26 Dhjetor, 2024

Duartrokitja e fundit për Zef Dedën, përlotet i biri: Faleminderit për babain që ishe! Na ndihmo nga lart

 Duartrokitja e fundit për Zef Dedën, përlotet i biri: Faleminderit për babain që ishe! Na ndihmo nga lart

Shkodra i ka dhënë lamtumirën njeriut që i fali aq shumë buzëqeshje edhe në vitet e vështira. Kanë ardhur të gjithë, nga Tirana e kudo, aktorë, miq dhe të afër por dhe artëdashës.

Ndërsa djali, Julian Deda mbjati fjalimin e lamtumirës.

Kam dëshirë që të falënderoj Zef Dedën për atë që ishte. Babai i jashtëzakonshëm, burrë i jashtëzakonshëm, gjysh i mrekullueshëm, artist i madh. Nuk e di se sa të fokusuar duhet të jemi ne dhe fëmjët tonë të mundohemi të ruajmë emrin e mirë që ka lënë në Shkodër e Shqipëri.

Shpresoj t’ia dalim, por besoj që një ndihmë e madhe do na japë dhe baba nga lart. Me punën e tij, me moralin e tij dhe me mënyrën se si është sjellë në jetë, na e ka bërë jetën edhe më të lehtë. E falënderoj nga zemra. Sot nuk di s’i t’i rreshtoj fjalët. Dua t’ju falënderoj dhe kolegët e babës.

Jeni një brez që i keni ruajtur marrëdhëniet njerëzore me njëri tjetrin të cilin ne nuk e kemi për fat të keq. Jeni shembull për ne. Falenderoj nga zemra dhe publikun e tij. Sot meqë është hera e fundit që është në teatrin Migjeni, dua t’i dhurojmë një duartrokitje të fundit”, tha ai.

Agron Llakaj uron që djali i Zefit, Julian Deda ta çojë përpara artin e të atit.

“Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Shpresoj që dy djemtë e vet që janë artistë, Juli sidomos të jetë i zoti të trashëgojë diçka nga geni i Zefit”, tha ai.

Regjisori Osman Mula tregon pse e mirëpriti publiku.

“Zefi ka qenë shumë i pranishëm në darkë, edhe pasdite tek fëmijët, ka qenë i pranishëm nëpër koncertet e mëdha të natës së Vitit të Ri.  Futi në teatrin e estradës një interpretim ndryshe. E emancipoi dhe e modernizoi interpretimin skenik, sepse Zefi në pistë që u fut e kishte të pamundur tjetër kush të vraponte apo të afrohej afër Zefit. Zefi kishte një vokal që nuk e kishte kush”, tha Mula.

Për bashkëshorten Rozina Dedën dhe dy djemtë, Julianin dhe Marion tashmë rëndon jo vetëm dhimbja por dhe pesha për të ruajtur emrin e mirë të mjeshtrit të madh.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *