26 Dhjetor, 2024

Si u internua Mamica e Skënderbeut pa i lënë mundësi të ndahej me babanë para vdekjes!

 Si u internua Mamica e Skënderbeut pa i lënë mundësi të ndahej me babanë para vdekjes!

Adivije Alibali është gruaja që luajti rolin e Mamicës, motra e Gjergjit në filmin “Skënderbeu”.

Përpos filmit “Skënderbeu”, Adivije Alibali ishte edhe pjesëtare e Ansamblit të Këngës dhe Valles deri në vitin 1974, kur regjimi e internoi bashkë me familjen e saj në një fshat të Gjirokastër.

I biri i artistes, Agron Alibali tregoi për gazetaren Rudina Xhunga, historinë e nënës së tij, si u internua Mamica e Skënderbeut pa i dhënë mundësi të ndahej me babanë para vdekjes.

“Në vitet 1970 familja ime u internua për arsye politike. Në 1974-ën dy xhaxhallarët e mi u arrestuan dhe u dënuan për propagandë. Familja ime e ndihmoi shumë luftën ishte aktiviste shumë e fortë, kundër pushtimit.

Gjatë periudhës pas luftës, familja jonë ishte pjesë e Shqipërisë së re. Dhe pastaj u morën masa represive nga regjimi për shkak të qëndrimeve liberale të babait tim dhe arsye të tjera.

Në vitin 1975 familja ime pësoi një goditje të madhe nga sistemi. Gjëja më e tmerrshme ishte që e pësoi mamaja ime. Ajo ishte artiste e skenës, luajti në filmin e Skënderbeut, në rolin e Mamicës. Ishte në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Atë e nxorën në pension të parakohshëm. Ishte vetëm 42 vjeçe. Në tetor të 1975 na internuan. Mamicën e filmit Skënderbeu e internojnë familjarisht në Labovë të Zhapës. Imagjino çfarë kalvari ka kaluar ajo nënë.

Ne u futëm menjëherë në punë, ajo na gatuante, përkujdesej për ne. Ia prenë atë pension të parakohshëm që vetë ia dhanë sepse thoshin është internuar për arsye armiqësorë.

Pastaj nuk ia dhanë deri sa filloi demokracia. I kujtoj ato ditë që ktheheshim nga puna dhe ajo na priste me buzëqeshje të ngrohtë edhe në momente të vështira.

Gjatë dimrit natën e kalonim me këngë. Mamaja këndonte ne e shoqëronim. Pra dramën e jetës së saj e kaluam me këngë. Në 1977-ën vdes gjyshi, i ati i mamasë. Unë isha në Tiranë. Mamasë i çuan telegram përmes të cilit i thanë se i ati ishte shumë sëmurë, jo se kishte vdekur.

Sapo e mësoi shkoi për leje në degë, më pas hipi në autobus, pastaj në tren që vinte në orën 5 në Tiranë. Nuk e harroj përqafim me të te stacioni trenit kur m’u desh t’i thosha që erdhi vonë.

Po ju tregoj dhe një histori tjetër. Meqë unë isha me biografi të keqe nuk do më dilte shkolla e larta dhe bëra shërbim ushtarak në Porto Palermo. Në tremujorin e parë të stërvitjes sollën në kinematë verore filmin “Skënderbeu”.

Unë, bashkë me ushtarët e tjerë po shihja mamanë time në film. Ia kishin hequr edhe emrin në prezantimin e filmit. Ishte emocion i madh për mua të shihja nënën time në film. Një shoku im i ngushtë më thotë:

-“Ore sa e mirë ajo aktorja sovjetike, Mamica!”

“Ylli do të them diçka, por do e mbash sekret”, i thashë.

-“Ajo është mamaja ime.”

-Çfarë thua?”, më tha i habitur.

Sot nëna ime jeton në Tiranë, në shtëpinë tonë. Ajo është e vetmja artiste gjallë nga filmi i Skënderbeut. Një film që ka bërë epokë. Që ka fituar dy çmime në Festivalin e Kanës në 1954-ën. Edhe Fan Noli, autori i historisë së Skënderbeut e pa dy herë filmin kur u dha në Boston.

Ne nuk duam ta kujtojmë fare atë periudhën kur ishim në internim. Por na mbajti gjallë uniteti i familjes. Fakti që kishe një familje që të donte, të mbështeste. Nuk flas vetëm për familjen e ngushtë. Dhe familja e gjerë në Tiranë dhe Shkodër që na mbështetën dhe nuk na e kthyen kurrizin kurrë”, tregoi zoti Alibali.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *