6 Tetor, 2024

Revolta e Mehmet Shehut: Ç’bëhet kështu, dalin aktoret me gjo*se gjysmë zbuluar

 Revolta e Mehmet Shehut: Ç’bëhet kështu, dalin aktoret me gjo*se gjysmë zbuluar

Nga Fadil Paçrami

Në fillimet e viteve ‘70-të, diç nisi të mos ecte te ne. Rruga e ndjekur, e kishte rënduar gjendjen e vendit. Pakënaqësia rritej, njerëzit diç pritnin dhe kërkonin. Enver Hoxha këtë e ndjeu, u shqetësua e, s’ndenji duarlidhur. Për një kohë dhe mbështetur te Beogradi, më pas te Moska, viteve të fundit te Pekini, po tani, që edhe me Kinën, dukej se nuk do e kishte të gjatë, ku? Mundësia e vetme, mbetej ajo e hapjes me botën. Kjo qe kërkesa e kohës, edhe vullneti i njerëzve të lodhur të kësaj toke, nga ai kalvar i gjatë e i mundimshëm, përmes të cilit kishin mbijetuar me zor të mëdha.

Mirëpo, si mund ta pranonte ai këtë?! Në të tri rastet, pati qenë protagonist, pati dalë i pa lagur, pat forcuar edhe pozitat. Po tani? Poçia shkon një herë, dy, tri, te kroi, vjen një ditë, e thyhet. Kishte kaluar kohë të vështira edhe brenda vendit: Berati, ’48-ta, ’56-ta, ’60-ta, por i pat kapërcyer, në sajë të shkathtësisë, hilerave, duke ngarkuar e likuiduar të tjerët. Po deri kur kështu? Kjo e tmerronte, e xhindoste. Dhe e vrau mendjen. Kishte goditur djathtas e majtas, sipas rastit dhe si i qe dukur më mirë: djathtas në Berat, majtas në ’48-ën, prapë djathtas në ‘56-ën dhe në ’60-ën, tani nga, cila e kishte radhën?

E majta ekstreme, qe bërë prej vitesh, mbështetja e tij e qëndrueshme, i kishte shërbyer në rrugën që kishte ndjekur dhe ku e ndjente veten të fuqishëm, por diç nuk i pëlqente tek ajo, se i dukej që ishte forcuar, aq sa mund të bëhej e rrezikshme për të. E djathta me idetë e saj liberalizuese, po e shqetësonte prej disa kohësh. Pra mendoi, kështu edhe vendosi, të godasë në të dy krahët, në fillim djathtas, e më pas majtas. Atë edhe bëri në të hyrë të viteve ‘70-të. Madje, e kishte zgjatur pak si shumë kësaj here, pa goditur siç kish bërë zakon.

Kështu e ndau: rreziku i parë, qenë mendimi intelektual dhe kërkesat e rinisë, t’u bihej fillimisht atyre, si; “liberalizëm”; i dyti, vinte nga ushtarakët, me mundësitë e përdorimit të mjeteve të dhunshme, si “puçet” me armë. Më ‘73-in, u ra të parëve që po e sfionin më hapur dhe pas një viti, më ’74-ën, të dytëve, për t’ia shtrënguar fort. Mbetej edhe kjo: diku duheshin hedhur fajet, për vështirësitë ekonomike të kohës, e të atyre që do të vinin, prandaj pa kaluar viti, më ‘75-ën, i ra fort burokratizmit’ në organizmat shtetërore të ekonomisë.

Në qoftë se qe vërtet mjeshtër, në goditjet që ndërmerrte, po aq qe edhe në përgatitjen e masave, që u paraprinin dhe i shoqëronin. Në drejtimin të liberalizmit, siç e quajti, e ndjeva këtë, që sa hyri viti ’71.

– Në shkurt, më ftoi në shtëpi, me rastin e një feste familjare, ç’ka s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë! Një ditë më parë, veçmas më përkëdheli, duke më thënë: kështu të dua ngahera, energjik e të ri, në mendime e veprime. Ç’qe kjo? Ku rreh? I njihja tanimë ca veçori e lodra të tij.

– Në prill të po atij viti, meqë ime shoqe qe e sëmurë rëndë dhe ishte bërë operacion për së dyti, kësaj here në Romë, me “kujdesin” e porosinë e tij, siç m’u tha atë kohë, u nisa për ta parë atje. Për çudinë time, m’u vu në shërbim, një nga veturat e ambasadës, për të më lëvizur ku të desha. Kjo, siç m’u shpjegua, sepse isha kryetar i Kuvendit Popullor. Mirëpo pas kthimit, pa kaluar pak ditë, mora vesh se, qe tërhequr andej, shoferi që më pat shoqëruar. Kur e takova këtë një ditë rastësisht në rrugë dhe e pyeta përse, vura re, se s’dinte ç’belbëzonte. Më dogji.

U kujtova edhe se si në ambasadë, meqë ato ditë gjoja s’kishin gjetur vend në linjën ajrore për në Tiranë, m’u sugjerua; të udhëtoja përmes Titogradit, të Malit të Zi. Po kjo ç’ishte? Ç’po me luhej.

– Në maj, me rastin e 50-të vjetorit të lindjes, më erdhi për urime në shtëpi, me Nexhmijen. Edhe kjo s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Nuk kurseu fjalët më të mira, aq sa ra në sy edhe të tjerëve të pranishëm. Erdhi dhe e gjeti aty edhe Mehmet Shehu, i cili më solli urimet edhe nga e shoqja, meqë ajo s’mundi të vinte, nga se ato ditë, ndodhej jashtë Tiranës, duke më thënë, se do të vinin përsëri një ditë tjetër, porsa të kthehej. Bëmë edhe fotografi së bashku. Pas dreke u bë edhe një ceremoni dekorimi në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Po këto?! Ç’po ndodhte?

– Në ato kohë, më ra në dorë një fjalim i Mehmet Shehut, për çështje të Kulturës, letërsisë e arteve që kishte mbajtur ca kohë më parë, në një mbledhje partie në Peshkopi, ku shfrynte gjithë mllef, kundër shfaqjeve e prirjeve “moderrniste”, sipas tij, në krijimtarinë letrare e artistike. Teksti i shaptilografuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, qe shpërndarë në të gjithë vendin.

Bisedova për këtë me Ramiz Alinë, duke i thënë: ç’janë këto, si mund të flitet kështu?! Ky kishte folur me Enver Hoxhën, dhe ky me Mehmet Shehun, i cili më telefonoi dhe më thirri në zyrën e tij, në Kryeministri. Aty gjeta edhe ministrin e Arsimit dhe të Kulturës, me kryetarin e Komitetit të Kulturës e të Arteve. Sa u ulëm rreth tavolinës, veç kur shpërtheu me bubullima ndaj atyre, pse e kishin shaptilografuar e shpërndarë atë fjalim të tij, gjoja pa e pyetur atë; le po i paskëshim bërë edhe transformime, duke u lëshuar edhe një tok vërejtjesh, se nuk merrnin vesh nga punët e kulturës dhe të letërsisë e arteve.

Ndërkohë, nuk kurseu fjalët më të mira me lavde për mua, se rezultatet që qenë arritur në këto fusha në Tiranë, ishin meritë e imja, jo e tyrja. Më tha, edhe pse nuk i kisha folur drejtpërsëdrejti atij. Kaloi edhe në një çështje tjetër: tani po, më tha, atëhere kur e ngrite ti, ishte shpejt, ka ardhur koha të rritim fondet për kulturën, pra, kam dhënë urdhër, për këto. (Kishim patur një debat vite më parë me të, në një plenum të Komitetit Qendror, ku kisha ngritur çështjen se për kulturën, bëhej pak, deri atëherë te ne). Edhe kjo?

Me kaq, pa u zgjatur, edhe për raste të tjera, merr fund kjo anë  e njëfarë lajkimi, si një “muaj mjalti”, para se të fillonte stuhia, që të thuhej: ja, s’kemi gjë me ty, por je ti ai, që shfrytëzove situatat, për qëllime të mbrapshta. Të përafërta me këto, kishin ndodhur edhe me Todi Lubonjën: e sollën nga Korça, në drejtim të Radio-Televizionit, për aftësi e merita të veçanta, por pa kaluar shumë kohë, filluan ta godasin për ndikime e prirje të huaja. Forma e praktika të njohura këto, të kulaçit e të kërbaçit.

“Kështu, aty nga muajt e parë të ’72-shit, pinjoll i mbrapshtë prej rrugaçi i Hysni Kapos, ngriti plot zhurmë, një sajesë për një nga të afërmit e mi, si pedagog, në universitet, duke qëlluar qëllimshëm tek unë, ç’ka bëri përshtypje ndër të tjerët, aq sa një nga të njohurit, ato ditë, më tha hapur në konfidencë: ç’qe kjo, ç’kanë me ty?

– Pas dy muajsh, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, ku unë isha sekretar i përgjithshëm, kur Enver Hoxha më kaloi pranë, nuk më foli në sy të tjerëve, madje që të mos ndodhesha në presidium, si anëtari kryesisë me të tjerët dha urdhër, të zgjidhej një presidium tjetër nga salla, ç’ka s’kishte ndodhur ndonjëherë më parë, nuk ishte, as qe e rregullt.

– Në dhjetor të po atij viti, pasi mbaroi një nga mbledhjet e zakonshme të Kuvendit Popullor, Mehmet Shehu, kërkoi të më takonte po atje, në një dhomë veçmas. Qemë vetëm unë dhe ai, kur filloi të flasë, i papërmbajtur e me mllef.

Ç’bëhet kështu? Kur do të vini mend, ju të Tiranës?! Nuk shikoni se u mbush qyteti me flokëgjatë e minifunde? Dalin në skena të teatrit, gra e vajza me gjokse gjysmë zbuluar, ose me fustane deri në fund të këmbëve, sipas modave të jashtme dhe ju hiç! Duke e dëgjuar, thosha me mend: është në vete ky? U përpoqa të shpjegohem, po të linte, merreshe dot vesh me të?.

– Atë kohë, si zakonisht, në dhjetor u bë Festivali i 11-të në Radio-Televizion, Enver Hoxha, qe me pushime në Vlorë, nga ku gjoja e kishte ndjekur dhe na qenkësh skandalizuar. Me të ardhur në Tiranë, në mbledhjen e parë që bëri (ndodhi kjo në Presidiumin e Kuvendit Popullor me 9 janar të ’73-shit), shpërtheu, atë që kishte projektuar: goditjen kundër ndikimeve të huaja properëndimore, e liberalizmit.

Menjëherë filloi një përpunim i zhurmshëm i opinionit në parti, për një rrezik shumë serioz, që i kërcënohej vendit dhe ky ishte liberalizmi, që kishte marrë seriozisht dhe që i kërcënohej vendit dhe ky ishte liberalizmi, që kishte marrë përmasa shumë shqetësuese, në kulturë, në letërsi e në artet, në shtresat intelektuale përgjithësisht dhe në rini. Ky qe hapi i parë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *