7 Tetor, 2024

U përball me vdekjen, rrëfimi prekës i Genc Fugës: Kam qarë kur mora vesh ndihmën dhe dashurinë e shqiptarëve

 U përball me vdekjen, rrëfimi prekës i Genc Fugës: Kam qarë kur mora vesh ndihmën dhe dashurinë e shqiptarëve

Muajt e fundit për aktorin e njohur, Genc Fuga dhe familjen e tij, nuk kanë qenë aspak të lehta, pasi artisti pësoi një goditje në tru dhe i duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale.

Fatmirësisht, ai tani është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe së fundmi është duke punuar për një shfaqje që do ta ngjisë sërish në skenë.

I ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina”, aktori kujton “episodin” e parë, pas goditjes në kokë. Ai u shpreh se ishte kulmi ta shikoje dorën e mos ta lëvizje dot.

Rudina Magjistari: Në momentin e parë Genc kur, le të themi, kuptove dhe mësove çfarë kishte ndodhur, çfarë mendove? Çfarë ndieje në ato çaste, në ato orë le të themi?

Genc Fuga: E para ishte… unë e kam të vështirë të mos e lidh me aspektin humoristik. Ishte kulmi ta shikoje dorën dhe mos ta lëvizje dot. Ishte kulmi, që të të mos bindej edhe dora jote.

Mbaj mend vetëm një sekuencë, një ndër sekuencat, se shumë herët për të harruar, kisha Enin te koka dhe ishte momenti kur nëpërmjet ndërhyrjes do më kthenin zërin.

Mirëpo, deri në atë moment komunikoja me infermieret edhe me Enin, kryesisht me shenja e me tinguj. Më hoqën atë pajisjen dhe më erdhi zëri. Eni ishte prezente, edhe i thashë asaj infermieres: “Të lumshin duart, por ti nuk e di çfarë do heqësh tani se unë do flas”.

Rudina Magjistari: S’do pushoj më (duke qeshur).

Genc Fuga: Më lindte shumë shpesh ndjenja e xhelozisë dhe njëkohësisht e cinizmit, për veprimet nga më të ndryshmet. Rudinë, dua të them që, ka qenë jashtëzakonisht shumë punë e madhe, edhe nga ana ime, por edhe nga trajnuesit, nga fizioterapistët, që unë të vishesha. Domethënë, je në shina komplet të tjera dhe duhet të ecësh në një rrugë komplet të re.

Rudina Magjistari: Duket sikur fillon çdo gjë nga e para.

Genc Fuga: Në fakt, fillon gjithçka nga e para. Shumë gjëra trashëgoj nga jeta e parë, por kryesorja është dashuria, ajo që na mban.

Moderatorja e programit, Rudina Magjistari, u ndal gjithashtu tek gjesti fisnik i bashkëshortes së tij, Eni Jani, e cila bëri një apel në rrjetet sociale për mbështetje financiare. Menjëherë pas këtij postimi, nisi një aksion në rrjetet sociale nga miq, të njohur dhe të panjohur të aktorit duke hapur një “Gofoundme” dhe duke mbledhur brenda pak orësh, më shumë se 19 mijë euro që nevojiteshin.

Më pas, bashkëshortja e aktorit e mbylli faqen në më pak se 24 orë, pasi nuk donte që njerëzit të jepnin para kur shuma e nevojshme u arrit, e kjo sipas Magjistarit ishte një akt dinjitoz. Nga ana tjetër, Genc Fuga filloi të qante nga e gjithë kjo mbështetje, pasi nuk e priste që kaq shumë njerëz të bëheshin bashkë për ta ndihmuar.

Genc Fuga: Kam pasur rastin të provoja atë që nuk e ndiejmë, por atë që është aty. Ne themi për shumë aspekte të jetës që, shiko se është aty, e ndiejmë dhe është aty, por ta provosh këtë, kalon emocione shumë të forta.

Që në kontaktin e parë, kur më tha Eni çfarë ishte bërë në pikëpamje elektronike, po qaja, edhe më tha: “Çfarë ke tani?”. I thashë: “Zemër nuk e prisja. Nuk e pret një gjë të tillë”.

Dhe është për t’u falënderuar, jo dhe aq aspekti financiar, faleminderit për të gjithë atë, por nuk e ke idenë sa përfiton njeriu nga lutjet, vetëm nga lutjet e të tjerëve! Ka qenë një vëmendje gati-gati… ti fillon edhe vetë korrigjohesh në sensin: “Ore çfarë paskam dhënë?” Aty mund të kuptosh…

Rudina Magjistari: Se sa shumë të duan. Aty e kupton.

Genc Fuga: Aty mund të kuptosh dashurinë.

Rudina Magjistari: Aty e kupton sa shumë të duan dhe atë që ke dhënë, se ndoshta nuk je i ndërgjegjshëm gjatë kohës që punon. Punon, jep dhe vazhdon, por ndërkohë, në momente të tilla kupton se sa i rëndësishëm je për të tjerët. Sa shumë ke prekur dhe ke ndryshuar jetët e të tjerëve.

Genc Fuga: Dhe më vjen mirë që m’u dha një rast i dytë, me këtë jetën e dytë, që përsëri të bëj këtë zanat që di të bëj më mirë, të jap dashurinë.

Bashkëshortja e fëmijët e tij i bënë Genc Fugës një surprizë në studio, duke i dërguar një buqetë me lule dhe një letër ku shkruheshin fjalë dashurie për aktorin. Ky i fundit nuk mund t’i mbante dot lotët e gëzimit, ndaj i thotë moderatores së programit që ta lexojë letrën.

Genc Fuga: Më fal, por unë nuk mund ta lexoj dot këtë. Është shumë e bukur.

Rudina Magjistari: A mund ta lexoj unë?

Genc Fuga: Po të lutem.

Rudina MagjistariOkej po e lexoj unë. Genc Fugës nga bashkëshortja dhe tre vajzat e tij: “Të kesh një baba si ty është fat! Ti je dhe do të mbetesh gjithmonë shembulli, krenaria, e mbi të gjitha, shoku ynë. Të duam shumë!” Genc, sa me fat që je!

Genc FugaMë fal! Më fal se u preka.

Rudina Magjistari: Sa me fat që je, me Enin, një bashkëshorte, një zonjë e vërtetë, edhe me 3 vajza të mrekullueshme që ti ke. U emocionove!

Genc Fuga: Më fal!

Rudina MagjistariNë këto momente askush nuk reziston dot, të gjithë i lëshojnë disa pika lot.

Genc Fuga: Është e vërtetë!

Rudina Magjistari: Mua më vjen mirë se këto janë lot gëzimi, lot mallëngjimi, lot emocionesh të bukura.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *