27 Dhjetor, 2024

Llazi Serbo, tragjedia e një aktori unik

 Llazi Serbo, tragjedia e një aktori unik

Nga Leonard Veizi

Çfarë mund ta bënte një aktor kalibri të vriste veten? Paqëndrueshmëri psikike?

Çastet e vendimmarrjes mund të jenë të vështira, por po aq janë të lehta, vetëm një sekondë mendim i tejskajshëm dhe një sekondë tjetër për ta kryer aktin. Dhe kaq. Sepse askush nuk është në gjendje të të ndalë.

Pas kësaj mbetesh vetëm një kujtesë. Për më tepër kur kjo kujtesë ka mbetur mbi celulozë të lëvizshme, që mund ta vendosësh në punë sa herë të ndjesh mall.

Dhe ky është një fat që shumë e shumë të tjerë nuk e kanë.

Por dhe kujtesa tek e fundit është një konvencion abstrakt. Herë merr kuptim, herë jo.

Ishte e diel duke u gdhirë e hëna. Mesnata…, atëherë kur akrepi i orës që ndan kohën, duket sikur ka ndarë dy botë të ndryshme, por që në fakt është e njëjtë. Një krismë e mbytur arme ishte ndjerë në errësirë dhe vetëm kaq.

Sepse terri i thellë mbyt çdo krismë a klithmë. Të nesërmen në mëngjes u dha lajmi se një aktor fort i njohur i teatrit të Korçës ishte gjendur i pajetë në banesën e vet.

Kishte vrarë veten. Pranë trupit ishte gjetur një çifte të cilën e mbante me leje për ditët e tij të gjuetisë si dhe një copë letër ku ishin shkruar fjalët e tij të fundit. Ishte 13 shtatori i vitit 2010 dhe ai ishte 65 vjeç…

…Shumëkujt, kur i shkon në mendje Llazi Serbo, njëherësh kujton së pari Kreshnik Martinin.

Mund të jetë roli më emblematik i interpretuar prej tij, por jo aq sa roli i Kapiten Edgar, një oficeri nazist pa fjalë, që mbante qytetin e rrethuar në darë dhe nëpër duar kalonte një tufë fotografish me të cilat identifikonte ata që luftonin kundër Rajhut gjerman.

Gjithsesi ai do ta fillonte karrierën filmike si Dalani tek filmi “Yjet e netëve të gjata”.

Por ishte dhe mësues Naimi tek filmi “Shembja e Idhujve”.

-Nuk keni se si të më kuptoni, flasim gjuhë të ndryshme. Për shembull në Kalcë zoti kapedan. E çfarë ka atje: uri, gjakmarrje, padrejtësi dhe padituri.

Një kryeplak që nuk di të shkruajë, një prift me dy fakultete që rrjep fshatarët tanë dhe u jep të huajve pasurinë tonë kombëtare, një kapter anadollak, injorant…

Me një zë karakteristik dhe interpretim mjeshtëror, ai është cilësuar si një aktor unik duke u veçuar nga të tjerët. Kishte një interpretim rebel e plot zjarr, dhe kjo përfaqësohej më së miri dhe në rolin e komitit Ajaz Gjika tek filmi “Kush vdes në këmbë”.

-Hakmarrja të na ndezë gjokset dhe armët. Sa më shpejt ta shtrijmë armikun përtokë aq më afër e sjellim lirinë.

Por ai ka dhe një rol interesant si Bexhet Alushi, tek seriali televiziv “I treti”, që vërtet punonte në gurore me vare në dorë, por dhe rekrutonte agjentë për një shërbim sekret të huaj, me rrushfet por dhe presion.

-Hë byrazer, përse nuk përgjigjesh. Mos harro se më ke dhe nja 50 mijë lek borxh. Ku kujton se i gjen une ato para?

Atëhere mos e zgjat më por hiqe vallen sipas daulles time.

Për Llazi Serbon thuhej se të gjithë regjisorët e kishin një rol për të, por të paktë ishin ata që merrnin guximin ta ofronin, pas Llazi ishte tekanjoz i madh, dhe dilte në sheshxhirim vetëm pasi kishte provuar të gjithë gardërobën e Kinostudios, sepse herë nuk i pëlqente xhaketa, herë pantallonat e ca më shumë këpucët.

Ishte vërtetë aktor me temp, edhe jashtë filmit apo skenës. Në tavolinë mes miqsh shfaqte grintën e tij për gjithçka lidhej me artin që bënte. Por në interpretim ai ishte një aktor plot klas. Dhe grindja e tij kish aq shumë lezet për një aktor dimensioni.

-Qëllo o Pjetër Mustakuqi, dhe pa u tret bora bjeshkëve nga kjo krismë, dhe një zjarr tjetër do t’u shtohet atyre të pestëve që ndezi populli. Vdekje më të nderuar nuk dua.

Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se diplomohet për aktor nga Instituti i Lartë i Arteve në vitin 1969. Nis punën në Korçë si aktor profesionist në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Karriera skenike do të niste me dramën “Njolla të Murrme”.

Por numri i roleve në skenën e teatrit dhe në ekran, gjatë karrierës së tij 40-vjeçare do të arrinte në të paktën 100 nga të cilat 15-të i interpretoi në kinema.

Mes viteve 1986 – 1993 punon si regjisor pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Detyrën e re e nisi si asistent në filmin e Besim Kurtit: “Bardhësi”.

Ndërsa në vitin 1991, Serbo do të realizojë skenarin dhe regjinë e filmit “Kush e solli Doruntinën” bazuar mbi novelën e shkruar nga Ismail Kadare.

Përveç pasionit të aktrimit dhe regjisurës ishte i pasionuar edhe pas fotografisë dhe mori pjesë në Konkursin Mbarëkombëtar Fotografik “Marubi 2003”.

Për meritat e tij artistike dhe për kontributin e tij të çmuar në kinematografi dhe kulturën shqiptare, Llazi Serbo u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”.

Ndërsa, Këshilli i Qarkut të Korçës e ka cilësuar “Nderi i Qarkut”.

Për Llazi Serbon thuhej se prej një kohë të gjatë vuante nga depresioni kronik. Ishte kjo sëmundje që u bë shkak të kryente vetëvrasjen në banesën ku jetonte i vetëm. Si gjithmonë, në të gjitha vetëvrasjet dukej një e shtënë e vetme, pranë zemrës.

Dhe gjithçka mbaroi aty. Pranë trupit të tij u gjet vetëm arma por edhe një letër testament, ku mes të tjerash kishte shkruar: “Dua të vdes si Bekim Fehmiu”.

Dhe vdiq vërtet.

Gjithkush a të drejtë ta zgjedhë vetë vdekjen e tij. Edhe pse në shumicën absolute të rasteve, ajo vjen atëherë kur ti nuk e pret.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *