20 Shtator, 2024

Margarita Xhepa: Kisha një familje shumë të varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha

 Margarita Xhepa: Kisha një familje shumë të varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha

Margarita Xhepa, ikona e skenës, teatrit dhe kinemasë “Nderi i Kombit”, festoi pak ditë më parë 90-vjetorin e lindjes.

Kujtimet e jetës së saj të pasur ajo i ndan në një rrëfim si rrallë herë në programin Exclusive në Top Channel. Ajo rrëfen fillimet e karrierës së saj dhe sesi u bë pjesë e skenës.

“Unë kam pasur dhe pak fat. Unë erdha nga Lushnja me 7-vjeçare. Dhe atje jam ngjitur për herë të parë në skenë.

Poezinë e kam dashur, nuk kam ditur ta kuptoj rëndësinë e poezisë, por thjeshtë më pëlqenin frazat.

Më doli bursa për në Lice dhe ishte një gëzim i madh. Unë nuk dija kush ishte Migjeni dhe jo më Shekspiri që do të luaja 5 herë në veprat e tij.

Erdha në Lice… fati im i madh që tregoi një rrugë të madje në jetën time, ishte në juri Pandi Stillo. Kishte një intuitë të shkëlqyer.

Më dha një ushtrim, atë ushtrim nuk e bëra keq, ia mbusha mendjen dhe u bind që kjo ka një emocion dhe më duartrokiti kur mbarova.

Se ishte një akuzë aty, që unë edhe u skuqa, se më akuzuan për një gjë në ushtrim që nuk e kisha bërë, edhe mu këput loti. Dhe e mbrojtja veten. Dhe duke mbrojtur veten, tregova dhe grintë, dhe kjo i pëlqeu.

Më vendosi një dorë të ngrohtë prej babai në sup dhe me tha më prit jashtë. E prita. Dhe kur doli më tha: Nesër do vish në Teatrin Popullor se bashkë me drejtorin kemi diçka për të thënë.

Drejtori Kol Jakova më priti me buzëqeshje, dhe regjisori i tha që ‘këtë vajzë do ta marrim në Teatër se e pashë dje në provim’.

Sepse ata kishin nevojë për një vajzë të re. Unë u shastisa sepse unë vija nga një familje shumë e varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha”, rrëfen ajo.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *