthye mua prapë Skënderi. “Bej? Kështu?”

“Eh, bej, ja ashtu…! Jam ca bej”, – i thashë unë me-demek si modest.

“Edhe i persekutuar”?

“Edhe i persekutuar”.

Ai hodhi një sy nga Luani, si për t’i marrë një mendje dhe vendosi ta përfundonte.

“Kurse unë tani”, tha solemnisht Sallaku, “po të jap mendimin që ka vetë partia për shokun Enver. Të paktën atë, që ka organizata jonë. Ne mendojmë, se ky, shoku Enver, që ti e vlerësove aq lart, në emër të klasës tënde të persekutuar, ka marrë në qafë një popull të tërë, bile një komb të tërë”!

Unë nuk po e mblidhja veten.

​“Apo jo shoku zëvendës-sekretar”?

“Vazhdo shoku Skënder, ti na përfaqëson”! u pajtua kokulur Luan Zhegu.

Edhe njëqind veshë të kisha, asnjërit nuk do t’i besoja!

“Duhen 100 vjet, që ky vend të vijë tani në nivelin e vendit më të prapambetur të Evropës”, vazhdoi flakë për flakë Skënderi. “E kjo është përgjegjësia e tij. E këtë përgjegjësi ta mbajë me shëndet”!

“Ikni, mor bij bushtrash!” shpërtheva unë duke kërcyer më këmbë, më shumë i nxehur me veten, që nuk kisha arritur të zbërtheja teatrin e tyre, se sa me dobësinë që shfaqa dhe që tani do të më bënte gazin e horrave…!

Këtu mbaron tregim i Leka Bungos…!

Luani dhe Skënderi, për pak ishin mbytur nga të qeshurit. Bungoja i kish lënë ata të shfrynin seriozitetin e mbajtur gjatë, në një gaz me lot, kishte zbritur shkallët dhe ish nisur për në shtëpi, duke sharë nëpër dhëmbë. Vlonte i tëri.

Pastaj qe kthyer me vërtik dhe u kish vajtur përsëri në zyrë, ku ata nuk kishin ndërmend të pushonin së shijuari frytet e lojës së tyre.

“Kësi shakarash, unë nuk do të t’i duroj më, Skënder Sallaku”!

Ata nuk rreshtnin.

“Dëgjuat ju bandillë?! Të dyve, po ju a them”! tha Leka.

Skënderi pushoi së qeshuri.

“Më vjen keq, Lekë, po ne nuk bëmë asnjë shaka”, tha ai.

“Po atëhere përse qeshni”?!

“Qeshim se ti i mbushe brekët, po nuk bëmë asnjë shaka. Ne vërtet kishim udhëzim të të pyesim dhe të pyetëm. E do të raportojmë lart, tamam siç u përgjigje”!

“Raporton ti, por unë nuk të flas më me gojë”!

“Pse?! Ti përgjigjen e dhe të mirë…! Apo do që t’u them atyre të kundërtën”?

Leka nisi të kafshonte thonjtë. “Ti po vazhdon komedinë”?

Hyri në valle Luani, me zërin e tij të butë: “Ti inatosesh kot, Lekë. Skënderi ta tha që nuk tallet. Na kanë udhëzuar me të vërtetë. Ajo që është për të ardhur keq, është se ti mbase u detyrove të thuash për të, fjalë të mira. Por edhe ata të Komitet të Partisë, atë përgjigje që na dhe ti, atë dhe presin! Nuk presin tjetër nga ty”.

“Po natyrisht”, vinte gjithnjë duke u ndezur më shumë regjisori. “Nuk është turp, të kesh frikë nga ju”.

Luani që deri tani në ndarjen e roleve, kish marrë më të voglin, po ia cingëriste nervat Bungos, me urtësi.

“Ti nuk kishe pse të ndjeje frikë”, i thosh ai. “Tani ti e di që punët kanë ndryshuar për mirë. Të kish ndodhur kjo para pesë a gjashtë vjetëve po, por tani?! Ne nuk të bëmë as edhe një presion, se të kemi shok. Ne sapo dolëm nga kafeneja. Natë e ditë ne rrimë bashkë. Nuk të vjen zor, që të dyshosh qoftë edhe për një sekondë, se ne mund të të lemë në baltë ty?! Dëgjomë mua: mirë u përgjigje”!

“Shiko, shiko! Edhe ti, o Brut”?! Lekës i patën shkrepur në kokë notat e këngës “Çudi, çudi, me ty babi”, që Zhegu këndonte me fëmijët…! Leka po pendohej që ishte kthyer nga rruga. Ai që i jepte gjysmës së botës ujë në bisht të lugës, kishte mbetur tani me gojë të kyçur, para Luan Zhegut. Skënderi nuk fliste.

“Ah, ju jeni batakçinj! E gjithë Partia juaj, është mbushur me batakçinj!”

“Edhe këtë e themi atje në Komitet, po të duash”! vazhdoi me zërin e tij të ngrohtë Luani.

“Thuajeni! Doni të na e faturoni ne frikën, të na faturoni Enver Hoxhën edhe gjithë punët e mbrapshta…”?!

Skënderi u fut në bisedë përsëri, por vetëm duke iu drejtuar Luanit: “E Luan Zhegu, të thashë? Të thashë që kur të mbarojmë, ky do ta kërkojë dobësinë e vet tek ne? Të thashë që raca e këtyre bejlerëve, ashtu sikurse na ka marrë në qafë për 50 vjet, ashtu do të kërkojë, të na e futë edhe më tutje? Të thashë që edhe tani, kur partia është zgjuar dhe është ngritur e tëra në këmbë, se e kuptoi më në fund rolin shkatërrimtar, të këtij burri këtu në mur, këta do të vazhdojnë të na thonë, nderojeni se ka qenë burrë i madh ndërkombëtar? Raca e këtyre…”!

“Ue, ue, ue”! nuk u besonte veshëve përfaqësuesi i bejlerëve. “Edhe këtë tezë keni përpunuar mor faqezinj?! Këtë këngë do të këndoni tani ju? Mos u merr me Luanin! Ma thuaj mua drejt e në sy! Ti – mua! Më shiko në sy”!

Skënderi iu kthye e, këtu dialogu u bë sureal. “Ku i ke sytë”? pyeti Skënderi.

“Ah, ja ku i paske! Ke ndonjë ankesë ndaj meje, si njeri? A të kam bërë ndonjë gjë prapa shpine? A nuk të kam mbajtur afër edhe kur e kam patur të ndaluar? Ke gjë me Sallakun”?

“Po ti hileqar, do të flasësh si Sallak, apo si parti”?!

“E do si parti atëherë? Me që jemi në zyrë të partisë, hajde si parti”! ia bëri tak-fak Sallaku, që dukej se nuk vuante për tekst. “Gjithë këto 50 vjet, a e kemi pyetur popullin, dhe në mes të popullit, a ju kemi pyetur edhe ju reaksionarët? Sa herë kemi mbledhur popullin, ju kemi thirrur dhe ju e kemi kërkuar mendje si parti: ‘e kemi mirë këtë gjë’? Ju, reaksionarët, ngriheshit të parët: ‘mirë e keni! Vazhdoni, se neve nga pas po ju vijmë’! Na paskeni marrë në qafë, mor edepsëzë! Ju mor ju, na paskeni futur në qorrsokak e, shiko ku e katandisët vendin! Ne të shkretët, me dorë në zemër…”!

Këtu Bungoja, erdhi në gjendjen shpirtërore të kafenesë dhe një buzëqeshje rrahu t’i ndrisë fytyrën.

“Me dorën në zemër, se veç asaj në prapanicë mbanit edhe një kobure në xhepin e brendshëm…”!

“E ç’është e vërteta, e mbanim dhe një atje”!

“Ata nga ne që ju thane; e keni gabim’ ju i vutë në litar”!

“I vumë… i vumë, sepse…”!

“Sepse ata që nuk miratonin, nga hetimet dilnin që kishin qenë të lidhur me armiqtë”!

​“Ore vërtet, përse të gjitha hetimet na dilnin ashtu?! Ëh”?!

Sallaku ishte kthyer e qeshte njësoj si Leka, që tani kish ngritur duart, para gjithatij inskenimi. “Se me thënë të drejtën, asnjë nuk kemi dënuar vetëm për kundërshtime e për kritika. Ti edhe sot, që nuk duhet të kesh frikë, vazhdon e këtu në zyrë të partisë, bërtet më shumë se ne: ‘nuk ka burrë më të mirë se Enveri’! Turp për ty o Leka bej Bungo”!

Ky u përpoq të ishte debati historik, që nuk u bë kurrë midis të përmbysurve dhe pushtetarëve, por ai nuk kishte as aromën më të paktë historike, pasi këtu nuk po grindeshin, veçse beu më i keq, me komunistin më të keq.

Leka thotë se, po të bëhej vërtet ky debat, midis dy palëve, i duhej lutur Zotit, që ata të mos i përfaqësonte Sallaku. Le që nuk kish se si t’i përfaqësonte! Ai nuk pat qenë kurrë me ta…!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *