26 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i Margarita Xhepës: E nisa aktrimin që 15 vjeç, me 3800 lekë rrogë

 Rrëfimi i Margarita Xhepës: E nisa aktrimin që 15 vjeç, me 3800 lekë rrogë

Ikonë e filmit dhe teatrit, Margarita Xhepa ka një vend special në listën e personazheve të vitit. E ftuar në “Opinion” ajo rrëfeu pak nga 73 vitet intensive të saj në skenë.

Për herë të parë para publikut ajo doli në moshën 15 vjeçare, e prej atëherë pati suksese të njëpasnjëshme.

-Kur ke dalë në skenë për herë të parë?

Margarita Xhepa: Në moshë shumë të re. Sa mbarova 7-vjeçaren.

-7 vjeçaren?!

Margarita Xhepa: Në 1950-ën, në Lushnje.

-73 vjet përpara ke dalë në skenë!

Margarita Xhepa: Me poezinë, aty kishim një shtëpi kulture dhe një pjesë ruse ma besuan mua, dola mirë në atë rol dhe seksioni i arsimit më nxori bursën për në Liceun Artistik. Erdha në Tiranë dhe aty fati më ndoqi, kryeregjisor i Teatrit Popullor atëherë ishte Pandi Stillo. Sikur lashë përshtypje të mira, unë dy poezi kisha.

-I mban mend poezitë?

Margarita Xhepa: Po si si mbaj mend?! “Malet e Shqipërisë” të Naim Frashërit dhe Gjuha jonë sa e ëmbël sa e bukur…Mbi të gjitha ishte ajo që më dhanë një ushtrim. Aty kuptonin se paska talent dhe u emocionova shumë. Më thanë do presësh te korridori e pastaj regjisori më tha “nesër do vish në teatër në 9 pa çerek”. Dola vërtetë.

-Ti se dije as teatrin rrezik ë?

Margarita Xhepa: Nuk e dija, me të pyetur. Imagjino, 15 vjeçe. Erdhi aty aktori i mirënjohur Lazer Filipi, ça është ajo vajzë tha që rri si zog aty në stol? Po pres i thashë kryeregjisorin. Shkova në drejtori dhe më thanë do vish aktore në Teatrin Popullor dhe gjatë kësaj kohe do bësh dhe Liceun Artistik. Ashtu ndodhi. Me një rrogë relativisht të vogël, 3800 lekë, m’u duk gjë e madhe. Hyra në teatër dhe rolin e parë bëra të kamerieres, me emocion dhe ajo krijoi besim te regjisorët.

Aktorja e madhe ka luajtur plot mbi 100 role në teatër dhe ka marrë pjesë në 40 filma.

Xhepa rrëfeu dhe momentin më emocionues të karrierës së saj.

“Nuk e harroj kurrë, në vitet ’60 isha 25 vjeçe. Vjen regjisori rus, do vinte në skenë “Hamletin”, ishte një fat i madh për teatrin tonë. Kam një moment shumë të bukur sa hyri regjisori. Duke takuar aktorët, sa më pa mua ndau rolin, Ofelia. Të gjithë erdhën më uruan sepse ishte një rol që është fat ta kesh në jetën artistike. E punova me dashuri”, tha aktorja.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *